Aktualitet

Revolucioni i heshtur i dashurisë






               Publikuar në : 14:17 - 18/08/19 |
Gjergj Meta

Dom Gjergj Meta


Ndër përvojat më të gëzueshme të jetës tonë është atëherë kur dikush, me të cilin kemi pasur ndonjë problem a fërkim, dhe ndaj të cilit kemi qenë në borxh material apo moral, ka ardhur dhe na ka thënë: “të kam falur”. Mendoj se përvoja e faljes, që të kuptohet, ka nevojë të shihet nga perspektiva e atyre herëve kur ne jemi falur prej të tjerëve. Përjetimi i atyre momenteve dhe memoria e ndjesive të provuara do të na japë mundësi të vlerësojmë edhe ato raste kur kjo falje kërkohet prej nesh nga të tjerët.

Janë disa pyetje që njeriu mund t’ia drejtojë vetes, për momentin para se të ketë ndodhur falja e për momentet më pas.

Çfarë kam përjetuar para se kjo të ndodhë? Çfarë frikërash kam pasur? Si ka qenë e kushtëzuar jeta ime përpara kësaj falje? Sa e kufizuar ka qenë ajo në familje, në shoqëri, në lëvizjet e mia dhe në pozicionimet e mia?

Secili nga ne, kur e din se i ka borxh dikujt ndjehet në siklet, në vështirësi. Sa herë që mendon apo has në rrugë personin, a në ndonjë rrethanë të caktuar, apo kur na be ndërmend ajo gjë, kush prej nesh nuk është ndjerë ngushtë? Sado i kuptueshëm të jetë tjetri ne gjithmonë e dimë se me atë person kemi diçka, kemi një llogari të hapur.

Fuqia e faljes ka të bëjë me efeketin që shkakton dhe jo aq me atë që e bën.

Si jemi ndjerë pasi jemi falur? Sa ndjesi pozitive kemi pasur? Çfarë çlirimi pothuaje edhe fizik prej një barre që na ndukej aq e rëndë? Të imagjinojmë sikur kjo falje mos të ishte thjesht për një borxh, për një fyerje apo diçka tjetër, por të ishte vetë jeta jonë që na falet nga dikush që donte të hakmerrej ndaj nesh. Falja përtërin jetën, i jep asaj mundësi të fillojë nga e para.

Prandaj falja nuk duhet të shihet asnjëherë nga perspektiva e atij që ka në dorë të falë, por nga ai që dëshiron të falet.
Sigurisht, edhe kush ka diçka për të falur, ka po të njëjtën barrë sikurse tjetri, por ndoshta ka perceptimin ndryshe, duke qenë se ndjehet kinse më i fuqishëm. Por efekti i faljes është njësoj, sepse edhe tjetri heq nga shpina një barrë të rëdë.

Në perspektivën biblike ka edhe një këndvështrim tjetër të faljes. Në Beslidhjen e Re është Zoti ai që ndjen gëzim kur fal, si në rastin e djalit plangprishës në Ungjillin e Lukës. Ati ndjen gëzim që i biri është me të, pavarësisht se i biri nuk është i sinqertë deri në fund. Ka një gëzim që vjen nga falja e dhënë. Kjo është dhuratë prej Hyjit dhe ndodh kur njeriu që duhet të falë, ka ndjerë më së pari ai vetë faljen. Ai e kupton këtë gjë, njeriu i falur e di mirë se ccfarë ndjehet kur falet, prandaj edhe e jep faljen.

Falja ka edhe një fjalë tjetër me të cilën thuhet: mëshirë. Mëshirë do të thotë falje pa kushte. Vetëm Zoti është i aftë për mëshirë, por ai këtë ua jep atyre që ia kërkojnë dhe kanë nevojë për të. Në konceptin e krishterë mëshira nuk është një llogari. Nuk është një do ut des – jap që të marr. Gjëja më e vështirë për Jezusin në kohën e tij ka qenë kjo përmbysje e logjikës retributive, shpërblyese të faljes: “ti falesh vetëm nëse pendohesh”; “ti falesh nëse e meriton”. Jo, ne nuk e meritojmë asnjëherë plotësisht faljen. Por ajo na jepet pa meritën tonë.

Nëse duam të jemi bij të këtij Zoti dhe jo bij të botës atëherë falja e mëshira jonë duhet të jetë një revolucion, një përmbysje. Ky është kuptimi i fjalës revolucion. Revolucioni i mëshirës dhe i dashurisë është kumti më i thellë për të cilin ka nevojë realisht bota dhe realiteti ynë. Ky është ungjilli, lajmi i mirë, të dashur miq.

Kjo ka vështirësi të kuptohet dhe të pranohet, kur përkatësia jonë e krishterë është vetëm sociologjike, apo vetëm identitare dhe jo një përkatësi shpirtërore që do të thotë një përkatësi e jetuar në intimitet me Hyjin në heshtjen e lutjes, të jetës tonë të brendshme. Njeriu që nuk lutet kurrë, apo që lutjen e ka vetëm formale, vështirë se do ta kuptojë thellësinë e faljes dhe revolucionin e dashurisë, pasi ky është një revolucion i heshtur, i vuajtur dhe kalon nëpërmjet Golgotës, pra kryqit. Dhe vetëm atëherë e kuptojmë që kryqi nuk është vetëm një dekor i qafës, apo një llamarinë e vendosur mbi kodrina e male për të thënë se këtu ka katolikë, por është mbi të gjitha një përjetim i brendshëm.


P.S. Ky është predikimi që kam bërë në Katedralen e Rrëshenit, në meshën në përkujtimin e 70-vjetorit të dëshmorëve të demokracise të Qafë-Valmirit.


Etiketa: , , ,

Pas