Sipas një njoftimi të policisë 25 shtetas shqiptarë janë riatdhesuar sot në pikën kufitare të Rinasit.
Atyre iu ishte mohuar azili në Francë dhe fluturuan nga qyteti transalpin i Lilës me charter për në Shqipëri.
Policia njofton se operacione të tilla riatdhesimi do të vijojnë edhe gjatë muajve në vazhdim.
Njoftimi i Policisë:
Rinas
Vijojnë operacionet e riatdhesimit të shtetasve shqiptarë që kanë kërkuar azil në zonën Schengen.
Gjatë ditës së sotme janë riatdhesuar nga Lille, Francë, 25 shtetas shqiptarë që kishin kërkuar azil në Francë.
Ky operacion është zhvilluar në bazë të një marrëveshjeje me autoritetet përkatëse të BE-së, me të cilët janë bashkërenduar veprimet. Çdo grup të riatdhesuarish shoqërohet me një eskortë të Policisë shqiptare.
Operacione të tilla riatdhesimi do të vijojnë edhe gjatë muajve në vijim.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë për në vendet e BE-së, të respektojnë rregullat e lëvizjes në hapësirën Schengen dhe të mos kërkojnë azil, pasi shanset për ta fituar janë zero.
Policia Kufitare ka shtuar kontrollet në pikat e kalimit kufitar, për dokumentacionin dhe plotësimin e kushteve për të udhëtuar në vendet e BE-së, si dhe ka forcuar kontrollet në kufirin e gjelbër.