Aktualitet

Rilindja nuk duhet thjesht të largohet, duhet ndëshkuar!














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 12:09 - 21/04/21 |
Armand Maho

Edhe më skeptiku ndër shqiptarë e ka kuptuar tashmë se Rama duhet të largohet. Ditët, orët dhe minutat deri në daljen e rezultatit flasin për një fitore të opozitës. E megjithatë kjo nuk mjafton! Edi Rama nuk duhet thjeshtë të humbë, ai duhet të ndëshkohet me një rezultat mbresëlënës për të gjitha paudhësitë e Rilindjes ku ai ishte arktiekt.






Ndëshkimi i Ramës, duhet të shërbejë si një kthim i identitetit të nëpërkëmbur kombëtar.


Ai që ka një biznes të vogël, duhet që para kutisë së votimit të risjellë në vëmendje vjedhjen që i është bërë djersës së tij në këto katër vjet.







Pensionisti, duhet të kujtojë pamundësinë për të përballuar energjinë elektrike, ilaçet dhe koston e jetesës me pensionin e tij anemik që nuk u rrit në tetë vite. Mjeku duhet të mendojë për nëpërkëmbjen dhe mungesën e respektit, që ky kryeministër inicoi që pas ardhjes në pushtet.



I palegalizuari, të ridëgjojë dhe një herë zërin e Lames, që u kërkon vartësve t’i trajtojnë njerëzit si “mish për top”, për interesa elektorale. Ta dijë që vota e tij, do vendosë nëse pas 25 prillit do i prishet ose jo banesa.



Mësuesi që po heq në kurriz militantizimin, fermeri që duhet të flakë në kanal prodhimin e një viti, prindërit që duhet të jetojnë pa fëmijët e tyre se i kanë ikur në emigracion. Të prekurit nga Covidi, që u trajtuan si numra për shkak të Tireve që prodhoi sistemi, duhet të jenë dhe më të revoltuarit.

Nuk është e lehtë të harrohen dhjetë mijë vdekje në një vend që nuk arrin as tri milionë banorë. Shpërfillja dhe shpenzimet marramendëse që përjetuan dhe po përjetojnë familjet e prekura, ndërkohë që paratë hidhen për Aeroportin e Kuksit, asfalt elektoral, apo zdërhalljet në dreka e darka tek Nusreti në Dubai apo gjetkë.

Edi Rama nuk duhet thjesht të largohet!

Lexo edhe :  Rama: Nga 1 qershori heqim qeset plastike! Ç’do ndodhë me bregdetin

Tallja që ai i ka bërë njerëzve në këto tetë vite është e denjë për librat e historisë. Përveç timonit dhe tepsisë që mbajti për vete, nuk ka asnjë bilanc në favor të taksapaguesve.

Për të në këto tetë vite rëndësi kanë pasur vetëm bandat e trafikut të drogës, pastrimi i parave, interesat e miqve të tij biznesmenë me një kosto të cilën e ndjejmë sot deri në ashtë. Këtë e ka provuar dhe e provon edhe militanti më i verbër i Rilindjes, atij që i bie bretku në shi e në diell për të siguruar jetesën.

Ky i fundit përpara se të bëjë tifo për numrin 12, duhet ta mendojë dymbëdhjetë herë se me kontributin për të mbajtur në pushtet Edi Ramën po vret shpresën për familjen e tij dhe gjithë ne të tjerëve. Duhet ta mendojë e rimendojë se si në ditë të keqe, në sëmundje apo termet nuk ju gjend pranë askush, ndërsa sot lakejtë e pushtetit i fërkohen për t’i marrë votën. Ajo votë që ai do japë për sektin është tallje, bullizëm e maskarallëk për të gjitha ato çka hequr.

Ndëshkimi me votë i Edi Ramës nuk duhet të vlejë vetëm për shpëtimin nga sekti i rilindjes. Duhet të jetë shembull dhe të përdoret si garanci, se ai që do të vijë nuk do na krijojë një tjetër Rilindje ose çfarë dreqin mund të quhet.

Shembja e Rilindjes duhet të jetë jo vetëm historike, por edhe garanci se ata që do vijnë për të menaxhuar taksat dhe jetët tona nuk do shndërrohen në taulantë, ulsinj, arbenër, elisra e më the e të thashë…

Duhet të jetë një mesazh i fortë, i qartë dhe i pastër se pas kësaj gjërat duhet të ndryshojnë. Ose do kenë fatin e Ramës me të tijët, ndoshta dhe me keq. Këtë do bënte një popull i civilizuar dhe me sqimë, këtë duhet të bëjmë dhe ne.

1


Etiketa: , , , ,

Pas