Fëmijët e brezit të viteve ‘80-të b mbajnë mend shumë mirë personazhin aq të dashur të “Pinokut shqiptar”, të Teatrit të Kukullave, i cili shfaqej sa herë edhe në televizor të dielave paradite. Me siguri shumë nga fëmijët e atyre viteve nuk e kanë harruar atë, por në fakt aktoren e këtij roli, Eva Pëllumbin pak veta e kujtojnë.
Për rreth 28 vite aktorja ka jetuar jashtë vendit, ndërsa së fundi ajo është rikthyer në vendin tonë. Pasditen e së mërkurës, aktorja ishte e ftuar në “Ftesë në 5”, të Bieta Sulos, në “TCH”, ku ka treguar për karrierën e saj në skenën e ekranin shqiptar dhe botën e kinematografisë, si dhe jetën e saj gjatë viteve të fundit jashtë Shqipërisë.
Eva Pëllumbi e ka filluar aktivitetin e saj në skenë në moshë të vogël në pallatin e “Pionierëve” në Tiranë. Në moshën 17-vjeçare ishte pjesë e skenës së Estradës, ku në krah të zonjës Anita Take, debutoi me shumë sukses si imitatorja e parë e skenës shqiptare.
Më tej, në Teatrin e Kukullave u dha frymë roleve të shumta, ndër të cilët është për t’u përmendur roli i pavdekshëm i “Pinokut”, i cili ka mbetur në mendje e të gjithë fëmijëve të viteve ’80-’90, mbase edhe e prindërve të tyre.
Njëkohësisht, aktorja ka pasur edhe role në filmin artistik “Vajzat me kordele të kuqe”, ku ka shfaqur edhe njëherë talentin e madh si imitatore, në filmin “Ëndërr për një karrige” etj.
Paralelisht, ajo punoi për vite me radhë në Kinostudio dhe u dha zërin e saj qindrave karaktereve të filmit vizatimor, ndër to zërin e “Çufos”, “Papagallit” në filmin vizatimor “Dy Gostitë“, “mama dhisë dhe kecave” e shumë e shumë të tjerë.
Ajo u largua nga Shqipëria në vitet ’90-të, ndërsa deri para pak kohësh jetoi në Veri të Gjermanisë, me familjen e saj.