Kryesore, Politika

Rihapet konflikti Rama- Meta

Presidenti Ilir Meta rendit shkeljet ligjore për tenderin e “Unazës së Re” duke e konsideruar si “tender fiktiv” dhe i kërkon qeverisë të anulojë çdo iniciativë për vijimin e punimeve, deri sa të shprehet drejtësia. Rama e konsideron Metën si “opozitarin më serioz” që ul vartësit të mbushin çarçafë me dokrra ‘ligjore’ dhe budallallëkut i del zot gjithnjë shkresërisht. Unaza e Re rikthen përplasjen personale dhe institucionale president-kryeministër.


Nga Sebi Alla

Takimi i fundit, mes Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Ilir Meta, i ftohtë dhe rutinë për shkak se ashtu e thotë Kushtetuta, ndodhi më 22 janar, në momentin kur Rama u betua edhe si Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, por akulli mes tyre është thyer dje, që paralajmëron një debat të nxehtë institucional dhe personal. Kreu i shtetit Ilir Meta priti në zyrën e tij një përfaqësi të banorëve të Unazës së Re dhe menjëherë pas largimit të tyre, reagoi publikisht me një njoftim për shtyp, duke e konsideruar tenderin e Unazës së Re si aferë të dyshimtë korruptive dhe një tender me shumë probleme që duhet anuluar dhe pritur hetimet e prokurorisë. Qëndrimi i kreut të shtetit riktheu kundërpërgjigjen e përflaktë të kryeministrit, që e cilësoi presidentin si drejtues i denjë i opozitës. Përveç debateve në distancë, Meta argumentoi të gjitha arsyet ligjore që sipas tij e bëjnë tenderin e Unazës së Re antiligjor dhe duhet të anulohet në të tria lotet e saj. Për kreun e shtetit, nga verifikimi i të gjitha praktikave të kryera konstatohen paligjshmëri ekstreme dhe keqfunksionim i institucioneve shtetërore në këtë çështje, ndaj duhen shfuqizuar procedurat mbi përjashtimin e objekteve nga procesi i legalizimit, prishja e ndërtimeve ekzistuese apo gjoba kundrejt banorëve. Çështja e tenderit të Unazës së Re pas zbulimit të skandalit të falsifikimeve nga mediat ishin një telash i shtuar për qeverinë, në momentin e saj të vështirë, si pasojë e protestave të studentëve. Edhe pse nuk u pranua zyrtarisht, një nga arsyet kryesore të shkarkimit të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjetikës Damian Gjiknuri ishte pikërisht shpërthimi i këtij skandali. Gjithashtu, presioni i banorëve të zonës që prekeshin nga projekti pasi u shembeshin banesat, ishte një shtysë më shumë për të patur vëmendjen e strukturave shtetërore. Fillimisht qeveria u mundua ta “mbyste” zërin e protestës, duke ofruar bonuse qiraje apo shpërblim për banesat me dokumente, por vetëm dy muaj pas nisjes së protestës, zbulohet skandali i madh, ku në njërin lot të ndërtimit, kompania “DH Albania” që përfitonte 18 milionë euro, rezultoi se kishte falsifikuar dokumentacionin. Shpërthimi i këtij skandali vuri në vështirësi kryeministrin dhe në momentin që po tentohej që kjo çështje të sfumohej, debatin e riktheu kreu i shtetit Ilir Meta. Përveç diskutimit ligjor dhe procedural, mes “Unazës së Re” është përplasja politike dhe kredo që mund të përfitohet në këtë rast. Edhe pse Ilir Meta në rolin e Presidentit të vendit nuk ka atribut vendimmarrës, sugjerimet që parashtron garantojnë përplasjen edhe institucionale, krahas asaj personale me Ramën. Marrëdhëniet mes tyre përfunduan në krisje të fortë në momentin që presidenti nuk dekretoi për ministër të Jashtëm kandidaturën e Gent Cakajt. Lëvizja taktike e kryeministrit, duke propozuar veten edhe për postin e Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme dhe pas dekretimit kompetencat ia kaloi Cakajt, i sollën palët në llogoret e mëparshme dhe tashmë ka nisur “beteja” e re mes tyre.

