Aktualitet

Riza Kishta, një emër që nuk harrohet (Rreth monografisë së autorit Meçan Hoxha)







Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 10:54 - 09/10/20 |
Shpendi Topollaj

Shkruarja e një libri monografik, sidomos te ne, ku deformimet e historisë nga voluntarizmi komunist, kanë qenë të përmasave të papara, kur kjo monografi përshkohet nga sinqeriteti, paanësia, guximi dhe e vërteta, natyrisht që më shumë sesa letërsisë, mendoj se i shërben vetë asaj historie. Kuptohet se dhënia me saktësi e asaj që ka ndodhur, ka qenë një problem që e ka shqetësuar prej kohe njerëzimin.


Ja pse edhe Lukiani e shihte historianin “… sypatrembur, i pa korruptueshëm, i pavarur, dashurues i fjalës së lirë … i cili nuk udhëhiqet nga ndjenjat e miqësisë a të armiqësisë, i cili nuk di ç`është mëshira a dhimbshuria, turpi i rremë a frika, një gjykatës i drejtë, mirëdashës ndaj të gjithëve deri në atë shkallë sa të mos i japë kurrkujt më tepër se ç`meriton, njeri i huaj për sa kohë që shkruan veprën e vet, njeri që s`ka atdhe, që s`njeh ligj tjetër përveç ligjeve të veta, që s`ka mbi krye asnjë sundimtar, që s`lëkundet sa andej-këtej sipas mendimit të të tjerëve, por që parashtron atë që ka ndodhur në të vërtetë”.


Dhe u ndjeva mirë, kur pashë se këto cilësi dalloheshin qartë tek autori Meçan Hoxha në librin e tij kushtuar një figure pak a shumë komplekse, si ajo e atdhetarit antikomunist Riza Kishta. Nuk dua të besoj se në jetën e kaluar, të sotme apo dhe në atë që do të vijë, mund të gjenden njerëz, e ca më shumë personalitete, rreptësisht të përcaktuar si pozitivë a negativë. Kjo është natyra njerëzore që edhe vetë klasikët e ideologjisë marksiste e pranonin se varet nga rrethanat. Dhe rrethanat politike, sociale, ekonomike e ushtarake të Shqipërisë, kanë qenë përherë të trazuara e të ngarkuara me konflikte të pareshtura, çka ka sjellë edhe personazhe influente të pikturuar nga kundërshtari vetëm me ngjyrat bardhezi.



Meçan Hoxha, për profesionin që ka, përvojën si shkrimtar, dhe vlerat njerëzore, ku dallon drejtësia, dashuria për të tjerët dhe ajo që e kam theksuar në fjalën time, kur ai u shpall “Qytetar Nderi” i Gramshit; pra ndershmëria, kur mori përsipër hartimin e këtij libri, ka kapërcyer mbi shumë dilema dhe ka dalë tej caqeve të vetes. Monografia, në kushtet e demokracisë, ku pretendojmë se jemi, apo se jemi duke shkuar, e kërkon këtë qëndrim, se vetëm kështu realizohet qëllimi i madh i Tomas Fulerit se “E sotmja është nxënësja e së djeshmes”. Po ta marrësh hollë, as Meçanin dhe as mua që po shkruaj këtë ligjëratë, nuk na lidhin plotësisht bindjet apo e shkuara familjare me krahun që pak a shumë përfaqësonte Rizai.


Por, si intelektualë që më shumë na intereson patriotizmi dhe dëshira për të mos u futur verbërisht në hullitë e përçarjes, e shohim të shkuarën nën dritën e bindjes se para Atdheut jemi të gjithë njësoj, dhe askush nuk mund të pretendojë se e ka dashur apo e do më shumë Shqipërinë. Atdheu ynë, i kafshuar poshtërsisht nga hiletë e të tjerëve, është i shenjtë për këdo, pavarësisht në ka qenë i pasur apo i varfër, pavarësisht në ka pasur bindje të tjera politike dhe qëndrime jo përherë koherente në rreshtimin apo sjelljen e tij. Vetë fati ynë historik i tillë ka qenë; i ngatërruar, pasi veç mjerimit ekonomik, askush nuk mund të përjashtojë ndikimin jo përherë dashamirës të të tjerëve. Edhe me mundësitë e pafundme që kemi sot, vështirë të gjesh dy vetë që të kenë të njëjtën mendje për një problem të caktuar, e jo më në kohën kur jetoi atdhetari Riza Kishta, kohë që e detyroi edhe të madhin Gjergj Fishta të thosh: “ka shti dreqi pushk` mbi ne / mos me u ba dy vet` m`nji fjal`”.


E si mund ta shihte Rizai me shokë si të mirëqenë ideologjinë komuniste dhe nënshtrimin e turpshëm ndaj emisarëve jugosllavë, çka edhe koha i dha plotësisht të drejtë. A nuk ishte ai i shkolluar, a nuk e kishte parë perëndimin, a nuk kishte një goxha eksperiencë si politikan, si përfaqësues i popullit të Gramshit në Parlament, së bashku me burra të tjerë të shquar, të cilëve kurrsesi nuk mund t`u vihet në dyshim besnikëria e përkushtimi ndaj vendit të tyre? Ishte po Rizai ai që i shërbeu me korrektesë vendit të tij në profesionin që kishte si oficer xhandarmërie, fjalë kjo që krejt gabimisht edhe sot e kësaj dite ka marrë një konotacion aspak të mirë, thuajse mund të gjendet një shtet në botë që nuk ka administratë e polici. Qenia e Shqipërisë Mbretëri që nga 1 shtatori i 1928-s, nuk ishte në dorën e Riza Kishtës. Në dorën e tij ishte t`i shërbente shtetit e popullit të tij me guxim e drejtësi, gjë që ai e bëri.

