Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve ka vijuar sot procesin e rinumërimit të votave për 114 qendrat e votimit të Qarkut të Beratit, vetëm për subjektet zgjedhore. Procesi nisi rreth orës 09:21.
Deri tani janë rinumëruar 53 kuti nga 114 që do t’i nënshtrohen këtij procesi.
Nga rinumërimi, PS është 5 vota minus, LSI 4 plus, duke e çuar diferencën në 72 vota.
Pra, që LSI t’i marrë mandatin PS-së, i duhet të rikuperojë edhe 73 vota.
Ndërkohë për 2 kërkesat ankimore të PD dhe LSI për pavlefshmerinë e zgjedhjeve në Qarkun e Vlorës, KAS vendosi t’i rrëzojë.
Rezultati paraprak i rinumërimit
LSI
+ 4 vota
PS
– 5 vota
Ledio Braho: Rezultati i ngushtë, mund të ndryshojë
Anëtari i Komisionit të Sanksioneve dhe Ankesave Ledio Braho, në një prononcim për News 24, deklaroi se deri më tani janë numëruar gjysma e kutive.
Braho shtoi se rezultati vazhdon që të jetë i ngushtë, kurse vlerësoi se sot deri në orën 20.00 mund të mbarojë edhe procesi i rinumërimit për kutitë në KAS.
Sipas tij, nga rinumërimi LSI ka pësuar rritje, PS rënie të lehtë, ndërsa shton se rezultati vijon të jetë i ngushtë.
“Deri tani janë numëruar gjysma e kutive dhe ka ndryshime të vlerësimit të votave që janë bërë. Nuk mund të them dot se kush ka fituar më shumë e kush ka humbur më tepër. E rëndësishme është që të kemi në fund vullnetin real të qytetarëve.
Rezultati është i ngushtë dhe patjetër që mund të ndikojë në rezultat final, deri tani ka pasur pak rritje për LSI dhe pak zbritje për PS. Sot deri në 20.00 besoj se mbaron procesi i rinumërimit për kutitë në qarkun Berat dhe KAS do marrë vendim për rezultatin final. KAS si qëllim kryesor ka dhënien e drejtësisë. Ne duam të marrim një vendim sa më të drejtë. Në Berat u hapën kutitë dhe në Durrës pritet që të hapen”, deklaroi Braho.