Mapo Format

Rexhep Hoti provokon politikën përmes poezisë 






               Publikuar në : 11:21 - 04/03/19 |
mapo.al

Autori prezantoi në Tiranë librin e ri “Monologu i prijësit”


Poeti nga Kosova, Rexhep Hoti, njëkohësisht Koordinatori Nacional për Kulturës, Arsim dhe Sport në qeverinë e Kosovës ka prezantuar në Qendrën Kulturore FORUM, librin “Monologu i prijësit”. Në mbrëmjen kushtuar poezisë së Hotit merrnin pjesë shumë personazhe të njohur të kulturës shqiptare.

“Vëzhgues i historisë së Shqipërisë gjithashtu, si pjesa që e ndanë nga gjysma tjetër, Kosova, autori me intensifikim ravijëzon tjetërsimin e njeriut  shqiptar, nëpërmjet një sistemi të rrudhur si komunizmi. Detyruar që, nga vazhdimësia e nënshtrimit, të dyja anët e të njëjtit vend të bëjnë zgjidhje me forma radikale, dhe në kohë të ndryshme, fatet e tyre mbeten ende të brishta dhe liritë e tyre latente por edhe informacioni ndërmjet, mjaft i kufizuar”, shprehet Mimoza Ahmeti.

Sipas saj “ky libër është sa kompleks edhe i guximshëm, pasurues me detaje dhe ngjarje jo gjithmonë të kthjellëta për lexuesin, por të drejtueshme nga shoqërimi i ndjenjave”.

“Duket disa herë që zona te pambuluara kuptimimi,  krijojnë ndërprerje në ndjekjen e idesë, por ka mjaft zona ku idetë shkëlqejnë me spikatje. Nuk mund të them se në reflektimet e tij poetike rreth ngjarjes nacion autori mban një qëndrim Budha, jo thjesht sepse i mungojnë mjetet, por se edhe është i përfshirë në një rol në këtë ngjarje, por shumë momente sinqeriteti dhe shpirtmadhësie, i tejkalojnë caqet e një zhanri të ngushtë letrar të kësaj vepre, duke e thyer atë e duke e mbushur me jetë nga vetë jeta e shkruesit të këtij libri, e cila mbetet një aventurë, në kuptimin me serioz të kësaj fjale, në përpjekjet e njeriut të sotëm për të kuptuar historizmin e epokës sonë, dhe për të lënë sa më pak pjesë nga pjesa e vet në dëmin historik, i cili, megjithatë, historizmi, “heroikisht” po kapërcen çdo ditë vetveten”, thotë Ahmeti.

Kritikja Alda Bardhyli u shpreh se ky monolog mban brenda gjithë tensionin e një historie të trazuar të shqiptarëve ndër shekuj. Duke e quajtur Hotin një autor të angazhuar sipas saj, ky monolog është edhe një pamflet për politikën.

Pandeli Koçi, njohës i mirë i letërsisë që bëhet në Kosovë u shpreh se Hoti është një poet rebel dhe këmbëngulës. Ai vazhdoi fjalën e tij me zbërthimin e personazhit dhe konceptit “Prijës”, si simboli i vlefshëm i njeriut që lufton për të drejtën. “Kjo poemë është e zgjedhuar dhe ngjan me epikën, pra është poemë lirike, po aq sa edhe epike, sepse ekzistenca  e një mozaiku i të gjithë krahëve te poezisë në të, e afron më shumë me lexuesin. Bie në sy një frymë “Intelektualizmi”, sepse nxjerr në dukje nëntekstin e qenësishëm. Përdorimi i metaforave dhe metonimisë i japin frymën e nëntekstit të poezive…( ai e pasqyroi edhe me vargje nga vepra, ku tregohet karakteri intelektual.) Përdor mjete, të cilat e nxjerrin këtë poezi nga erotizmi që zakonisht karakterizon lirizmin. Poezitë e Hotit tregojnë aktualitetin e sotëm nëpërmjet diakronisë. Ky libër pasqyron Shqipërinë, realitetin e dhimbshëm, por që duhet të pranohet,” u shpreh Koci.

Fjalën e mori shkrimtarja Diana Çuli, e cila ka shkruar parathënien e  këtij libri .“Në momentin kur m’u propozua parathënia, e kam menduar shumë, sepse vështirësia qëndron në faktin se në këtë libër është shprehur në vargje një histori e madhe”. Zonja Çuli solli në memorie vështirësitë e komunikimit mes letërsisë kosovare dhe shqiptare deri në shpalljen e pavarësisë. Këto histori është përpjekur edhe autori t’i shprehë edhe në libër nëpërmjet erosit, paralelizmit në histori dhe lirizmit, të shprehura në varg të lirë dhe me rimë. Ajo e quajti poezinë e Hotit si postmoderne në mënyrën e të shkruarit.

Vetë autori tregoi për lexuesit se shkrimi i këtij libri ka nisur që në 2010 kur pushteti kishte nisur të merrte poshtë dhe e ka shkruar në  disa kontinente. Ka zgjedhur një format që nuk është lëvruar më parë në gjuhën shqipe, një formë përtej ndërgjegjes e deri në histori. I vë theksin Alpeve tona, sepse edhe pse të ftohta, ato krimben, e deri më sot kur ndërgjegjja është kaq e papastër.

“Autori i kushton disa pjesë rindërtimit të Kosovës, rilindjes së shoqërisë, demokratizimit të saj në liri. Nganjëherë liria duket sikur të trullos, oksigjeni i saj të merr mendtë. Drita e saj të verbon. Në një moment të tillë, kur sheh metamorfozën që pësojnë shumë luftëtarë të UÇK-së që shndërrohen në pushtetarë ai ndërmendet me alarm për shprehjen e vjetër «Revolucioni i ha bijtë e vet», vendos një titull pjese Atdheu hipotekë, për të stigmatizuar lakminë, korrupsionin, shpërfilljen ndaj popullit të thjeshtë të shumë fitimtarëve, të cilët i harrojnë detyrat, përgjegjësitë që duhet të mbajnë e të zbatojnë. Po unë përse mbeta gjallë, Përse ata nuk janë më?! Përse kanë mbetur të vrarë?! rënkon në një moment prijësi i dëshpëruar, duke kujtuar shokët e tij të lavdishëm e atë kohë të lavdishme, kur lufta për liri nuk ishte kaq e koklavitur sa jeta në liri. Përbaltja e lirisë e titullon autori këtë pjesë. Dhe në Epilog e përsërit duke shtuar vargun humbja e idealit”, thotë Diana Çuli.

Aktiviteti ishte pjesë e “Letërsia dhe qyteti”.


Etiketa: , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

CLOSE
CLOSE
Pas