Mapo Letrare

Rikard Ljarja, jetë artisti





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 15:54 - 04/07/20 |
Nga Xhahid Bushati

-Jetë që duhet falënderuar!-


Në kujtim të Artistit, Mjeshtrit Rikard Ljarja (01.04.1943 – 20.04.2020)
1.


Nuk më besohet ende, se Rikard Ljarja është larguar nga kjo botë. Se ka shkuar në amshim. Ngaqë nuk më besohet, më ngjan sikur e pres… e ai po vjen… me hapin e tij të lehtë si një poezi e ngrohtë me tingull muzikor, me të qeshurën e tij që çel trëndafilat e vjollcat, me sytë që i shndrisin si yjet e një qielli të ëmbël nate, të një qielli shkodran. E pres të pimë një kafe në lokalin e mikut të tij të ngushtë, Sadi Bakut. Sadiu, edhe sot, kur përmend Rikardin, i dridhet buza, sytë dhe zëri i përlotet, kujtimet herë pas here i kthehen në mall e lot.


E pres Rikardin si një mall i pashteruar për Shkodrën e tij të dashtun.
2.
Rikard Ljarja u takon atyre artistëve, që janë si gurët e rrallë, që shndrisin e rrezatojnë: në skenën e teatrit, në celuloidin e filmit, në jetë e përditshme, në jetën e gjithmonshme.


E njoha si një qytetar i mirë shkodran, si një intelektual i kulturuar, shpirtmadh e humanist. Rikardi ishte dhe historian. I njihte mirë ngjarjet dhe historitë e Shkodrës. Rikardi ishte dhe enciklopedist. Të fliste me detaje për shumë pemë gjenealogjike të familjeve shkodrane. Tregonte… dhe i rrëfente bukur, plot ngjyra, frazeologji e dashni. Dhe mua më dukej se çdo derë shkodrane hapej për Rikardin, si për një mik kaherë të njohur, të dashtun e buzagaz.
Dimensioni i lirisë ishte i gjithëpushtetshëm te Rikardi: në mendësi, arsyetim, dialog, argument. Po e tillë ishte dhe kultura. Si e para ashtu edhe e dyta, kishin një autor, që quhej Karlo Ljarja, i ati i Rikardit. Zotni Karlon e ditur e pata njohur, kur punonte në Bibliotekën e Shkodrës. Në atë Bibliotekë, në rrjedhën e viteve, kishin punuar njerëz të ditur, si: Esat Myftia, Izet Bebeziqi, Karlo Ljarja, Sandër Gera, Tef Krroqi, Teufik Gjyli, me kontribute: në letërsi e filologji, studime, përkthime, në zotërimin e gjuhëve të huaja, në fushën e aktrimit etj.

Zotni Karloja ishte njëri prej atyre të diturve. E kujtoj, si tani: me sytë e tij shprehës si qiell i pastër, me atë bardhësinë e flokëve si nur, që ngjante si mit dalë nga legjendat, ishte model i një kulture gjermane. E kishte udhërrëfyese at’ kulturë. E gjitha kjo pasuri e çmueshme, përveç të tjerave ia trashëgoi genetikisht të birit, Rikardit, i cili gjatë gjithë jetës së tij e deri në frymën e fundit, e mbajti dhe ruajti si pasaportë fisnike; e zhvilloi dhe iu fal asaj si shenjtëri.
3.
Rikard Ljarja, aktroi në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës për afro 8 vjet, duke na dhuruar afro 20 role, pa përmendur ato shfaqje ku ishte regjisor e as/regjisor. Po përmend: – “Si u kalit çeliku”, 20.06.1966, roli: Serjozha Pizhek (dublant me aktorin Elez Kadria. Kjo është shfaqja e fundit që vë në skenë regjisori Esat Oktrova, ku është dhe autori dramatizues); – “Cuca që koriti malet”, 11.09.1966, roli: Hetuesi; – “I pesti u kap gjallë”, 27.11.1966, roli: Marashi (është dhe as/regjisor).; – “Fisheku në pajë”, 29.07.1967, roli: Frani (dublant me aktorin Rrok Rrotanin); “Ngjarje në fabrikë”, 13.08.1968, roli: Jashari (është dhe as/regjisor); – “Drita”, 13.10.1968, roli: Petriti (dublant me aktorin Elez Kadria); – “Ditari i një mësuesi”, 09.02.1969, roli: Sadiku (është dhe as/regjisor); – “Lagjja e varfën”, 10.07.1969, roli: Sazani; – “Galeria”, 11.09.1969, roli: Andrea, (dublant me aktorin Nefail Piraniqin; është dhe regjisor); – “Sinjalet e natës”, 30.04.1970, roli: Gjergji; – “Toka jonë”, 11.11.1970, roli: Leka; – “Mbi gërmadha”, 29.04.1971, roli: Shpendi; – “Krisma mbi dekor”, 10.07.1971, roli: Besniku (dublant me aktorin Tonin Ujka); – “Viti ‘61”, 25.11.1971, roli: Petriti; – “Ëndrra e tokës”, 20.12.1972, roli: Mari (dublant me aktorin Fran Vukaj); – “Katër nga armata”, 19.03.1973, roli: Gjini (është dhe regjisor); – “Koncert dramatik”, 29.03.1973; – “Cuca e maleve”, 19.05.1973, roli: Hetuesi; – “Shën Gjon Kryepremi”, 24.04.2009, roli: Gjoni.
Tri interpretime (skedë)
-Ishte në moshë fare të re, kur interpretoi rolin e Hetuesit te drama “Cuca që koriti malet”. Më vonë, përsëri në rolin e Hetuesit, po, te drama “Cuca e maleve” (variant i shkurtuar i titullit të dramës).

