Somario: “Këto dhurata më bëjnë të ndjehem aq e gëzuar, sikur të isha kurorëzuar për mbretëreshë. Kurrë mos harroni prej nga jeni! Duhet të mburreni që jeni shqiptarë si unë”
Një xhubletë mbi 100-vjeçare, e Malësisë së Mbishkodrës, me elementet e saj etnografike, e përdorur nga Marubi në disa prej fotografive ku shihen gratë shqiptare dhe një seri treshe monedhash emetim i vetëm i 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë me listën e tërë nënshkruesve të aktit historik, i janë dhuruar këngëtares së njohur të muzikës pop në botë, Rita Ora, nga kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Rita Ora ka qenë e ftuara speciale në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Londër dhe qëllimi i kësaj ftese ishte t’i shprehej këngëtares së njohur, e cilësuar së fundmi dhe si më e mira për vitin 2012 në Britaninë e Madhe, mirënjohje për atë që ajo ka arritur jo vetëm në planin individual, por edhe në promovimin që u ka bërë vlerave të kombit shqiptar në botë. Ka qenë ambasadori ynë në Londër, Mal Berisha, i cili me porosi (siç shprehet dhe vetë) të kryeministrit Berisha, i ka dorëzuar këngëtares dy dhuratat, me të cilat qeveria shqiptare i shpreh mirënjohjen e thellë këngëtares për arritjet e mëdha. Xhubleta 100-vjeçare e Malësisë së Mbishkodrës, e ruajtur me të gjitha elementet e saj etnografike, i është dhuruar Rita Orës si simbol i kulturës materiale shqiptare dhe lashtësisë së kulturës sonë kombëtare, ndërsa seria e monedhave emetim i vetëm i 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë u jepet personaliteteve të mëdha që kanë kontribuar në dobi të çështjes kombëtare. Rita Ora falenderoi qeverinë shqiptare për dhuratat e çmuara, Ambasadën e Shqipërisë, si dhe atë të Kosovës për pritjen e ngrohtë. Ajo u shpreh se mbështetja dhe dashuria e popullit shqiptar dhe vendit të saj të origjinës është diçka e shtrenjtë për të si artiste. “Këto dhurata më bëjnë të ndjehem aq e gëzuar, sikur të isha kurorëzuar për mbretëreshë. Asnjëherë nuk kam qenë më e lumtur. Me plotë dëshirë do të vazhdoj që gjatë karrierës sime të eci në drejtim të promovimit të vlerave shqiptare. Kurrë mos harroni prej nga jeni. Duhet të mburreni që jeni shqiptarë si unë”, – tha Rita Ora. Pritja e yllit të muzikës pop u bë në selinë e ambasadës, me pjesëmarrjen e plotë të trupit diplomatik të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, të akredituar në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën e Veriut. Gjithashtu morën pjesë në këtë takim dhe shumë artistë shqiptarë me banim në Londër, kryetarë dhe aktivistë të shoqatave shqiptaro-britanike, patriotë nga të gjitha trojet shqiptare, nxënës shkollash, fëmijë të talentuar që aspirojnë të ndjekin rrugën e Rita Orës. Me këtë rast, ambasadori i Shqipërisë, Mal Berisha dhe ai i Kosovës, Lirim Grajçevci, theksuan se kontributi i Rita Orës është i madh dhe ajo është ambasadorja më e denjë që promovon kulturën shqiptare nëpër botë. Për ambasadorin tonë, Mal Berisha, Rita Ora është ambasadorja më e mirë e kombit në botë. “Rita Ora është ambasadorja më e mirë e Kosovës që e lindi, e Shqipërisë që e do aq shumë, e popullit shqiptar kudo që ndodhet në Ballkan apo në diasporë dhe që e do, e çmon, e vlerëson dhe e adhuron. Ajo është përfaqësuese e brezit më të ri të femrës shqiptare jo vetëm në vendin tonë por edhe nëpër botë”, – tha ai. Ndërsa ambasadori i Kosovës, Lirim Grajçevci u shpreh gjithashtu se Rita Ora, e cila është e lindur në Kosovë dhe e rritur në Britaninë e Madhe, përbën një simbol të mundësive të mëdha që ky vend iu ka dhënë shqiptarëve për të përparuar në çdo fushë, përfshirë artin, si dhe të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy kombeve. “Rita Ora është simboli i rinisë kosovare, vendit më të ri në Europë”. Ka mbi 70 vjet që nuk prodhohen më xhubleta, pasi realizimi i një kostumi të tillë është mjaft i sofistikuar. Xhubleta shqiptare konsiderohet si veshja më e vjetër e botës dhe duket se edhe ajo është një “racë” në zhdukje.
KJO XHUBLETA MOS BEN PJESE NE TRASHEGIMINE TONE KULTURORE APO E KAM GABIM??SALA LE TI JAPI XHUBLETEN E VET PO DESHI.
Edhe ne themi,kush i vjedh Shqiperise vlerat materjale dhe kulturore.Po pse more kriminel Sali Berisha,nuk porosite nje tek ata,qe prodhojne kostume kombetare dhe t’ja beje dhurate kesaj zonje te nderuar?Perse,Dynuk kerkove ndonje andej nga nahija jote dhe te ruaje kete vlere te pazevendesueshme te Marubit te famshem?
Nga ana tjeter,ke dhe te drejte,se Shkodranet po e tregojne vehten,sa me shume ti vjedhesh dhe ti demtosh,aq me shume “te votojne”.