Jeton Selimi
Vllaznia është me lugë të madhe dhe do të bëjë çmos që të shmangë rivalët e mundshëm si Flamurtari dhe Skënderbeu, të cilët po ashtu kanë shenjëstruar disa prej elementëve më të spikatur të kampionatit.
Shkodra është kthyer në një kantier të vërtetë dhe po punohet fort që të arrihen objektivat e merkatos të caktuar nga trajneri Rudi Vata. Në listën e preferencave padyshim që janë edhe Gilman Lika apo Bekim Bala, lojtarë të cilët po ndiqen fort edhe nga klube të tjera të superiores.
Pazar në Ballsh
Amarildo Dimo dhe Da Silva i pëlqejnë shumë trajnerit Rudi Vata, që ka pasur mundësi t’i vëzhgojë nga afër këta lojtarë në përballjet me Bylisin në kampionat dhe Kupë. Padyshim që shpirti luftarak i kapitenit të mallakastriotëve e ka befasuar vërtet Vatën, që e ka vendosur në majë të listës së tij të blerjeve. Megjithatë, në Ballsh ka spikatur edhe Da Silva, për të cilin trajneri Vata ka shprehur simpati, duke e vlerësuar si një nga të huajt më të mirë të kampionatit shqiptar.
Supermarket Tirana
Largimi i Vajushit te Liteksi ka lënë një boshllëk të madh në sulmin kuqeblu, që shto këtu edhe pezullimin e Xhevahir Sukajt, e kanë bërë këtë repart më të varfërin në të githë skuadrën shkodrane. Parë këtë situatë, Vllaznia ka ndërmend që të përdorë 100 mijë eurot e fituara nga shitja e Vajushit për të bindur Bekim Balën dhe Gilman Likën që të kthehen në bazë. Natyrisht që këto para nuk mjaftojnë edhe për Erjon Dushkun, por kryebashkiaku Lorenc Luka duket se nuk ka ndërmend që të bëjë rolin e kopracit në këtë merkato janari. Kështu, treshja e lojtarëve të Tiranës është një garanci për të ardhmen, por nuk duhen harruar as rivalët. Flamurtari dhe Skënderbeu primis. Vlonjatët duan Gilman Likën dhe e kanë bërë fakt një blerje nga Tirana, pasi kanë siguruar shërbimet e Julian Ahmatajt, ndërsa korçarët e pëlqejnë shumë Bekim Balën. Në mbrojtjem flitet edhe për një rikthim. Mbrojtësi shkodran, Ervis Kraja është një nga synimet e ekipit të Vllaznisë në këtë merkato dimërore. Shtatlarti Kraja fazën e parë të kampionatit u aktivizua me Dinamon. Drejtuesit e Vllaznisë, duke parë dobësitë që ka pasur ekipi i tyre sidomos në prapavijë, kanë menduar që ta përforcojnë atë me një nga mbrojtësit që dikur kanë veshur fanellën kuqeblu. Megjithatë, mbetet ende për t’u parë.
Malli i huaj
Rudi Vata asnjëherë nuk ka qenë kundër lojtarëve të huaj, megjithatë në tentativat e mëparshme askush nuk ia ka mbushur syrin. Vetëm njëri ka bërë përjashtim. Afrikani Singbo, që u testua në dhjetor, është thirrur edhe njëherë nga drejtuesit e Vllaznisë, të cilët kanë vendosur t’i japin një mundësi të dytë. Megjithatë, ardhja e të huajve nuk do të ndalet këtu, pasi pritet që të vijnë edhe disa lojtarë të tjerë për t’u provuar.