Në këtë dramë ishte dhe një skenë, ku ishin përballë njëri-tjetrit: Rikard Ljarja (hetues) dhe Preng Lëkunda (personazh negativ). Në këtë përballje, si interpretim dhe pohimin artistik triumfonte Prenga. Ngaqë duhej rregulluar ky raport, nga këshilli artistik dhe nga disa autoritete të asaj kohe u shfaq mendimi se për të balancuar këtë raport duhet të bëheshin disa prova gjenerale. Dhe ashtu u bë. Aktori Lëkunda e zbuti forcën dhe epërsinë gjatë interpretimit. U krijua ekuilibri i pranueshëm. Por ata që e ngritën këtë problem, nuk thanë asnjë fjalë për figurën e Hetuesit që krijoi aktori Ljarja. Figura e Hetuesit, ishte parë në perceptimin e Rikardit si një tipologji e një hetuesi njerëzor me të vërteta njerëzore, humane e jetësore, të cilat reflektonin brenda shpirtit dhe botës së një Hetuesi, ku përlesheshin: e drejta dhe jo e drejta, e vërteta dhe jo e vërteta.

-Rikardi do të ishte 27 vjeç, kur do të interpretonte rolin e Lekës në dramën “Toka jonë” të K. Jakovës. E gdhendi atë rol! Dha një Lekë me një botë të pasur shpirtërore e mentalitet të caktuar dramatik. Gjatë interpretimit krijoi kaq shumë dritëhije, të cilat reflektuan në marrëdhënie si me Lokën, ashtu edhe me Murrash Gjokën.
-Rikardi do të ishte 28 vjeç, kur do të interpretonte rolin e Petritit në dramën “Viti ‘61” të F. Paçramit. Petriti-Rikard përfaqësonte intelektualin, ku mendimet e tij rrezatonin progresivitet. Veçanërisht, dialogët me aktoren Donika Franja janë nga më të bukurat dhe më mbresëlënëse të dramës, që u vu në skenë me mjeshtëri dhe kulturë nga regjisori Serafin Fanko.
4.
Rikardi ishte dhe aktor filmi. Ndoshta është kapitulli më i rëndësishëm i jetës së tij artistike. U dha jetë figurave si të: Vasilit, Mjekut, xha Telit, Andreas, Lukës, Dedës, Naimit, Dritan Shkabës etj. Në tipologjinë e tyre janë të papërsëritshme. Sepse Rikardi, kësaj here si aktor filmi, ruajti në thelbin e çdo personazhi dramën, parafytyrën dhe imazhin e aktorit skenik, aty, ku filloi së pari jetën e tij prej artisti. Një aktor i besueshëm dhe i vërtetë. Një aktor mahnitës dhe i paharruar.
5.
Rikard Ljarja ishte shkrimtar dhe skenarist. Emrin e tij e mbajnë këto vepra: – “Kur happen dyert e jetës” (skenar për film me metrazh të gjatë), – “Ura dhe kështjella” (skenar), – “Pesha e kohës” (skenar me metrazh të gjatë), – “Në një humbëtirë këtej rrotull” (roman), – “Kohë qensh etj.” (proza të gjata), – “Tymi. Kronikë bardhezi” (proza të gjata), – “Josifopedia” (roman), – “9 të shkurtra” (prozë), – “Prill” (triptik).
Duke iu referuar krijimtarisë artistike, vërejmë se, nga mënyra se si janë konceptuar dhe ndërtuar ngjarjet, arkitektura dhe kompozicioni, vizatimi i personazheve, narrativa dhe rrëfimi etj., njëherësh na kujtojnë imazhet e një filmi. Mendojmë se kjo është veçoria kryesore e individualitetit artistik të autorit, sidomos në prozën e shkurtër dhe në atë të gjatë. Kujtojmë romanin “Josifopedia”. Një vepër e ndërtuar mbi bazën e tipologjisë së personazhit të suksesit dhe venitjes së tij. Josifopedia është produkt i një realiteti dramatik dhe të egër. Nga mënyra se si është strukturuar vepra, si rrëfehen ngjarjet, vizatimi me imtësi i personazheve… etj., e bëjnë romanin të një natyre kulturologjike. Ndërsa i një natyre tjetër është libri me proza të shkurtra i titulluar “9 të shkurtra”. Me një spikamë kulture, shfaqen dukshëm përdorimi i dendur e plot efikasitet i fjalive njëkryegjymtyrëshe, të cilat ruajnë dendësinë proverbiale të mendimit dhe forcën e emocionit. Ruajnë edhe: ngjyrën, tonin. I japin hapësirë dhe rrjedhë të mëtejshme fabulës së tregimit të shkurtër. Në këtë libër autori Ljarja këtë tipar na e paraqet si marrëdhënie komunikimi, i cili mbart dhe ka rol të drejtpërdrejtë. Sepse i tillë ishte dhe Rikardi në jetë, në skenë dhe në film: I drejtpërdrejtë, i kulturuar, i ndershëm dhe pa zhigla.
6.
Rikard Ljarja deri në frymën e fundit ishte një këngëtar dashuronjës i Shkodrës, që e kishte në zemër e për zemër.
Rikard Ljarja ishte një melodi e pakëputur e Vendlindjes së tij. Fjala, zëri dhe fryma e tij ishin refren i qytetit ku lindi. Ndaj e dashuroi dhe e përjetësoi aq shumë Shkodrën sa i la vend meritor edhe në amanetin e fundit: “Dua të prehem në Shkodër, në dheun e qytetit tim! Dua ta puth atë përjetësisht, e përjetësisht të ëndërroj pranë tij.”
Të tilla amanete lënë njerëzit e ditur e të famshëm. I tillë ishte dhe Rikard Ljarja, një Jetë Artisti.

Shkodër, korrik, 2020.


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas