Reshjet intensive kanë qenë prezente në të gjithë vendin e si pasojë e tyre në disa prej qarqeve kryesore, konkretisht në Shkodër, Lezhë dhe Vlorë ka pasur përmbytje të shumta.
Mësohet se në Shkodër, shirat me intensitet të lartë kanë shkaktuar sërish probleme. Sipas burimeve atje, FNSH kanë evakuuar disa familje në lagjen Perash të Shkodrës.
Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë bërë të mundur shpëtimin e qytetarëve, banesat e të cilëve janë përfshirë nga uji.
Kujtojmë se prej disa kohës disa zona në këtë qark po vuajnë si pasojë e përmbytjeve, siç është dhe Oboti.
Reshjet e mëdha të shiu kanë shkaktuar probleme edhe në qytetin e Vlorës, ku disa rrugë janë përmbytur.
Problematike paraqitet situata në rrugën “Albana e Romina’, ku është bllokuar qarkullimi për shkak të prezencës së madhe të ujit. Po ashtu, probleme janë shfaqur dhe në zonën në afërsi të Skelës, pranë Universitetit të Vlorës.
Reshjet e shiut në Vlorë kanë qenë shumë intensive gjatë natës, për të vijuar dhe në mëngjes. Duke marrë parasysh motin e keq, autoriteti portual i Vlorës ka pezulluar lundrimin e trageteve por dhe të anijeve të peshkimit.
Një tjetër qark problematik me përmbytjet ka qenë edhe ai i Lezhës ku përmbytje ka pasur në tokat bujqësore në Torovicë dhe Balldre. Por ka prezencë uji dhe në disa rrugë të qytetit. Gjatë natës, ka pasur reshje me intensitet mesatar dhe të dobëta, të cilat vazhdojnë edhe tani. Sasia e reshjeve të rëna në shkallë qarku është rreth 40 mm.
Në shkallë qarku, si pasojë e reshjeve të rëna mbrëmë, janë të përmbytura rreth 300 ha, sipërfaqe të tokës bujqësore në zona depresive, në ish-kënetën Torovicë, Njësinë administrative Balldre, bashkia Lezhë.
Problem paraqet rruga rurale Rrëshen-Bukmirë, sepse ka rrëshqitje të dherave dhe ulje të shtratit të rrugës, duke vështirësuar lëvizjen e mjeteve. Rruga po mirëmbahet nga bashkia Mirditë.