Protesta e opozitës kthehet në revoltë, duke u shoqëruar me akte dhune, agresivitet, vendosmëri nga ana e protestuesve dhe kundërpërgjigje shumë të ashpër të policisë.. Rama: Nuk ka shans të rrëzohet një qeveri legjitime. Basha: Harroje që do mbash pushtet me dhunë, do lutesh të kesh fatin e Nikolla Gruevskit”. A po shkohet në një konflikt të ashpër civil me dy palë? Mediat ndërkombëtare: “Protestat të mbushura me zemërim”.
Pas konfrontimit të mbrëmjes së të shtunës, të dy palët nuk janë tërhequr nga qëndrimet e tyre, politika nuk është më përballë në “lojë shahu”, por në përplasje muskujsh. Opozita ka paralajmëruar një tjetër protestë për të hënën. Edhe sonte në orën 18:30 vendi mund të shohë të njejtat skena. Këto pamje që kanë bërë xhiron e botës vijnë pikërisht në ditën kur është afati i fundit për zgjedhjet e 30 qershorit, me regjistrimin e kandidatëve. Pas përplasjeve të para, që kanë treguar shpërthim zemërimi nga protestuesit, dhe shfaqje dhune, duket se e drejta kaloi më pas nga opozita, pas dhunimit brutal dhe të panevojshëm të Sekretarit Organizativ të PD, Sahit Dollapi. “I kuptoj ata dy punonjës policie që bën një veprim të tepërt, por duke e gjykuar ne nga ekrani. Ama turp më te madh e përqeshje më të madhe me atë incident, ta kthesh në një histeri për të provuar se në 7 orë ishte policia shkaktare e gjithë asaj që pamë, nuk ka”-tha Rama. Nuk është vetëm çështje incidenti, kur Sekretari Organizativ i PD-së u rah brutalisht pa shkak, pa sulmuar kënd dhe për më shumë i shtrirë në tokë, por ato pamje, “rrahje live”, mund të tregojnë situatën e rëndë që po kalon vendi, arrogancën dhe mllefin qeveritar, që në fund, kërkon të mbahet pas forcës. “Sot dua t’i bëj një paralajmërim të qartë kreut të klikës në pushtet: Mos i kalo caqet, mos bëj të fortin pas autoblindave dhe gazit. Harroje që do mbash pushtet me dhunë. Në rastin më të mirë, do lutesh të kesh fatin e Nikolla Gruevskit,” tha Basha, menjëherë pasi kryeministri Rama mbajti një konferencë të gjatë shtypi më shumë se 90 minuta. Kreu i qeverisë foli gjatë e nën emocione të dukshme, por në asnjë moment nuk i gjet një “lajm i ri” që mund të ofronte zgjidhje, por një verb të vjetër duke përmenduar shpesh: “ata janë e keqja”… Jam gjithmonë i gatshëm për dialog. Nuk ka shans teorik, jo më praktik, që të marrësh të rrëzosh një qeveri legjitime me zgjedhje, ku ti ke qënë pjesë e qeverisë me këto forma. Synimi është që të vendoset vëndi në kushte pamundësie. Qëllimi është të shkatërrohet themeli kushtetues, procesi zgjedhor, për të konfirmuar që o ne në pushtet, o këtu vetëm qamet”-tha kryeministri.
