Aktualitet

Ristani replikon me Gjekmarkajn: Opozitës i duhen njerëz të aftë














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 21:29 - 26/07/19 |
mapo.al

Ish-Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani e konsideron si fakt mjaft të rëndë lënien pa përfaqësi të popullit opozitar në pushtetin qendror dhe vendor. Ai ka bërë një reagim të gjatë në rrjetet sociale, si një replikë me analistin Agron Gjekmarkaj i cili në një analizë të disa ditëve më parë kritikonte qëndrimin e Arben Ristanit ndaj lidershipit demokrat, Lulzim Basha.






Por Ristani insiston dhe kërkon reflektim nga lidershipi demokrat mbi pasojat që solli vendimi për të mos të hyrë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.


Shqipëria sot ka nevojë më shumë se kurrë për një opozitë me strategji të qartë, të mirëorganizuar, të fuqizuar me njerëz të aftë e të besueshëm”. Në të kundërt, sipas Ristanit, “uniteti grusht-bashkuar rreth verbërisë ndaj realitetit të mban të mbëthyer në një rrugë e cila çon vetëm në një drejtim – drejt humnerës”.







“E gjitha kjo, për ” këshilltarin mediatik / zërin më të afërt mediatik” (sipas medias ku e lexova lajmin), Gjekmarkaj, është konsideruar si një “gjuajtje e Ristanit ndaj Lulzim Bashës”. Sipas analizës së analistit Gjekmarkaj, meqë atëherë unë nuk dola kundër vendimit për të dorëzuar mandatet e për të bojkotuar zgjedhjet e Ramës, që sot e tutje duhet të mbyll gojën e të hesht përgjithmonë”, thekson ai.



Ai flet edhe për nevojën që ka PD për të rivendosur besimin dhe për të rilidhur marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, sidomos ata amerikanë, dhe këtu mbetet shumë punë për t’u bërë.



Postimi i plotë
Para disa ditësh jam shprehur publikisht në lidhje me një fakt të qartë si drita e djellit: pavarësisht përpjekjeve, opozita nuk arriti ta ndalonte mbajtjen e zgjedhjeve vendore me Ramën kryeministër.

Zgjedhjet u mbajtën -edhe përkundër përbetimeve të disa personave publike, analistëve pro-opozitarë, njërit prej të cilëve jam i detyruar t’i përgjigjem sot me këtë shkrim. Besoj ju kujtohet solemniteti i atyre që përbetoheshin se nuk do lejonin zgjedhje me 30 qershor – solemnitet që mbante nënshkrimin viral #metoo.

Zgjedhjet u mbajtën. Jo vetëm kaq, por mesa duket këtë vit në horizont nuk do të ketë as zgjedhje të parakohshme të përgjithshme, pa Ramën kryeminister. Ky ishte përbetimi tjetër i madh që bëhet tym. Ajo që mbetet janë prokurorja e përgjithshme e përkohshme, përjetësisht besnike ndaj kryeminstrit Rama, ajo që mbetet është një katastrofë institucionale, ekonomike dhe njerëzore, me pak ose aspak dritë në fund të tunelit. Në kete situatë jam shprehur se PD mund dhe duhet ta mundë në zgjedhje –dhe jo në llafe– Ramen dhe Rilindjen, si e vetmja rrugë qe kemi, edhe pas keshillave dhe insistimit të partnerëve ndërkombëtare, evropianë dhe amerikanë.

Kam shprehur mendimin se fakti që sot PD dhe populli opozitar mbeten të papërfaqësuar në nivel qendror dhe vendor është shumë i rëndë. Ky rezultat, pavarësisht bindjes që na u krijua kur morëm vendimet tona për të dorëzuar si grup mandatet e për të mos hyrë ne zgjedhje me Ramen, ka nevojë për reflektim nga lidershipi i PD, mbi bazën e gjykimit të shëndoshë mbi atë që ndodhi, si dhe pasojave që ai solli.

Rruga që duhet ndjekur, sipas mendimit tim, kalon nga puna për të rritur besimin dhe angazhimin e mbështetësve të opozitës. Na duhet një program i mirë, i qartë dhe i kuptueshem nga njerëzit. Por kryesor është besimi –na duhet të ringjallim besimin se jemi si parti dhe si individë, në lartësinë e premtimeve tona. Shumë punë mbetet për të bërë për të rivendosur besimin dhe për të rilidhur marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, sidomos ata amerikanë.

