Dy skenarët pas 16 qershorit, kur Këshilli Europian do të vendosë për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë. Çfarë pritet të ndodhë në rast të dhënies së dritës jeshile dhe si mund ridimensionohet skena politike nëse përgjigjja është negative.
Nga Sebi Alla
Në Samitin e Sofjes protagonizmin e mori Emmanuel Macron, që turbulloi më shumë ujërat e trazuara të Europës, duke dhënë një sinjal të qartë edhe për Shqipërinë. Presidenti francez ka rezerva për hapjen e shpejtë të negociatave me Shqipërinë. Arsyeja ndër të tjera është se Franca ka shënuar një rritje të numrit të azilkërkuesve shqiptarë, krahasuar me një vit më parë. Gjithashtu reformat e ndërmarra nga vendi ynë nuk janë aspak bindëse për skeptikët e BE-së. “Unë do të mbështes pikërisht një zgjerim kur fillimisht të ketë një reformë të thellë të Europës sonë. Nuk dua që Ballkani të kthehet drejt Turqisë apo Rusisë, por nuk dua që një Europë, që funksionon me vështirësi me 28 dhe nesër me 27 anëtarë, të vendosë që ne të mund të vazhdojmë jashtë ritmit, të jemi nesër 30 ose 32 anëtarë, me të njëjtët rregulla” -deklaroi Macron. Ai vetëm sa mbylli trekëndëshin Francë-Gjermani-Holandë, shtete që shprehin rezerva për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Dhe nuk është shqetësimi i vetëm, pasi situatës ndërkombëtare, jo fort të qartë për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, i shtohen edhe problemet serioze të vendit.
Pozita dhe opozita janë tërësisht të ndarë në dy llogore, duke u bërë protagonistë përleshjesh deklarative të skandalit më të fundit mbi dyshimet për implikimin e vëllait të ministrit të Brendshëm në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve. Protesta e opozitës kundër kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj ndodh tre javë para se qeveritë e 27 vendeve të vendosin për hapjen ose jo të negociatave që Shqipëria të jetë kandidat për në BE. Këtë radhë letrat në pokerin politik nuk janë në favorin tonë, ku veç euroskeptikëve, gjendja mes vetes është në pikën e errët që parashikon tension dhe ndryshime rrënjësore. Në rast të hapjes së negociatave, kryeministri Edi Rama do ketë mundësi për pak kohë frymëmarrje, e megjithatë nuk mund të kapërcejë lehtë problemin e krimit të organizuar, korrupsionit apo dyshimet e forta për përfshirjen direkt dhe indirekt në veprimtari të paligjshme të anëtarëve të kabinetit të tij qeveritar. Në rast të një dështimi, duke na thënë “Jo” për negociatat më 16 qershor, atëherë “revolucioni i qershorit” mbetet një dështim dhe sytë shkojnë drejt dhjetorit, ku do të jetë mundësia tjetër, ndoshta e fundit. Kreu i qeverisë deri më tani i ka gjetur “armiqtë” e jashtëm e të brendshëm. “BE është në kulmin e një debati të brendshëm dhe nuk ndihmon në atë që është objektivi ynë, por unë dëshiroj të them që ishte një mundësi e mirë që e shfrytëzuam maksimalisht dhe vijoj të mbeten optimist që do të kemi një rezultat pozitiv në fund të qershorit”, -tha Rama pas kthimit nga Samiti i Sofjes, duke treguar me gisht “armiqtë e jashtëm”… Ndërsa kur analizon situatën brenda vendit, e ka të gatshme ligjëratën e tij, teksa sheh opozitën si penguesen kryesore për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë.
