Reshjet e dendura mbulojnë harkun e Bërdicës dhe përmbytin disa zona në Shkodër. Shefi i Emergjencave Civile: Kemi njoftuar drejtuesit vendorë që të marrin masa
Shkodër Reshjet e dendura të ditës së djeshme rikthejnë emergjencën e vitit 2011 në qarkun e Shkodrës. Brenda pak orësh, uji mbuloi harkun e Bërdicës, i kthyer prej vitesh në barometrin e përmbytjeve në këtë zonë. Burime nga shtabi i Emergjencës bënë me dije se në orët e vona të mbrëmjes filluan evakuimet në disa zona, ndërsa situata pritet të rëndohet gjatë ditës së djeshme. Situata është rënduar edhe nga shtimi i sasisë së ujit që derdhej mbrëmë në hidrocentrale, që arriti 700 m3 për sekondë. Reshjet kanë rritur prurjet në liqenet e hidrocentraleve mbi lumin Drin dhe nivelin e ujit në lumenjtë Drin e Buna. Shefi i Emergjencave Civile në Shkodër, Pëllumb Dani, bëri të ditur se portat e shkarkimit në hidrocentralin e Vaut të Dejës janë hapur rreth orës 08:30 të mëngjesit dhe menjëherë janë njoftuar kryetarët e komunave për situatën. Në një prononcim për mediat, Dani theksoi se Emergjencat Civile janë në gatishmëri për çdo përkeqësim të mundshëm të situatës, duke siguruar banorët se momentalisht nuk ka asnjë rrezik për përmbytjen e banesave të tyre. Sipas tij, situata nuk është shqetësuese dhe pse ka akomodim ujërash në disa zona. Burime nga prefektura e qarkut Shkodër bëjnë të ditur se shërbimet emergjente në bashkëpunim me prefekten, kryetarin e qarkut si dhe drejtoritë përkatëse po monitorojnë situatën nga ora në orë, sidomos në zonën e Nënshkodrës. Në komunën Ana e Malit janë 600 ha toke bujqësore nën ujë. Zona më problematike është fshati i Goricës, pasi rruga që të çon në këtë fshat është bllokuar nga uji, ndërsa nën ujë gjenden pothuajse të gjitha tokat bujqësore. Ky fakt bëhet i ditur nga kryekomunari i Anës së Malit, Xhevat Mollca, që, sipas tij, probleme kanë nisur të shfaqen edhe në fshatin e Obotit, si dhe në fushën e Muriqanit, ku toka bujqësore është nën ujë. Niveli i Drinit ka ardhur duke u rritur për shkak të shkarkimeve nga HEC Vau Dejës dhe Koman. Kjo shihet dhe me sy të lirë pranë urës së Bahçallëkut. Problemet e para janë në komunën Ana e Malit, ku uji ka dalë nga shtrati i lumit Buna. Probleme janë shfaqur edhe në komunën e Bërdicës, në tokat e Trushit të Poshtëm, si dhe pranë urës së Gjo Lulit. Po kështu, zona te fshati i ri në Bushat ka prani të konsiderueshme uji. Reshjet e shiut kanë sjellë problem dhe në rrethin e Pukës dhe atë të Malësisë së Madhe. Në lagjen Culaj në Koplik dhe në fshatin Gruemirë ka gërryerje dheu dhe rrëshqitje toke, duke rrezikuar banesa. Shaqir Hasmujaj, banor në këtë lagje, shprehet se shirat kanë sjellë rrëshqitje toke dhe shtëpia e tij është bërë e pa banueshme. Po kështu, linja e tensionit të lartë, 6000 kilovolt, që kalonte mbi banesën e tij, është dëmtuar dhe rrezikon të krijojë problem dhe me jetë njerëzish. Mësohet se punonjësit e KESh-it po ndërhyjnë të spostohet kjo linjë.
Shirat dhe rrëshqitjet, problem për qarkullimin
Moti i keq dhe shirat e rrëmbyeshëm, që përfshinë ditën e enjte zonën e Gjirokastrës, kanë shkaktuar probleme për lëvizjen e automjeteve. Si shkak i rrëshqitjes së dheut probleme janë regjistruar jo vetëm në disa rrugë rurale të Qarkut, por edhe në segmentet e rrugëve kombëtare. Sipas burimeve zyrtare në Komisariatin e Trafikut Rrugor, rrëshqitjet e dherave kanë shkaktuar probleme për automjetet që qarkullonin në rrugën kombëtare Këlcyrë-Përmet. “Është dashur ndërhyrja e makinerive të rënda për largimin e baltës dhe dherave nga disa pjesë të rrugës, çka ka rikthyer në normalitet edhe lëvizjen e makinave në këtë segment”,- thonë specialistët e qarkullimit rrugor. Vështirësi si shkak i rrëshqitjes së masiveve të dheut ka pasur edhe në disa rrugë rurale kryesisht në zonat malore të Qarkut. Nisur nga situata e krijuar, mesditën e së enjtes Qarkullimi Rrugor në Gjirokastër ka kërkuar nga drejtuesit e mjeteve që të tregohen të kujdesshëm gjatë lëvizjes në rrugët me probleme erozioni, me qëllim shmangien e aksidenteve automobilistikë. Bledi Shehu
Përmbytet Novosela, zhvendosen 50 familje
Del nga shtrati lumi Vjosë në zonën e Novoselës, duke shkaktuar panik te banorët. Rreth 50 familje janë evakuuar, ndërkohë që drejtues të emergjencave civile thonë se orët më problematike do të jenë ato të mëngjesit të sotëm. Ndërkohë, probleme ka pasur edhe në qytetin e Vlorës, ku ashtu si edhe herë të tjerë, si pasojë e reshjeve të shiut janë përmbytur rrugët kryesore apo në brendësi të lagjeve. Probleme ka edhe në portin e Vlorës, ku mësohet se është pezulluar dalja në det e të gjitha anijeve tregtare dhe peshkarexhave, si pasojë e erës së fortë dhe forcës së dallgëve, që në det të hapur kanë arritur në 7-8 ballë. Në portin e Vlorës si pasojë e erës së fortë është pezulluar përkohësisht linja e trageteve Vlorë-Bari, ndërsa në një pjesë të qytetit ka pasur dhe shkëputje të energjisë elektrike.
Rrufeja godet për vdekje 50-vjeçarin
Lushnje Rrufeja i merr jetën një 50-vjeçari, duke e goditur në shtëpinë e tij. Jorgji Goga, 50-vjeç, nga Lushnja, humbi jetën si pasojë e motit të keq. Banesa e Gogës u godit nga rrufeja. Goga ndodhej vetëm në banesë, në momentin e stuhisë. Nga të dhënat e para dyshohet se rrufeja ka shkarkuar në shtëpinë e 50-vjeçarit përmes tubit të sobës së zjarrit që ai përdorte për ngrohje. Kanë qenë të afërmit ata që gjetën të vdekur Gogën dhe lajmëruan policinë. Nga hetimet e para rezultoi se viktima kishte shenja djegieje në trup, të cilat dyshohet se i janë shkaktuar nga goditja e rrufesë.