Gjithashtu kam përmendur nevojën për të bashkuar partinë me të gjithë ata që kane kontribuar për PD ndër vite, me ata që kanë ekspertizën dhe eksperiencën për organizimin e partisë dhe suksesin e saj në betejat elektorale, pavarësisht qejfmbetjeve, komplekseve, apo kontradiktave parimore.

Në menyrë të permbledhur këto kam thënë.

E gjitha kjo, për ” këshilltarin mediatik / zërin më të afërt mediatik” (sipas medias ku e lexova lajmin), Gjekmarkaj, është konsideruar si një “gjuajtje e Ristanit ndaj Lulzim Bashës”. Sipas analizës së analistit Gjekmarkaj, meqë atëherë unë nuk dola kundër vendimit për të dorëzuar mandatet e për të bojkotuar zgjedhjet e Ramës, që sot e tutje duhet të mbyll gojën e të hesht përgjithmonë.

Kjo nuk më duket një këshillë me vend – as për mua, as për këdo, që si unë, do që PD të vijë në pushtet, për të mirën e shqiptarëve.

Nuk më duket me vend që të mos kemi të drejtë të reflektojmë mbi gabimet tona. Nuk më duket me vend që një analist të mund të ketë të drejtën të ndryshojë qëndrime e deklarata sipas rastit dhe dëshirës, ndërsa politikanit i hiqet mundësia të reflektojë mbi gabimet e bëra dhe konkluzionet e nxjerra.

Vetë Gjekmarkaj, pak kohë më parë është shprehur se Lista “Basha” e kandidatëve për deputetë në 2017 ishte e fëlliqur, e neveritshme, e hartuar për të vjelë frytet e një marrëveshje okulte të bazuar në interesa financiare. Akuza këto tmerrësisht të rënda, ndoshta të justifikuara në një farë mënyre nga lënia e tij jashtë listës së kandidatëve.

Megjithate, une besoj se në këtë moment kaq të rëndë, në një krizë të plotë eknomike, politike dhe juridike, kushdo që orientohet nga e mira nuk duhet të heshtë, pavarësisht mënyrës sesi analizon Gjekmarkaj; përkundrazi – çdokush duhet të flasë sa të mundet më fort, të bëjë gjithçka që ka në dorë, në mënyrë që të dalim të gjithë së bashku nga mizerja rilindëse.

Në kohën kur analistë e gazetarë, mendje “të bukura” e media “të pavarura” shkruajnë e komunikojnë si militantë partish, duke e kaluar Shqipërinë në plan të dytë në funksion të interesave të veta, lind nevoja që shqiptarët të aderojnë në formacione që mendojnë më shumë për Shqipërinë sesa partinë.

Shqipëria sot ka nevojë më shumë se kurrë për një opozitë me strategji të qartë, të mirëorganizuar, të fuqizuar me njerëz të aftë e të besueshëm.

Ideja se ne duhet të flisnim kur ishte koha për të folur, ndaj tani duhet të heshtim përgjithmonë, më shtyn të mendoj se, sipas kësaj aksiome Gjekmarkiane, njeriu politik është i destinuar të jetojë paradoksin e mërzitshëm në të cilin, nëse flet jashtë llafollogjisë së miratuar nga lidershipi, je i dënuar të quhesh automatikisht ose i shitur, ose i hatërmbetur. Nga ana tjetër, nëse njeriu politik i mbështet dhe miraton tezat e lidershipit, me shpresë dhe besim në vërtetësinë e tyre, ai duhet të heshtë përgjithmonë, pasi duhet të kishte folur kundra tyre më parë.

Ku do na shpjerë ky qëndrim? Uniteti grusht-bashkuar rreth verbërisë ndaj realitetit të mban të mbëthyer në një rrugë e cila çon vetëm në një drejtim – drejt humnerës.