Dhe në qoftë se ai dhe të tjerë si ai, u luhatën në qëndrimet e tyre, kjo ndodhi se në Shqipërinë e atyre viteve u luhat i gjithë vendi. Ngjarjet pasuan me shpejtësi njëra-tjetrën dhe lufta për pushtet mori përmasa të ashpra, që çuan deri në kthimin e pushkës vëllait të të njëjtit gjak, që solli mohim e vlerave të kundërshtarit, cilësimin e tij me lehtësinë më të madhe, tradhtar dhe polli më pas të shëmtuarën luftë klasash dhe shtet i diktaturës së proletariatit. Po a ishte e drejtë kjo? Ja, le të marrim vetëm ato fakte që autori Meçan Hoxha parashtron në këtë libër. Kuestori P. Papalilo në një shkresë të tij shprehet se “Riza Kishta është një element politikisht i rrezikshëm dhe me kapacitet aktiv, që rëndojnë shumë në interesat Nacionale të Qeverisë Fashiste”. Po ashtu, pohimi i Tahsim Elez Qafmollës se Riza Kishta nuk deklaronte bindjet e tij politike dhe se kishte dhënë pëlqimin për lëvizjen që po lindte.

Po përse e internuan italianë Riza Kishtën diku nga Bergamo; si mbështetës apo si kundërshtar të tyre? A nuk ishte po ky Riza që asnjëherë nuk u konfrontua me partizanët, duke i quajtur ata djemtë tanë. Shihni kujtimet e partizanit myzeqar Llaqi Jano. Po ashtu, ishte Rizai që nuk reagoi ndaj Shtabit të Përgjithshëm dhe Enver Hoxhës, kur këta u vendosën në atë zonë. Si mund të shpjegohet tjetërsoj miqësia dhe simpatia e ndërsjellë me drejtues të luftës si Mustafa Gjinishi, Esat Dishnica e plot të tjerë. Ishte Rizai ai që u ftua në Konferencën e Pezës së bashku me burra të tjerë me influencë në popull dhe ishte po ai që u zgjodh në Berat anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe pas çlirimit kandidat për deputet.

Por Enver Hoxha, mosmirënjohës tipik, që ua kishte me të pabesë edhe atyre që i qëndronin fare pranë, pra komunistëve të vendosur e idealistë, s`ka pse çuditemi kur orientonte qysh gjatë luftës që ta neutralizonin, ta godisnin dhe t`ia rregullonin samarin Rizait. Dhe në qoftë se ai u bë drejtues i Ballit në atë zonë, del e qartë në libër, se ai i përkiste krahut për luftë okupatorit, ndaj dhe e ndoqën pas qindra burra të asaj treve. Shkrimtari Meçan Hoxha nuk merr përsipër të nxjerrë shkaktarin e përçarjes gjatë asaj lufte. Personazhi i tij nuk është tjetër veçse Grigor Melehovi i Shollohovit, por me tjetër vizion, pasi ishte i arsimuar dhe i kulturuar. Mundet, që ai duke ia ditur vlerat vetes, si njeri që gjithmonë kishte bërë mirë dhe u ishte gjendur hallexhinjve, por edhe duke krahasuar cilësitë e tij me të tjerët, dhe tani i lënë në hije, ka pasur edhe pakënaqësira personale.

Por në libër kuptohet, se ai sa vinte dhe po ndërgjegjësohej se ky regjim ishte i huaj për shqiptarët dhe se aleatët nuk do ta linin të sundonte mbi një popull që kishte vuajtur dhe kishte bërë sakrifica të mëdha gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndaj dhe doli malit me djemtë e tij, ku qëndroi për tetëmbëdhjetë muaj mes rreziqesh të panumërta, por çuditërisht edhe i ruajtur dhe i mbrojtur nga njerëzit e thjeshtë që intuita nuk i linte të gabonin në vlerësimin për të, gjë që flet më mirë se çdo argument tjetër. Vuajtjet e mëpastajme të familjes së tij, pas dënimit dhe vdekjes së Rizait, janë po ato që hoqën pa të drejtë mijëra e mijëra familje patriotësh që nuk e deshën komunizmin, ndaj edhe vetë autori Meçan Hoxha, nuk ndalet gjatë aty.

Por ai është përqendruar te vetë ky “Qytetar nderi” i Qarkut të Elbasanit (vendimi Nr. 26 dt. 31.05.2010), emrin e të cilit e mban sheshi qendror i Gramshit dhe një shkollë. Koha i jep gjithkujt atë që meriton, por ajo edhe duhet ndihmuar nga ne, sikurse bën shkrimtari – historian i nderuar, Meçan Hoxha, i cili me këtë monografi pa paragjykime, dhe pa ia ditur për reagimet e ndonjë trumykuri, ka treguar rrugën e drejtë, se nga duhet ecur për të ndrequr qëndrimet e padrejta që u janë bërë nga kokat e nxehta të revolucionarëve, shumë atdhetarëve si Riza Kishta, dhe se sa rëndësi merr tani bashkimi mes shqiptarëve. Përgëzime Meçanit që ndoqi porosinë e Viktor Hygoit se “Të guxosh – ky është kushti i përparimit”.


Etiketa: ,

Pas