Pas katër muajsh ndërprerje për shkak të pandemisë COVID-19, transporti publik në Tiranë është rikthyer ditën e sotme.
Kushtet janë të reja dhe në përputhje me situatën epidemike që po kalon vendi, njësoj si çdo shtet tjetër i botës.
Ndërgjegjësimi i qytetarëve vihet re në çdo urban dhe në çdo stacion. Ata janë të pajisur me maska dhe ruajnë distancimin fizik.
Fakti që urbanët qëndruan pezull dhe nuk e nisën punën ditën që Ministria e Shëndetësisë e përcaktoi, kishte të bënte me pikat e protokollit anti covid, konkretisht kishte të bënte me gjobat që duhet të merrnin punonjësit e transportit nëse në mjete kishte persona që nuk vendosnin maska apo nuk ruanin distancën.
Pas më shumë se dy javë protestash, Bashkia e Tiranës arriti dakordësinë me shoqatën e transportit qytetas për të paktën një pikë.
Në rast të shkeljes së rregullave të distancimit social, gjobën e paguan pasagjeri.