Analiza e Agron Gjekmarkajt
Të besosh te një kauzë është në dorën e gjithsecilit dhe të bësh përpjekje që ajo të fitojë po aq. Nëse suksesi nuk është i menjëhershëm, nuk do të thotë se kauza është e gabuar. Të shumtë janë faktorët që përcaktuan fatin e ngjarjeve politike para e pas 30 qershorit. Kryet e vendit e zunë ndërkombëtarët të lodhur tejet me dërdëllitjet e

Lexo edhe :  "Mburojë e Bashës", VOA: Berisha ka mbajtur me dorë të fortë kontrollin mbi PD

Ballkanit, llastimet, mëritë, urrejtjet epike e pragmatike mes politikanëve të gadishullit të vjetër. Ndaj, ata nuk i pëlqyen vendimet drastike të opozitës shqiptare, me drojën se ky precedent mbin si kërpudha pas shiut shtet më shtet e kësisoj, dreqi nga shishja del e merr lugjet e politikës duke nxjerrë tym nga e prapmja. Ky pragmatizëm diplomatik i tyre për stabilokraci nuk do të thotë se ata kanë të drejtë. Nuk kanë të drejtë, se askund si në Shqipëri nuk vidhen votat në mënyrë kapilare dhe tek asnjë tjetër vend, madje as në Kosovë, kriminelët nuk kanë status nderi siç e gëzojnë te kjo maxhorancë që na qeveris me dorë në zemër.

Vidhen votat për të vjedhur Shqipërinë, azdisej duke thirrur dikur shefi i opozitës socialiste, Edi Rama, para vitit 2013. Ja zoti nafake, ia beri atij vetë ta bëjë maksimën realitet! Tashmë dihet që Kryeministri ynë nuk magjepset nga intelektualët, se e mendon veten mbi ta ku e ku, por nga të fortët. Me ata e mbush xhanin e tij e të tyrin plot lezet. Ia lëmojnë llafin e humorin njëritjetrit gazep. Të huajt nuk ditën a nuk deshën të kuptojnë që jemi “sui generis”, mbetet për t’u parë.

Personalisht e kam menduar si të drejtë qëndrimin e opozitës për të djegur mandatet dhe për të mos shkuar në zgjedhje me Edi Ramën Kryeministër. Kështu e mendoj dhe sot. Të drejtë. Tani Edi Rama bëri zgjedhjet që bëri. Një maskaradë dhe krim elektoral, ku gjindja tallej me kutitë. Skena tragjikomike ku vajtonin mbi to duke trandur gjoksin, bënin resme plot zulme, pinin birrë dhe dremisnin, ndërsa KQZ-ja ende vazhdon përpjekjet titanike për të shtuar shifrat e pjesëmarrjes, e cila iu kthye kundër. U braktis Naltgjatësia e tij nga shqiptarët, po edhe nga militantët e vet. Në këtë kontekst, gjithçka ka ndryshuar dhe nuk është si më parë. Nëse deri para 16 shkurtit Rama dukej i palëkundur, i mbërthyer pas karriges si monument kulture i paepur në kohë, sot kudo në mure e sheh të shkruar “Rama ik”, në rrugë a autobus e dëgjon. Pushteti i tij sot ka vetëm ndërtesa, policë, propagandistë që shëmtitë e Ramës duan t’i kthejnë në humbje të Bashës, por jo qytetarë. Në çdo kryeqytet të Europës, një qeveri nga përgjime si ato të “Bild”-it ikte vetë, nuk priste ta rrezojë populli. Te ne nuk ndodh asnjëra: as ikën e as popullin s’e lejojnë ta rrëzojnë, as me protesta, as me bojkot për momentin. Kjo është një statusquo që nuk zgjat gjithë jetën.

Vërtet PD, LSI e të tjera parti të frontit opozitar kanë humbur çdo pushtet. Kjo gjë mund të ketë sjellë pakënaqësi e mërmërima të zëshme e të pazëshme tek individë brenda tyre. Por nuk dimë që Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi të jenë kundërshtuar kur i kanë marrë këto vendime. Të gjithë dukeshin entuziastë dhe të gëzuar në dukje. Një nxitim për të përshëndetur këto vendime dukej në çdo studio. U shkëlqenin sytë si në ditë feste, teksa ndonjë fuste lugën në brez dhe mendonte ku do ta zhyste, te pushteti i tij, apo fitorja në prag. Etika dhe morali publik kërkojnë sot të njëjtin qëndrim. Nga kjo histori lind një reflektim. Hipokrizia, frika, mungesa e kurajës për t’u përballur në institucione partiake me liderin po rrënojnë partitë dhe vendin.

