Kryesore

Rikthimi i vizave, Këshilli i Ambasadorëve: Duhet të alarmohemi!






               Publikuar në : 09:48 - 18/04/19 |
mapo.al

Vendimi i Parlamentit të Holandës për vendosjen e regjimit të vizave me Shqipërinë, është parë pa shumë shqetësim nga përfaqësues të qeverisë shqiptare, ndërsa për këtë situatë kanë gjetur “fajtorin” tek opozita në vend dhe populizmi në Europë.


Nga ana tjetër, opozita ka bërë përgjegjëse qeverinë e kryeministrit Edi Rama, që sipas saj për shkak të lidhjes së politikës me krimin, korrupsionin në nivele të larta dhe detyrimin e shqiptarëve për t’u larguar jashtë vendit nga kushtet e rënda ekonomike janë faktorët që po rrezikohet seriozisht regjimi i vizave, nëntë vjet pasi u vendos liberalizimi për zonën Shengen.



Edhe Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka reaguar pas vendimit të Dhomës së Ulët të Parlamentit holandez të dy ditëve më parë.

“Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bashkohet shqetësimit të shprehur nga i gjithë opinioni publik për këtë zhvillim negativ – një kthim prapa për një nga arritjet më madhore të shqiptarëve që pas rënies së diktaturës komuniste, atë të lëvizjes së lirë e pa viza në hapësirën Schengen. Ky vendim dëmton rëndë interesat e shtetasve shqiptarë dhe imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në Europë dhe në botë. Ai mund të shërbejë si një argument shtesë për të gjitha ato forca politike evropiane që, për arsye e motive të ndryshme, kundërshtojnë çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, thuhet bënë deklaratën e bërë publike.

Më tej, Këshilli i Ambasadorëve shprehet se kjo ngjarje duhet të alarmojë të gjithë strukturat zyrtare shqiptare, për të adresuar sa më parë dëmin e madh të krijuar.

“Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë vëren me shqetësim të madh mungesën e një analize të thelluar të këtij vendimi të Parlamentit holandez nga strukturat përgjegjëse shqiptare. Interpretimi i këtij vendimi si një çështje hipotetike dhe që nuk do të ndodhë, është sa sipërfaqësor aq edhe jo profesional. Një vendim i tillë, me pasoja të rënda për imazhin dhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve, duhet shoqëruar me një analizë serioze dhe me përgjegjësi të lartë institucionale, duke përcaktuar dhe masat konkrete për adresimin, frenimin dhe minimizimin e të gjithë problematikave që kanë ndikuar në marrjen e këtij vendimi. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bën thirrje Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme që, në funksion të prioriteteve politikës së jashtme dhe mbrojtjes së interesave të shqiptarëve kudo që ndodhen, të ndërmarrë menjëherë demarshet e nevojshme me Holandën dhe agjencitë e saj ligjzbatuese, si dhe me vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian, në mënyrë që ky vendim të mos ketë efekt të mëtejshëm dhe të mos shoqërohet me vendime të tjera të ngjashme”, deklaron Këshilli.

 

 


Etiketa: , , , ,

Pas