Kryesore

Rezoluta e PE/ Negociatat në tehun e 15 kushteve





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:59 - 22/06/20 |
mapo.al

Shqipëria duhet të plotësojë 15 kushte që të marrë të drejtën të ulet në tryezën e negociatave, në shtatorin e këtij viti. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, ligjshmëria e 30 qershorit apo dhe kapja e drejtësisë, apo çështja e pronave janë sfidat që duhet të kapërcejë qeveria Rama. Për ekspertët kjo do të thotë se të paktën përpara zgjedhjeve nuk ka hapje negociatash. Flasin për MAPO Sekretari për marrëdhëniet me Jashtë në PD, Arben Kashahu, dhe ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha


Negociatat me Bashkimin Europian nuk do të hapen në vjeshtën e këtij ashtu siç ishte shpresuar, madje sipas kushteve të saknsionuara nga Parlamenti Europian, ato nuk do të hapen të paktën deri në përfundimin e zgjedhjeve të ardhshme.


Nga 664 vota, rezoluta për Shqipërinë mori 532 vota të anëtarëve të PE, ose 70% të pjesmarrësve. Në 15 pikat e rezolutës 4 prej tyre kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe zbatimin e reformës zgjedhore apo edhe me qëndrimin që duhet të mbajë Gjykata Kushtetuese në lidhje me ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të qershorit të kaluar.


Kashahu
Për Arben Kashahun, Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë në PD, rezoluta e 19 qershorit, është një mesazh i qartë se negociatat nuk do të hapen, për sa kohë që kryeministër është Edi Rama. Në një prononcim për MAPO, Kashahu thotë se gjuha e ashpër me të cilën është formuluar kjo deklaratë tregon se marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në janë tensionuar, pas mohimit që Rama iu bëri 15 kushteve të vendosura që në mars të këtij viti.


Nëse nuk do të plotësohen 15 kushtet atëherë nuk do të organizohet konferenca e parë ndërqeveritare. Dua të them këtu se pas mbledhjes së këshillit në mars dhe vendimit për hapjen e negociatave të Shqipërisë me 15 kushte, kishte ndonjë shpresë. Nëse ishin pesë kushte për t’u zhvilluar konferenca e parë dhe 10 kushte për t’u zhvilluar e dyta, pra 15 në total për t’u hapur kapitujt. Por PE e ka lexuar si 15 kushte për t’u zhvilluar konferenca e parë ndërqeveritare. Por pa u plotësuar këto 15 kushte nuk do të hapen negociatat për Shqipërinë, jo vetëm në mbledhjen e këshillit që do jetë tani së afërmi, por për sa kohë që kryeministër në këtë vend do të jetë Edi Rama. Nuk ka ekuivok është e qartë, është një rekomandim që i bëhet jo vetëm Këshillit Evropian, por edhe disa institucioneve nominale drejtuese të BE-së përpara mbledhjes të Këshillit Evropian. Gjuha e parlamentit evropian në të gjitha rastet, për sa i përket procesit të integrimit ka qenë inkurajuese, por dhe kur janë kritikuese ka qenë goxha e lëmuar. Në këtë rast siç mund ta kuptoni është një gjuhë shumë më e drejtpërdrejtë, shumë më smerile se sa gjuha e zakonshme. Dhe arsyeja pse vjen kjo gjuhë e ashpër është një përgjigje e drejtpërdrejtë dhe e pastër ndaj reagimit të kryeministrit në veçanti në raport me mohimin që iu bënë kushteve”, -thotë Kashahu.

Gjosha
Në të njëjtën linjë është dhe ish-ministrja e Integrimit në qeverinë “Rama 1”, Klajda Gjosha. E pyetur nga MAPO, se çfarë pasojash sjell rezoluta në procesin e Integrimit, Gjosha shprehet se, Shqipëria do ketë rrugë të gjatë përpara, dhe qeveria aktuale është bllokada më e madhe e procesit të integrimit.