Të gjithë bien squk me idenë që po folëm, po kundërshtuam, i prishim qejfin dhe e hamë nesër. Nuk e kanë kuptuar që në politikë dhe kudo, nëse duhet “vdekur”, “vdis” duke luftuar sesa duke pritur “pushkatimin. Formalisht, Basha dhe Kryemadhi këto vendime i kanë kaluar në Kryesi, Grup Parlamentar dhe këshilla kombëtarë e konventa, si dhe me të zgjedhurit lokalë. Kush prej tyre kundërshtoi? Kush kërkoi votim të fshehtë? Kush bëri një diskutim publik të kundërt me lidershipin, qoftë duke respektuar vendimet e shumicës? Asnjë! Debati dhe kundërshtia logjike mund t’i çonte këto parti në vendime më të bashkëndara ose të tjera! Nuk është krim, as pandershmëri të luftosh edhe për interesin personal në një sipërmarrje politike. Ndërsa frika, të thuash ‘po’ pa qenë i bindur, ta shikosh perspektivën si marrëdhënie besnikërie dhe jo parimesh të përgjithshme, vret demokracinë dhe dinjitetin brenda organizatës ku bën pjesë , kështu edhe në sferën publike. Kjo ndodh përditë, se karriera në politikë shikohet jo si meritë personale, por si simpati dhe përzgjedhje e liderit. Servilizmi, “besnikëria”, kukulja dhe kokëtullëku janë problemet e mëdha të PD, LSI e sidomos të PS, ku askush nuk pipëtin t’i thotë burrit të gjatë: Ndalu more të plasshin sytë, se e dhjeve këtë zojë të randë, që burrat e dheut e thirrshin nanë!

Kur merren vendime si ato që Basha e Kryemadhi morën, është si në martesa ku drejtuesi i ceremonisë, prifti apo Lal Eri bëjnë thirrje kush ka gjë për të thënë, ta thotë tani ose të heshtë përgjithmonë. Ndaj Ristani e të tjerë, që skuqen tavolinave nga marazi e sëkëlldia, nuk duken mirë kur gjuajnë sot mbi Lulzim Bashën. Dilemat e tyre duhej t’i kthenin në qartësi muaj më parë. Tjetër është një analist që e sheh nga jashtë kurbën e zhvillimeve të opozitës. Në vetë të parë e shoh betejën e Bashës më seriozen dhe më të vërtetën që ai ka zhvilluar këto 6 vite që udhëheq PD-në. Sot Lulzim Basha mund të hyjë në zgjedhje edhe me Ramën Kryeministër, sepse 30 qershori ia dha këtë Këshill me votuesit e pakët dhe mosvotuesit e panumërt. Por më parë duhet të bëjë betejën për ta rindërtuar dhe bashkuar PD, për të kthyer aty cilësinë dhe mendimin që mungon, një betejë që ai i shmanget prej 6 vitesh, po me kaq vërtetësi e seriozitet sa atë kundër qeverisë moniste. Po s’e bëri, pisk e ka! Basha nuk duhet të shfaqë dobësi ndaj atyre që i fryjnë buzët që kanë humbur poste.

Tek e fundit, edhe kryebashkiakëve të vet t’ua thotë gjërat troç, që përpjekja është bërë për më shumë se karriget e tyre. Të ndërrosh strategji në politike nuk është faj, përkundrazi, forcë. Ajo fillon me njerëzit. Basha nuk duhet të përdorë shoqërinë dhe elementë të saj të spikatur për të ardhur në pushtet, por shoqëria PD-në e Bashën si garant Kryeministër. PD e ka jetike të shndërrohet në laborator të ideve më të mira që opinioni publik lançon. Program dhe ekip të denjë për të. Këneta e banalitetit duhet tharë, triumfi i tij duhet mposhtur. Periudha “post revolucionare” kërkon afrim informues me ndërkombëtaret. Ndjekësve, demokratëve dhe pjesës gri duhet t’i ofrojë dhunën e frymës dhe jo frymën e dhunës. Kjo qeveri e meriton dhunën, por standardet jo, perëndimorët gjithashtu s’e kuptojnë, s’e duan, ndaj e shkurajojnë, veç me ministrushet duhet dorë e butë mendafsh se janë delikate.

Rama mund t’i fitojë zgjedhjet vetëm nëse sjell këtu një popull tjetër ose krejt buxhetin e shtetit e përdor si në Dibër a Durrës. Atëherë e meriton të fitojë e le ta gëzojë me nipër e mbesa nën tingujt e harpës së Rilindjes dhe gllicave të saj, që këndojnë “marrsh nga ditët tona o bandill, në ëndërr të pafsha i ëmbël drandofill”.

1


Etiketa: , , ,

Pas