Policia është lajmëruar me shumë vonesë për grabitjen e Rinasit nga ICTS që ka në ruajtje aeroportin. Kështu raporton gazetarja e TCH Anila Hoxha. Sipas saj, në pistë kanë qenë një grup policësh por askush nuk i lajmëroi se po ndodhte grabitja. Po kështu tek porta A e aeroportit ka qenë furgoni i FNSH-së por punonjësit e ICTS nuk ua kanë hapur derën, kështu arratisja ka qënë më e lehtë për grabitësit.
“Dy minuta pasi grabitësit dolën nga porta veriore e aeroportit, autoritetet përgjegjëse njoftuan policinë. Ndërsa në total janë 6 minuta që nga momenti që ata hynë, kryen grabitjen dhe u larguan. Këto të dhëna janë në dosjen e prokurorisë që po analizon të dhënat e ICTS-së dhe të TIA-s, pas orës 14:57, atëherë kur në portën e zjarrfikësve shfaqet furgoni i grabitësve. Në orën 14:59 e 30 sekonda, grabitësit gjendeshin në pistë dhe nisën rrëmbimin e thasëve, që zyrtarisht thuhet se kishin 5.7 milionë euro.
Në të njëjtën kohë (ora 14:59 e 20 sekonda), forcat e Policisë së Rinasit gjendeshin në pistë për të marrë prej andej personat e deportuar nga jashtë vendit. Pikërisht në një avion tjetër, në të njëjtën pistë qëndrimi, sapo kishin mbërritur grabitësit, të cilët po kryenin rrëmbimin e armatosur të vlerave monetare. Por, efektivët e Policisë së Rinasit nuk i kishte njoftuar asnjë, ndërkohë që ata nuk kishin fushëpamje për të parë se çfarë po ndodhte disa metra më tej.
Këto janë të dhënat e raportit sekret, që evidentojnë minutë pas minute se çfarë ndodhi në datën 9 prill. Paralelisht, në portë A ishte e dislokuar FNSH-ja. Ende pa u larguar grabitësit nga pista, thuhet më tej në raportin sekret, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kane tentuar dhe kanë kërkuar që kjo portë të hapej, por diçka e tillë nuk ka ndodhur, pasi punonjësit e “ICTS”-së kanë refuzuar ndërhyrjen e FNSH-së në pistë.
Në këto kushte, furgoni i FNSH vazhdon ndjekjen e grabitësve në rrethimin e jashtëm, paralelisht me rrugën që po ndiqnin grabitësit”, raporton TCH.
Gjatë ndjekjes në një rrugë rurale, policia hapi zjarri ndaj grabitësve duke lënë të vdekur kokën e bandës, Admir Murataj. Mësohet se edhe grabitësit shtien ndaj policisë, por fatmirësisht nuk pati dëme në radhët e efektivëve.