Aktualitet

Requiem për dosjen 184





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 14:20 - 14/01/20 |
Mapo.al

Requiem është një term që vjen nga latinishtja që tregon ceremoni kishtare mbi dikë të larguar nga jeta. Më pas, requiem dendur u perdor për dukuri ose fenomene, cështje apo kauza, kur ato sosnin. Një requiem u krye sot në Tiranë edhe me dosjen më të rëndë të krimit elektoral në vend, atë 184, që ka të bëjë me manipulimin e votës në Dibër.


Një foto që ka pushtuar rrjetin social dhe mediat ku duket në krye të saj Damian Gjiknuri, rrethuar me konsensus politik, është shenja e amnistimit final të dosjes 184. Në krye të piramidës shtetërore në fushatën e kapjes së cdo vote në Dibër në vitin 2016, ishte pikërisht Gjiknuri.



Përgjimet që botoi gazeta gjermane Bild, e nxirrnin ish-ministrin e Ramës si shefin e aksionit që e nxori rilindjen mijëra vota para në një zonë pak a shumë demokrate.


Duke dërguar Damianin në krye të reformës zgjedhore, Rama thotë edhe një herë se 184 nuk ekziston, madje, dikush mund të mendojë se ky promovim zgjedhor i Gjiknurit, është një premisë se të tjera 184-tra mund të ndodhin. Pse jo. Opozita dhe lideri i saj, duke e pranuar Damianin e duke u ulur në një tryezë me të, sapo kanë hequr dore nga kërkesa e fortë për ndëshkim të krimit zgjedhor, cka është shënuar edhe në dokumentin e Bundestagut gjerman, një arritje e pamohueshme kjo e PD.

Eshte e besueshme se të paktën Gjiknurin, me pak insistim dhe këmbëngulje, opozita mund ta shmangte.

Nuk ka dyshim se veprimet e opozitës e të Bashës për të realizuar reformën në drejtësi, janë të duhurat, dhe rruga më e mirë për të krijuar një atmosfere apo ndryshime konkrete që do të garantojnë lirinë dhe paprekshmërinë e votës. Ndoshta, reforma afron edhe zgjedhjet e parakohshme, cka do ishte një kulm politik i Opozitës. Por, taksa qenka shumë e rëndë. Kjo mesa duket u dashka bërë bashkë me një Requiem për dosjen 184.

Mapo.al

 


Etiketa:

Pas