Sipas saj pa një ndryshim rrënjësor nuk do të ketë çelje të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

15 kushtet para konferencës së parë do të thotë se Shqipëria ka një rrugëtim të gjatë për çeljen e negociatave. Duket se do të jetë një proces i mundimshëm që kërkon vullnet politik, koordinim perfekt institucional dhe kapacitete njerëzore me një ekspertizë të posaçme. Fatkeqësisht kjo qeveri është bllokada më e madhe e perspektivës europiane të Shqipërisë dhe pa një ndryshim rrënjësor tashmë është e dukshme se nuk do të ketë fillim të procesit të negociatave” – thotë Gjosha.

Këtë qendrim ka dhe Gjergji Vumo nga Instituti për Demokraci dhe ndërmjetësim. Sipas tij, përderisa një nga pikat e rezolutës janë zgjedhjet e lira, atëherë është e qartë se shansi i Shqipërisë për çeljen e negociatave mbetet pas zgjedhjeve të ardhshme.

Në rast se qeveria apo zoti Rama do të shpresonte për hapjen e negociatave brenda vjeshtës, atëherë është e qartë që brenda vjeshtës nuk do mund të bëjmë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, thotë Vumo në një dalje në ABC News.

Rama
Por disi ndryshe ka qenë reagimi i Kryeministrit Rama, i cili shprehet se kushtet janë dhe më shumë se aq, duke e konsideruar këtë si diçka normale për vendet aspirante për Bashkimin Europian. Megjithëse, rezoluta sanksionon se kushtet duhet të plotësohen përpara mbledhjes së parë të Konferencës Ndërqeveritare, Rama në prezantimin e kryenegociatorit për Shqipërinë tha se “Shqiptarët duhet ta dinë, mund të recitohet kënga e kushteve, në fakt me fillimin e këtij procesi, kushtet nuk janë 15 apo 4, janë mijëra dhe nuk e ekzagjeroj fare sepse aq janë faqet e përafrimit të legjislacionit për plotësimin e këtyre kushteve. Është një proces provimi i përditshëm për zbatimin e tyre”.

Në fakt, këto lloj deklaratash bëhen pasi negociatat kanë filluar, si në rastin e negociatave për firmosjen e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, kur Shqipërisë iu ngarkuan një sërë detyrimesh ligjore dhe reforma për t’i zbatuar hap pas hapi deri në vendimin final të vitit 2006.

Negociatat filluan në vitin 2003, nga qeveria Nano dhe përfunduan një vit pas ardhjes së qeverisë Berisha. Por në këtë rast, këto janë parakushte për të hapur negociatat, çka do të thotë se liderët europianë nuk do ulen në tavolinën e bisedimeve pa plotësuar ato që janë shkruar aty.

Kushtet e miratuara nga PE

1- Miratimi i reformës zgjedhore

2- Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese

3- Funksionimi i Gjykatës së Lartë

4- Finalizimi i ngritjes së strukturave kundër krimit të organizuar dhe anti-korrupsionit/Funksionimi i SPAK

5- Forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në bashkëpunim me vendet anëtare dhe nëpërmjet Plan Veprimit për adresimin e krimit financiar

6- Ulje e numrit të azilkërkuesve, ku një nga masat është bashkëpunimi me Holandën, Francën, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Italinë, Irlandën. Vazhdimi i Zbatimit të Planit Ndërinstitucional të Veprimit për parandalimin e azilkërkimit të qytetarëve shqiptarë në vendet e Schengenit

7- Rishikimi i Ligjit të Medias në linjë me rekomandimet e Komisionit të Venecias

8- Vazhdimi i Reformës në Drejtësi

9- Prova të vazhdueshme – Inicimi dhe përfundimi i proceseve gjyqësore të shkallës së parë të zyrtarëve të lartë dhe politikanëve.

10- Progres në reformën e administratës publike.

11- Zbatimi i reformës zgjedhore ku përfshihen, financimi transparent i partive dhe administrimi i paanshëm i procesit dhe procesi i rregullt.

12- Vendimi për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale 2019 që kërkon plotësimin e Gjykatës Kushtetuese.

13- Miratimi i Akteve nënligjore të Ligjit për Pakicat Kombëtare ku janë disa VKM.

14- Miratimi i Ligjit (të amenduar) të Censusit

15- Avancimi i procesit të regjistrimit të pronave


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas