Aktualitet

Rifitimi i dinjitetit të humbur ndaj partnerëve ndërkombëtarë






               Publikuar në : 09:45 - 07/09/19 |
Nga Ndriçim Kulla

Nga Ndriçim Kulla


Zhvillimi i Shqipërisë gjatë këtyre viteve të paskomunizmit, ka pasur mjaft raste kur është takuar me historinë e saj më të rëndësishme. Në këto pikëtakime, ajo ndoshta mund të mos ketë qenë plotësisht e gatshme, në përputhje me kërkesat dhe standardet ndërkombëtare, por të paktën është paraqitur dinjitoze, ndaj edhe ka arritur të fitojë, siç ishte p.sh. rasti i hyrjes në NATO, heqja e vizave apo nisja e marrëveshjes së asocimit me BE. Herë të tjera kemi humbur për arsye të mos-bërjes së detyrave të shtëpisë dhe kjo mund të falet, përderisa edhe strukturat tona shtetërore janë ende të papërvoja ose të pazonja për të tilla detyra e kapacitete. Por ajo që nuk mund të falet e përkundrazi duhet të “damkoset“  si “tragjedi” është mungesa e paraqitjes dinjitoze në pikëtakimet me historinë.

Është pikërisht kjo situata në të cilën gjendet Shqipëria në  këtë fillim vjeshte, në prag të takimeve të rëndësishme të tetorit, për marrjen e statusit të vendit kandidat. Është thënë shpeshherë përgjatë debateve të analistëve të  shumtë përpara zgjedhjeve të 30 Qershorit, se ato do të ishin një vijë ndarëse e historisë sonë, e se Shqipëria s’do të ishte e njëjta pas zhvillimit të tyre. Ngjarjet e këtyre muajve më pas treguan se situata shkoi për keq. Përkarshi njerëzve dhe popullit, dinjiteti i demokracisë shqiptare është në pikën e saj më të ulët, me zgjedhje që në shumicën e qyteteve kanë dhënë si produkt përfaqësues të njëanshëm dhe ngandonjëherë dhe të pabesueshëm moralisht dhe ligjërisht.

Akoma dhe më i përlyer u shfaq dinjiteti i shtetit tonë në organizimin e këtyre zgjedhjeve, sipas raportit përfundimtar  të dhënë nga OSBE-ODHIR. Për fat të keq Shqipëria nuk është më siç ishte përpara 30 Qershorit, me zgjedhje vërtet jo në standardet europiane, por të paktën çdo herë e më mirë, çdo herë e duke u ngjitur kah tyre. Tashmë ajo ka rrëshqitur thellë në vite, duke humbur shumë nga fytyra e saj dhe nga ai sadopak dinjitet  i treguar karshi Europës. Asgjë nuk mund të bëhej ndryshe, mund të thotë dikush, pas veprimit radikal të opozitës. Mirëpo, çdo  veprimi  radikal nëse i përgjigjet me akoma dhe më shumë radikalitet, siç ndodhi me këto zgjedhje, rezultati që do të presësh, nuk mund të mos jetë radikal, siç është p.sh. ky raport që sapo morëm.

Urtësia dhe përgjegjshmëria, duket se nuk e ndalën dot këtë shkak-pasojë radikaliteti. Ai tashmë përfshiu dhe qëndrimin e partnerëve ndaj nesh, ndaj duhet të kuptojmë se kemi mbërritur në zgrip, ndaj duhet ta ngjyrosim vetëm me ngjyra të zeza fytyrën me të cilën do të na duhet të dalim e të bisedojmë me ta. Nëse nuk e ndalim përgjatë këtyre muajve zhvillimin e këtij “zinxhiri” radikaliteti, Shqipëria nuk do të humbasë një pikë takimi me historinë, siç ka ndodhur këto vite. Përkundrazi, do të humbasë atë që ka më të çmuar, më të shtrenjtë, dinjitetin përballë partnerëve. Nuk është fjala vetëm për përfitimet që do të kishim nëse arrijmë të fitojmë statusin e vendit kandidat. Përfitime konkrete dhe strategjike, ekonomike dhe strukturore, shumë të mëdha e oksigjen-dhënëse për çdo pjesë të shtetit dhe ekonomisë.

Ndoshta ne  vërtet s’kemi bërë hapa të mëdhenj konkretë në reformën në drejtësi, por një dinjitet qëndrimi ndaj saj duhet  ta rinovojmë, ta pohojmë qartësisht dhe vendosmërisht, në bllok, pozitë dhe opozitë, se kështu, do t’i jepnin forcë dhe imazh edhe dinjitetit tonë në angazhimet ndaj BE dhe partnerëve. Vërtet, ne e përdhosëm dinjitetin shtetëror për organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, por një rinovim nga të dyja palët e politikës, mazhorancë dhe opozitë, i qëndrimit pa maska e truke, por i hapur dhe i palëkundur, për  rifitimin e këtij dinjiteti, sa më shpejt që të jetë e mundur, në organizimin e zgjedhjeve vërtet të lira e të ndershme, do të qe e vetmja zgjidhje e problemeve tona të mëdha në krijimin e një uniteti të brendshëm.

Askush nuk mund ta marrë seriozisht një vend ku radikalja është  vepër e orës, e ditës e muajit etj. Ka gjithmonë momente ku radikalja nevojitet, për një zgjidhje problemi dhe në një kohë të caktuar, por ajo s’mund të vazhdojë pa fund, përndryshe kthehet kundër-produktive, përndryshe do të jetë e vështirë me kalimin e kohës t’i bindësh partnerët se këta dinë të sillen ndryshe kur të vijnë në pushtet. Po njëlloj, asnjë qeverie nuk mund t’i interesojë radikaliteti, ai do ta vrasë si një helm me veprim të ngadaltë çdo qelizë të saj ekonomike e sociale, duke hapur përveç gropave të mëdha financiare ( siç dhe ka ndodhur e do të ndodhë akoma dhe më shpesh në muajt e ardhshëm), por më e rrezikshmja do të jetë ai hendek social e njerëzor që do të rritet dita-ditës, e që më vonë mund të bëhet i pandreqshëm.

Së fundi, ne duhet të rinovojmë edhe një herë si vend, si shoqëri e si sistem, qëndrimin unik dhe kohor, se duam vërtet të vihemi në “shinat e ngushta” të rregullave e standardeve sidomos ligjorë dhe ekonomikë, ku ecin shtetet perëndimore. Me këtë sistem kaq të dyshimtë investimesh, ku ngërthehen interesa oligarkësh dhe PPP, e me këtë shkallë kaq të lartë mungese besimi dhe mbështetje ndaj kartës morale të opozitës, ne do ta kemi të vështirë t’i mveshim një fytyrë të ndershme dhe të pastër dinjitetit tonë shtetëror. Janë tre aspekte që përpara tetorit duhet t’i ripohojmë detyrimisht, qartësisht dhe në mënyrë konkrete, nëse duam që të mos humbasim edhe konsiderimin dinjitoz nga ana e partnerëve, se po humbëm një gjë të tillë, atëherë do të jetë vërtet një tragjedi.


Etiketa: , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas