Aktualitet

Rezoluta – Dënimi i blerjes së votës dhe zgjedhjet e lira, kusht për integrimin














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:45 - 05/03/21 |
mapo.al

Në rezolutën e miratuar dje nga Parlamenti Europian kërkohet qartazi dënimi i shitblerjes së votës, dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme më 25 prill, proces në të cilin duhet të implementohen dhe zbatohen pikat e marrëveshjes së 5 qershorit. PE ndihet e keqardhur për ndryshimet e njëanshme që iu bënë kodit në tetor të vitit të shkuar. Çështje të tjera shqetësuese për këtë organizëm janë dhe pastrimi i parave të pista me anë të ndërtimit apo liria e medias





Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian (AFET) miratoi dje raportin për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian duke u fokusuar në përmbushjen e 15 kushteve për çeljen e negociatave. Raporti fillestar i raporteres Santos (S&D) iu nënshtrua amendimeve nga bashkëraporteri Lega (PPE) e kolegë të tjerë.


Amendimet




Amendimet e miratuara nga grupi i PPE kishin të bënin kryesisht me hetimin e shitblerjes së votës dhe, zgjedhjet e ardhshme parlamentare te të cilat duhet të reflektohet dhe zbatohet marrëveshja e 5 qershorit. Në progres shprehet keqardhje për ndryshimet pa konsensus që iu bënë Kodit Zgjedhor në tetorin e vitit të kaluar. Gjithashtu, një pikë e rëndësishme ishte dhe lufta kundër pastrimit të parave apo liria e shtypit.


“Ngre shqetësimin për akuzat e blerjes së votës dhe thekson se ndjekja penale për këtë çështje është ndër kushtet e vendosura nga Këshilli në 25 Mars 2020. Mirëpret rezultatin pozitiv të marrëveshjes së 5 qershorit 2020, i cili zbatoi disa nga rekomandimet e OSBE / ODIHR, por vë në dukje dështimin për t’u mbështetur më tej në të dhe faktin se pavarësisht thirrjeve të përsëritura ndërkombëtare për të pritur opinionin e Komisionit të Venecias, hapat e mëtejshëm u morën pa një konsensus të gjerë ndërpartiak që rezulton në miratimin e ndryshimeve të diskutueshme të Kodit Zgjedhor në Tetor 2020 nga Parlamenti Shqiptar; Nënvizon problemet në lidhje me pastrimin e parave, veçanërisht në sektorin e ndërtimit dhe të pasurive të patundshme; Inkurajon zbatimin e plotë të rekomandimeve të Komisionit të Venecias të 19 Qershorit 2020 për paketën antishpifje; Shpreh në mënyrë të përsëritur shqetësimin rreth masave të propozuara fillimisht nën të ashtuquajturën ‘paketë antishpifje’ dhe vëren se çdo rishikim i ligjeve të medias dhe Kodit Penal duhet të bëhet në një mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, duke garantuar se zërat dhe mendimet e shoqërisë civile, medias dhe gazetarëve të dëgjohen me qëllim të përmirësimit të lirisë së medias dhe mjedisit të punës së gazetarëve të pavarur”, janë amendamentet e shprehura në progres-raportin e këtij viti.


Deklaratat

Duket se zgjedhjet dhe hetimi i shitblerjes së votës janë çështje të rëndësishme për BE-në, pavarësisht se kryeministri gjatë vizitës së tij në Bruksel tre ditë më parë, por edhe pas ardhjes në Tiranë gjatë një konference për shtyp u mundua që ta adresonte fajin te gazetarët, ose më saktë te pyetja që i bëri gazetarja Erisa Zykaj zyrtarëve të lartë të Komisionit, presidentit Borrel dhe komisionerit Varlehyi. Por me sa shihet, çështja e shitblerjes së votës është bërë vërtet shqetësuese për Bashkimin Europian, i cili me anë të kësaj rezolute është më se i qartë, kur thotë se pa hetuar krimin zgjedhor dhe pa zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme, të paktën në nivelin e Kosovës ose Maqedonisë, nuk ka hapje negociatash me BE-në.

Miratimi i rezolutës nga PE, Meta: S’ka negociata pa zgjedhje të lira

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka përshëndetur Projekt-Rezolutën për Shqipërinë, që u miratua dje në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian. Kreu i Shtetit, përmes një statusi në Facebook, falënderoi dy grupet e mëdha politike, që ofruan mbështetjen e tyre për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Ndër të tjera, presidenti Meta iu bëri thirrje shqiptarëve, që të mbrojnë me çdo çmim votën e lirë dhe të ndershme. “Përshëndes Projekt-Rezolutën për Shqipërinë, që u miratua sot (dje) në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian. I falënderoj të dyja grupet e mëdha politike për mbështetjen e qartë të së ardhmes europiane të Shqipërisë, që kalon vetëm përmes përmbushjes së plotë të kushteve. Nuk ka negociata pa zgjedhje të lira dhe të ndershme! Nuk ka përparim pa u dënuar autorët e krimeve zgjedhore të dosjeve 339 dhe 184! Askush nuk do të amnistohet! Votën e lirë të 25 prillit, shqiptarët do ta mbrojnë me çdo çmim dhe nuk do të kursehen ndaj askujt, që do të guxojë të tjetërsojë vullnetin plebishitar”.

1


Etiketa: , , ,

Share
Mbyll
CLOSE
CLOSE
Pas