Banorët e Astirit u zgjuan sot nga zhurma e fadromave, pas disa muaj qetësie. IKMT rinisi aksionin për shembjen e disa objekteve, për t’i hapur rrugë projektit të zgjerimit të Unazës së Madhe. Mbi 40 objekte do të rrafshohen gjatë ditës së sotme.
Pas më shumë se një viti rezistencë, banorët e Astirit kanë pranuar në heshtje shembjen e shtëpive dhe biznesve të tyre. Policia dhe mjetet e rënda kanë nisur aksionin prej orës 6 të mëngjesit. Forca të shumta të rendit dhe policisë bashkiake rrethuan dy akset rrugore duke mos lejuar kalimin as të makinave dhe as të këmbësorëve.
Të dy skajet e “Unazës së Re” u paralizuan nga trafiku. Qytetarët reaguan të revoltuar pasi nuk ishin informuar për zbarkimin e fadromave në këtë segment. Për rrjedhojë, jo pak qytetarë kanë qëndruar në trafik mëngjesin e sotëm prej më shumë se 2 orë.
Në mbështetje të banorëve shkoi ish-deputeti demokrat Klevis Balliu i cili duke e konsideruar projektin korruptiv, premtoi se PD do t’i dëmshpërblejë ata me çmimin e tregut kur të vijë në pushtet.
“Ky projekt korruptiv ka shkatërruar jetën e këtyre qytetarëve me një qëllim të vetëm, ndërtimi e kullave. Unë i rikonfirmoj banorëve se asnjë presje nuk i hiqet kontratës së PD me banorët të unazës së re, ata do të paguhen cent për cent me vlerën e tregut. PD nuk i fshihet kësaj kontrate, por do t’i qëndrojë në çdo gërme të saj. Prishjet e sotme janë bërë pa asnjë letër dhe nuk kanë i kanë paralajmëruar, prandaj është krijuar edhe ky trafik. Këtij pushteti kriminal që varfëron xhepat e familjeve po i vjen fundi dhe të gjithë qytetarët që janë dhunuar do të marrin atë çfarë i takon. Banorët e unazës kishin dy mundësi, njëra ishte të bënin luftë dhe të vriteshin me këtë oficerë policie, por banorët nuk e kanë as me policinë as me gazetaret, por e kanë me Edi Ramën dhe Veliajn. Unë i përshëndes këtë akt evropian”, deklaroi ish-ligjvënësi demokrat.
Teksa shohin që prona e tyre kthehet në rrënojë, familjarët shprehen se janë të pafuqishëm për të reaguar, pasi në protestat e kaluara ata janë sulmuar me gaz lotsjellës nga forcat e rendit si dhe janë arrestuar.