“Duam ngrohëse”, “Pa ngrohje nuk ka vota”…me këto pankarta e rinisën mësimin nxënësit e shkollës “Europa” në Bradashesh të Elbasanit. Ndërsa dhjetra fëmijë të tjerë në një tjetër shkollë në Elbasan u evakuuan me kamion pasi ishte përmbytur oborri i shkollës. Dita e hënë e 11 janarit duhet të ishte një ditë feste për ta me rihapjen e shkollave pas pushimeve të gjata dimërore që më 23 dhjetor, por për fat të keq shkollat në Shqipëri nuk ofrojnë akoma kushtet minimale për të zhvilluar mësimin.
Rreth 430 nxënës të shkollës 9-vjeçare “Europa” në Bradashesh vendosën që të bojkotojnë mësimin për shkak të kushteve të vështira të klasave, ku dimri ndihet njësoj si jashtë, dhe brenda. Atyre u mungon ngrohja në klasa dhe prindërit e fëmijët kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë të këtij problemi. Prindërit shprehen se janë të detyruar t’i veshin fëmijët e tyre sa më trashë kur shkojnë në shkollën “Europa”, që në mënyrë paradoksale vetëm emrin ka të tillë pasi nuk ka asgjë europiane në të.
“Mbajmë ndonjë rezistencë, por edhe ajo nuk ngroh, ka raste që bie edhe automati. Nuk shkruajmë dot në shkollë të veshur kaq trash, e gjithë shkolla nuk ka ngrohëse.”- shprehen nxënësit për mediat.Prindërit e tyre shprehen se bashkia më parë u kishte premtuar të vendosje kaldaja, por ky premtim nuk është mbajtur. Ata paralajmërojnë se “s’ka vota pa ngrohëse”.
Po nga qyteti i Elbasanit vijnë dhe pamjet e fëmijëve që evakuuohen nga shkolla me një kamion pasi oborri është kthyer në liqen nga shirat e ditëve të fundit. Abc neës raporton se dy shkolla në qarkun e Elbasanit nuk janë hapur sot për të mirëpritur nxënësit pasi ato janë konsideruar si të pasigurta dhe me rrezik. Përmes një komunikate zyrtare Shtabi i Emergjencave Civile në Elbasan bën me dije se për arsye sigurie është urdhëruar mbyllja e tyre.
Përkatësisht bëhet fjalë për një shkollë në Njësinë Administrative Labinot Fushë që nuk zhvillon mësim pasi ka dëmtime të çatisë e për rrjedhojë futet uji brenda. Shkolla tjetër është në Njësinë Kushove, Gramsh pasi prurjet e shumta të përroit përbëjnë rrezik për kalimin në shkollë.