Skandalet një mbi një…
Në dy konferenca shtypi që Rama ka mbajtur në Rinas, gjithnjë ka mbërritur i shqetësuar. Jo aq shumë nga takimet që kishte me liderët europianë, por me skandalet që e presin brenda vendit. Pas kthimit nga Gjermania, në takimin e gjatë që pati me Kancelaren Gjermane Angela Merkel, kryeministri kishte ende të hapur çështjen e Saimir Tahirit. Në Berlin ia kujtuan këtë detaj të rëndësishëm, duke u shprehur të shqetësuar se kishte ndërhyrje në drejtësi duke mos lejuar arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Pa kaluar gjatë, Tahiri bëri vetë lëvizjen e radhës, duke hequr dorë nga mandati i deputetit dhe iu vetëservir drejtësisë si një qytetar i thjeshtë, pa post e mbështetje politike. Gjykata vendosi “arrest shtëpie” për ish-ministrin e akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe korrupsion pasiv. Me një ish-ministër të tij dorëzuar në sistemin e drejtësisë, Rama priste Samitin e Sofjes për ta pasur si “trofe” këtë zhvillim të ri, por mallkimi i ministrave të brendshëm nuk iu nda vendit. Sapo mbërriti nga Sofja, Rama ishte i detyruar të jepte shpjegime në lidhje me akuzat më të fundit, pas audiopërgjimit të publikuar nga PD, ku protagonist në një aferë të trafikut të drogës dyshohet se është Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Në tentativë për të mbuluar skandalin, shkoi më tej kur u shpreh se videopërgjimi ishte trillim dhe këtë e kishte të konfirmuar nga agjencitë e specializuara prestigjioze ndërkombëtare. Enigma mbetet ende në këtë tallava politike, ndërsa opozita ka planifikuar protestë para kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme. “Lulëzim Basha ju do për një foto në lajmet e botës: Shqipëria në protestë kundër ministrit të brendshëm trafikant droge! Kush do i shkojë pas nesër, ta dijë pse po del e mos thotë pastaj, “Ah, si nuk e dija që audiopërgjimi ishte sajesë e esadistëve të rinj kundër çeljes së negociatave me BE”-shkruajti Rama rrugës për në Kuçovë, duke i venë në “sedër” qytetarët për të mos u etiketuar më vonë si tradhtarë… Kundërpërgjigjja e Bashës nuk vonoi, për të bërë “balancën” e krekosjes politike. Në mënyrë ironike lideri i opozitës postoi një video dhe reagim në facebook duke shfaqur portretet e Ramës, dhe dy vëllezërve Agron dhe Fatmir Xhafaj me pyetjen dhe përgjigjen brenda ja kush janë esadistët që pengojnë Shqipërinë si gjithë Europa… Për momentin qeveria dhe vetë Rama e ka lënë pas çështjen e integrimit dhe hapjen e negociatave, për shkak të situatës politike dhe protestës së opozitës. I heshtur prej ditësh, të premten pasdite, reagoi edhe Fatmir Xhafaj, i cili më shumë se të sqarojë të vërtetën e vëllait të tij, kërkon të minimizojë protestën, duke lëshuar një sfidë të hapur ndaj Bashës. “E vërteta është vetëm një, dhe vetëm një në këtë rast. Ai që nuk është në anën e të vërtetës, duhet të përgjigjet. Këtë e kërkon interesi i ligjshëm i qytetarëve. #Drejtësiderinëfund. Nëse provohet e kundërta, atëherë duhet që Lulëzim Basha të dorëhiqet dhe të përballet me ligjin. Pyeteni: A është ai i gatshëm për këtë sfidë? Bashkëqytetarëve të thirrur në protestë, u them sot: Nëse audio përgjimi i bërë publik nga PD, do të rezultojë i vërtetë, unë do të marr çdo përgjegjësi morale, politike e ligjore, përfshi dhe largimin nga funksioni i Ministrit të Brendshëm. Jam i gatshëm ta bëj këtë pa hezitim”, shkruan Xhafaj. Klima politike në vend nuk ndihmon në integrim, por nga ana tjetër opozita në të drejtën e saj argumenton se është pro hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE-në, por jo me ministra të inkriminuar dhe me korrupsion të lartë qeveritar. Koha ka shkuar, por jo forma dhe qasja politike pozitë-opozitë. Qeverisë aktuale po i kthehet në boomerang ajo që ndodhi në vitin 2012, ku PS, në atë kohë në opozitë, kushtëzoi marrëveshjen e stabilizim-asocimit me BE-në me Këshillin e Qarkut Fier. Paralelizmi mund të gjendet edhe sot, ku vetëm tre javë para se Europa të vendosë për fatin e mëtejshëm të vendit, shpërthejnë skandale me impakt jo të vogël siç është dyshimi për përfshirjen e anëtarëve të kabinetit qeveritar në trafiqe droge.