Meta jep arsyet, tenderi duhet ndalur

Në çdo procedurë të tenderit të Unazës së Re, në një total prej 40 milionë eurosh për 2.1 kilometra dhe më pas edhe trajtimi i banorëve që preken nga zhvillimi i projektit, u konsideruan nga kreu i shtetit si shkelje ligjore dhe proces të trukuar konkurrimi. “U faktua publikisht se konkurrimi në të tria pjesët e rrugës ishte fiktiv; në çdo lot konkurruan dy kompani, ku e njëjta kompani në të tria lotet ka dhënë ofertë ekonomike me vlerë zero! Kjo provon qartazi realizimin e një procesi tenderimi të trukuar”, konstaton institucioni i Presidentit. Meta është ndalur specifikisht në thelbin e problemit, që detyroi qeverinë të anulonte njërin lot të projektit dhe që lidhet pikërisht me dokumentet e falsifikuara të kompanisë “DH Albania”, duke shtrirë rrjetin e abuzimit deri në Amerikë. “Një nga kompanitë fituese të tenderit (DH Albania) doli një kompani me një historik fiktiv dhe me dokumente të falsifikuara, pas konfirmimit publik të fakteve të falsifikuara nga autoritetet Amerikane. Vendimi i qeverisë për të rihapur tenderin e kësaj vepre, pas denoncimeve publike, vlerësohet si një veprim i nxituar dhe aspak objektiv, sepse, Prokuroria është duke kryer hetime në këtë çështje”, -tha presidenti. Për të, ky projekt i dhuruar, pa garë dhe i pakonsultuar me publikun nuk reflekton shqetësimet dhe interesat e komunitetit dhe gjithë palëve të interesuara, duke qenë se nuk parashikon objektivisht përllogaritjen e kostove që burojnë nga problemet sociale dhe ekonomike që krijohen nga shembja e banesave, pronës së qytetarëve, si dhe nga proceset gjyqësore që mund të lindin si pasojë e gjithë veprimeve arbitrare të administratës publike në këtë drejtim. “Këshilli i Ministrave dhe Këshilli Kombëtar i Territorit duhet të anulojnë menjëherë projektin për “Rehabilitimin e segmentit rrugor mbikalimi i Pallatit me Shigjeta – Rrethrrotullimi i sheshit “Shqiponja”, që pretendohet të zbatohet, i cili është miratuar me Vendim nr. 1, datë 20.11.2018 të KKT-së”, sugjeron kreu i shtetit.

Rama: I dole zot budallallëkut…

Pa u tharë ende “boja” e njoftimit për shtyp të presidencës, kryeministri Edi Rama e konsideroi me ironi Ilir Metën si drejtuesin më serioz të opozitës. “E vërteta është se IM (shënim, Ilir Meta), është drejtuesi më serioz i opozitës. Kushtetutën e lexon njësoj si ata. Qeverinë e urren njësoj si ata. Rrëmujën e uron njësoj si ata. Po ndryshe nga ata, ai i ul vartësit të mbushin çarçafë me dokrra ‘ligjore’ dhe budallallëkut i del zot gjithnjë shkresërisht”, shkruan kreu i qeverisë në rrjetin social. Sikurse është bërë zakon në përplasjen mes tyre, nuk munguan as kundërreplikat që këtë herë erdhën nga zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi. Në një reagim për mediat në përgjigje të akuzave të kryeministrit zëdhënësi i presidentit thotë se reagimi i Ramës ishte aspak serioz. Pasi paraqet vlerat e tenderit të Unazës së Re ngre pyetjen për kreun e qeverisë. “A ka kërkuar sipas rregullave të prokurimit publik qeveria dhe ARRSH konfiskimin e kësaj vlere (sigurimin e kontratës) për llogari të Shtetit Shqiptar, pasi u faktua se kontratën e kishin lidhur me një kompani fantazmë? A ka mundur shteti të garantojë interesin publik në këtë rast, duke konfiskuar sigurimin e kontratës, apo edhe ky dokument (sigurimi i kontratës) ka qenë i falsifikuar?! Këto dhe shumë detyra të tjera, ligji ia ngarkon Kryeministrit dhe vartësve të tij që t’i bëjnë”, shkruan Blushi, ndërsa i kujton edhe një shprehje popullore: “Shtëpia me tjegulla dhe shteti me rregulla”, që më shumë tenton të argumentojë se Meta po vepron si shtetar. Për të shtuar edhe më shumë zjarrin e ngjizur, pati edhe një qëndrim nga ministrja për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali. Përmes një postimi në Twitter, Spiropali shkruan se Presidenca do ta vuajë dështimin njësoj si PD dhe LSI. “Jo veç në mllef dhe në dëshirën për rrëmujë, po edhe në zëdhënie Presidenca është e ngjashme si pikat e ujit me simotrën PD dhe siguruan LSI! Po çarçafët e katranit me bojë i ka më të gjatë dhe padurimin për protestë më të dukshëm. Ah po, edhe dështimin e radhës njësoj do ta vuajnë!”, shkruan ajo.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas