Kryesore

Robelli: Po themelohet Partia e Surrelit! Bushati: Regjim putinian






               Publikuar në : 21:16 - 23/07/19 |
mapo.al

Analisti kosovar, Enver Robelli, ka shpërthyer me akuza të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama pas shkarkimit të Ditmir Bushatit. Në portalin e tij, DialogPlus, Robelli thotë se “faji i vetëm i Ditmir Bushatit është se ai i tha Edi Ramës ‘ngadalë se i ke hipur kalit së prapthi’ dhe po futesh në aventura për prishjen e kufijve të Kosovës”.


Robelli thotë se Edi Rama, nga një njeri i Gjermanisë dikur, tani është një politikan pa vizion, që vrapon pas axhendave gjepolitike të presidentit serb, atij rus dhe atij turk.

“Siç po shihet, Edi Rama ka nisur projektin e tij për krijimin e një Partie Socialiste të re, Partia e Surrelit, aty ku shkojnë të marrin dorë të nënshtruarit e PS-së si ato nuset e shkreta te novela “Vjeshta e Xheladin Beut”, të shkruar me mjeshtëri nga Mitrush Kuteli”.

Robelli thotë se Bushati nuk u shkarkua vetëm për shkak të zënkës për çështjen e Kosovës, por sepse ka nisur të kritikojë edhe fenomenet negative që kanë lëshuar rrënjë brenda PS-së.

“Vendimi i sotëm tregoi se Edi Rama si autokrat i pastër si loti i hakmarrjes, i shkon deri në fund. Për këtë ai ka mjaft idhuj. Në Afrikë dhe vendet e kaukazit, por më së shumti në Byronë Politike të Partisë së Punës së Shqipërisë. Shkarkimi i Bushatit është një mesazh edhe për socialistët e tjerë: kush kritikon deformimet, internohet në shkretëtirën politike”.

Kurse analisti Andi Bushati tha për News24 se viktima e kësaj Asambleje ishte Ditmir Bushati.

“Viktima e asamblesë qe Ditmir Bushati, ai nuk është disident në radhët e PS, por socialist i vendosur, i devotshëm, shumë më radikal se disa të tjerë, por fakti që s’ka qënë 100% me linjën e Ramës, por edhe për ndarjen e Kosovës, atij i kushtoi vendin, postin brenda partisë. Pra, jemi në pikën që s’mund të mendohen ftesa reale dialogu”, tha Bushati.

“Kur figura si Sandër Lleshaj, e mbani mend kur tha në daljen e tij të parë publike se s’jam njeri politik, po e bëj këtë detyrë në emër të vlerësimit që kam për Ramën? Pra në këtë mënyrë ai u katapultua në qeveri, tani do të hyjë edhe në parti. Këtu jemi në një sistem ku vendos vetëm lideri. Rama mori ca njerëz anonimë, si Lleshaj e Cakaj, e tha këta do jenë ministra, po këta po iu imponohen edhe PS. Ky është sistem putiniano-erdoganesk, dhe jo qeveri demokratike”, tha ai.

LEXO EDHE:

Një hakmarrje e Edi Ramës si në kohën e Kristo Patanakut


Etiketa: , , , , ,

Pas