Dhuna, “këtej dhe andej”…
Opozita e kishte paralajmëruar se protesta e 11 majit nuk do ishte më aq paqësore, por populli sipas saj do e merrte në duar fatin e vet. Që nga 21 shkurti i këtij viti kur opozita vendosi të dalë nga Parlamenti dhe djegë mandatet e deputetëve, ka kërkuar; largimin e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie kalimtare dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme, të lira dhe ndershme. Pikërisht plani politik i opozitës së bashkuar nën moton: “zgjedhje të lira dhe ndershme”, janë thelbi i kësaj proteste, të paktën në aspektin politik. Mostërheqja e qeverisë, duke mos ofruar asnjë alternativë mbi kërkesat legjitime në një sistem demokratik, duket se e shtynë opozitën të përshkallozojë protestat. Disa bomba molotov drejt hyrjes së kryeministrisë, hedhje gurësh dhe fishekzjarresh nga ana e protestuesve ishin elementët e parë të një agresiviteti të parashikueshëm. Protesta vijoi të shtunën përballë Parlamentit, aty ku duket se kishte një tjetër urdhër. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, vetëm pak minuta pasi mbërritën protestuesit e parë dhe nisën përplasjet, u vunë në kundërsulm. Gaz lotsjellës në masë, makina të blinduara që lëshonin ujë dhe sulm “trup më trup” të FNSH-së ndaj protestuesve, sollën një lloj “barazimi në ring”. Qeveria pati “lëndime” afër kryeministrisë, ndërsa para Parlamentit “triumfuan” mbi protestuesit forcat e rendit. Pikërisht aty u regjistrua edhe incidenti i rëndë, ku drejtuesi i FNSH-së dha urdhër që të merrej me forcë Sekretari Organizativ i Partisë Demokratike Sait Dollapi. Largimi i tij me shpejtësi bëri që të rrëzohej në tokë, por dhjetëra shkopinj gome ranë mbi të. Fundi ishte dërgimi i tij në Spitalin Ushtarak të Tiranës, për shkak të plagëve të marra nga një “histerizëm policor” që më shumë shfryu mllefin, sasa po tregonte vendosmëri për të mbrojtur institucionet shtetërore. Dy palë… Protestues që reagojnë ashpër duke shprehur vendosmëri kundër qeverisë Rama, pavarësisht çdo pasoje që mund të bien mbi ta, dhe një kundërpërgjigje fort e ashpër e strukturave të rendit, që shfaqin një agresivitet të shtuar, pa gjykuar dhe vepruar ftohtë, konformë ligjit dhe rregulloreve për menaxhimin e protestave, qofshin edhe të dhunshme. “Për këdo që ka pak mend në kokë nuk ka asnjë dyshim se skena të tilla janë tregues të një konflikti të ashpër civil, që po përvijohet në horizontin e së ardhmes. Nëse Kryeministri ka pasur si qëllim ta shkatërrojë tërësisht demokracinë shqiptare dhe shtetin ligjor ia ka arritur më së miri”. Kështu shprehet pedagogu Mark Marku në një analizë të tij. Ai shkon më tej kur ngre shqetësimin se vendi po shkon drejt konfliktit të fortë dhe dhunës. “Nuk ka më asgjë të përbashkët me Kryeministrin e një vendi demokratik, por është shefi i një junte, që i ka hyrë një rruge të rrezikshme për veten dhe vendin”-thotë Marku.
Mediat e huaja: Protesta e mbushur me zemërim
Rrjeti publik gjerman, ZDF, në kronikën për protestën në Shqipëri thekson se nuk po luftohen shkaqet, që kanë sjellë këto protesta, çka i bën ato më të dhunshme. Gazetarja Britta Hilpert shktruan se protestat nuk kanë qenë kurrë më të mbushura me zemërim se këtë mbrëmje (të shtunën). Protestat, që kanë nisur prej muajsh, përfunduan në dhunë. Bomba me molotov u hodhën. Për orë të tëra pati përplasje të dhunshme para kryeministrisë dhe parlamentit. “Protestojmë sepse jemi të papunë. Kemi një qeveri hajdutësh dhe kriminelësh. Nuk ka gjykatë apo polici të vëretë”, thotë një protestues. “Protestojmë për të drejtat, për liri dhe demokraci. Është më keq se në komunizëm”, thotë një tjetër… Në vijim të shkrimit, Hilpert ndalet në shkaqet e këtij zëmrimi. “Në parlament, kryeministrin Edi Rama e sulmojnë me vezë, duke e akuzuar për korrupsion. Për shembull, akuzohet se anëtarët e qeverisjes së Partisë Socialiste kanë blerë vota. Në rastin e ndërtimit të një autostrade, paratë për dëmshpërblimin e banesave, mesa duket përfunduan në xhepat e tjerë. Protestat e para nisën nga studentët për kushtet e këqija të studimit dhe jetesës në konvikt dhe për largimin masiv të rinisë”-shkruhet në artikullin e ZDF. Gjithashtu edhe media të tjera presitigjioze ndërkombëtare i kanë dhënë hapësirë të konsideruar zhvillimeve në Shqipëri, që krahas raportimit të protestës, disa prej tyre edhe “live”, po argumentojnë shkaqet e revoltës që lidhen në katër pika kryesore; akuzat për shitblerje votash, mungesë të zgjedhjeve të lira dhe ndershme, korrupsionin qeveritar dhe problemet e mëdha ekonomike.