BE, shpëtim dhe shtrëngim
Skepticizmi Europian sa vjen e fuqizohet, ndaj liderëve të BE-së do u duhet që të bëjnë disa llogari në lidhje me integrimin e Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Nëse do të merreshin në analizë reformat dhe treguesit e tjerë si krimi i organizuar dhe korrupsioni në nivelet e larta të qeverisjes, Shqipëria nuk do të kalonte as në “provimet e vjeshtës”, por gjeopolitika ndërkombëtare ka tendencë t’i anashkalojë këto detaje të rëndësishme. Në Samitin e Sofjes, liderët e vendeve të Bashkimit Europian dolën në konkluzione, duke bërë të qartë se ishin në mbështetje të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Por mjaft interesante nga ky samit janë gjashtë pikat e para të shtojcës së deklaratës dhe agjendës prioritare: Të përforcohet mbështetja për sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mire; Të rritet mbështetja për reformën gjyqësore dhe përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, duke përfshirë ndërtimin e kapaciteteve për parandalimin e korrupsionit; Të zgjerohen misionet këshilluese për sundimin e ligjit, duke përfshirë mbështetje të shtuar nga Shtetet Anëtare dhe nga BE-ja; Të rritet monitorimi i reformave nëpërmjet sistemeve më sistematike dhe misioneve për shqyrtimin kolegjial në bazë rasti; Të implementohet monitorimi i gjykimit në fushën e korrupsionit të rëndë dhe krimit të organizuar; Të punohet mbi përmirësimin e matjes së rezultateve në reformën e drejtësisë. Që të gjashta këto pika të para duket sikur janë shkruar enkas për vendin tonë. Në rast se Shqipëria merr hapjen e negociatave si vendi kandidat për në BE, atëherë kontrolli do të jetë shumë më i madh nga ana e tyre. Gjithashtu, Reforma në Drejtësi dhe më tej lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të mbante markën e tyre në vijim, duke injektuar një lloj protektorati. Gjithçka mund të ndryshojë nëse do kemi një “Jo” të prerë më 16 qershor të Europës, me kushte e parakushte të tjera, kjo është goditja më e madhe që do merrte vendi, i cili ka humbur prej kohësh besimin në qeveritë tonë majtas e djathtas, por sheh BE-në dhe SHBA-në si shpëtimin e vetëm. Në rast hapjesh të negociatave, për konsum politik Rama do e konsideronte si arritje të qeverisë së tij, por me një kosto që duhet të shlyejë; ndryshime rrënjësore në kabinetin qeveritar dhe tregues konkret. Në radhë të parë do të duhet ta nisë nga ndryshimet në kabinet. Pavarësisht si do shkojë rrjedha e hetimeve për çështjen e Agron Xhafajt, ministri i Brendshëm minimalisht do jetë i paragjykuar, për aq kohë sa vëllai i tij ndodhet në një burg të kryeqytetit italian me akuzën e rëndë të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Gjithashtu, një syresh ministra që po mbushin pesë vite në postet e larta janë me bilanc negativ. Sikurse e ka paralajmëruar, kryeministri Rama në shtator do të bëjë skanerin e secilit ministër apo drejtues të lartë të administratës, ndaj ndryshimet nuk do jenë më një tabu. Këtë lëvizje është i detyruar që ta bëjë për të ndryshuar sadopak imazhin. Qeveria po shihet gjithnjë e më shumë si e korruptuar dhe arrogante. Pikërisht këto dy terma Rama nuk do të donte t’i dëgjonte kurrë, pasi si njohës i mirë i komunikimit publik, e ka të qartë se ky perceptim i shtuar popullor është treguesi i rënies së tij. Gjatë periudhës qeverisëse 2013-2017, kryeministri në çdo dalje publike linte të kuptonte se problemi ishte aleati LSI. Në situatën aktuale “armikun” nuk mund ta gjejë tek opozita, ndaj numërimi ka nisur mbrapsht dhe koha nuk është në favor të qeverisë e cila do të duhet që të ndahet përfundimisht nga dy gropat e mëdha thithëse; korrupsioni dhe krimi i organizuar. Prova mbetet 16 qershori si shansi i vetëm dhe i fundit.