fbpx

Mapo Letrare

Besnik Mustafaj dhe Rudolf Marku, për librat e tyre të fundit





               Publikuar në : 17:45 - 30/11/19 |
mapo.al

Shkrimtarët Rudolf Marku dhe Besnik Mustafaj, kane treguar se cfarë perfaqesojne botimet më të fundit që ata sollen ne letersi. Konkretisht, Marku flet për romanin “Kesulekuqja vjen me trenin e dhjetes”, ndersa Mustafaj për romanin, “Demtuar gjate rruges”.


 



Besnik Mustafaj, per “Demtuar gjate rruges”


Me ketë roman jam për gjatë më shumë se tridhjetë vjet. Versionin e parë, si tregim i gjatë, e kam shkruar në 1989. Asokohe edhe mua, si shumë të tjerëve, diktatura e proletariatit më dukej monolitike, e pathyeshme. Ky tregim hynte ndër prozat apo poezitë, që shkruaja herë pas here pa shpresë për t’i botuar një ditë, por që doja t’i nxirrja nga vetja. Në zanafillë ishte një episod ndodhur nënës time. Në maj 1959, kur Hrushovi do të vizitonte Shqipërinë, atë e kishin thirrur në Komitetin e Partisë të Tropojës, vetë Sekretari i Parë, dhe i kishin ngarkuar për të bërë një palë opinga tradicionale, të cilat, siç ajo do ta mësonte më vonë, do t’i dhuroheshin Hrushovit. Ishte një episod, të cilin nëna nuk e përmendte kurrë.

Unë e kisha mësuar rastësisht nga gjyshi.

Nëna ishte nuse shtëpiake, me një foshnje për gjiri, që isha unë dhe pa asnjë përfytyrim lidhur me politikën. Një detyrë e tillë iu ngarkua nga Partia thjesht pse ajo ishte shumë e njohur në krahinë për aftësitë në punët e dorës me grep, me vegjë apo edhe me gjilpërë për të qëndisur. Mua më bënte përshtypje pse nëna nuk donte ta përmendte këtë episod. Madje, kur unë, burrë, me njëfarë emri si poet dhe gazetar, e nxisja të më tregonte, ajo shfaqte një frikë të vërtetë. Në zanafillë, shtysa ime për të shkruar tregimin, ka të bëjë me dëshirën për ta shprehur pikërisht këtë frikë.

I jam rikthyer tregimit në vitin 1993, kur në Shqipëri kishte ndryshuar gjithçka, ne kishim arritur lirinë dhe unë isha ambasador në Paris. Gjatë një dreke me botuesin tim francez, ia tregova si subjekt dhe ai e pëlqeu shumë. Ky duhet të jetë romani i ardhshëm, më tha. Iu vura menjëherë punës. Shkrova disa muaj, por e ndjeva se nuk ishte pjekur ende. Mungonte diçka, që nuk e përcaktoja dot çfarë ishte. Para tri vjetësh, pasi dërgova te botuesi im “Toena” librin me poezi “Biri i Adamit”, lexova versionin e lënë përgjysmë në fillim të vitit 1994.

E ndjeva menjëherë se isha gati për t’i dhënë formën përfundimtare. Fillova ta rishkruaj nga fjala e parë. Qëllimi mbetej po ai i zanafillës: të tregoja frikën, që i ka shoqëruar shqiptarët gjatë gjithë gjysmëshekullit komunist, një frikë e fshehtë, gërryese si akull në shpirt, e cila i ka penguar të marrin nga jeta edhe atë lumturinë e vogël, që mund ta gjenin në familje, brenda mureve të shtëpisë. Sepse vetë ekzistenca e një frike të tillë ishte akt politik kundër regjimit. E kam quajtur roman me fund të lumtur pse historinë e protagonistes e shkruan i biri, provë kjo se frika nuk e shkatërroi dot plotësisht. Ajo arriti të rriste një bir të aftë për të shprehur vuajtjen e saj.

Ky roman tregon çnjerëzinë e një sistemi diktatorial jo nëpërmjet fatit të të burgosurve apo të internuarve politikë, por nëpërmjet atyre që e mendonin veten në anën e pushtetit. Ai është pjesë e përpjekjes time prej shkrimtari për të treguar sa të pamundur e ka individi t’i ikë historisë së përbashkët.

 

Rudolf Marku, për “Kesulekuja vjen me trennin e dhjetes”

Romani është një ribotim i përmirësuar, që vjen gati shtat vite pas botimit të 2012-tës, nga Shtëpia Botuese Uegen. Ndryshe nga librat që botohen për së pari, ky roman ka patur kohë të ballafaqohet me lexuesit dhe mendimin kritik. Është një roman për të cilin ka pasur mbi dhjetë shkrime affirmative kritike në gazeta, revista dhe në një libër me studime letrare, që nga studjuesit serioz të letersisë Ardian Marashi, Behar Gjoka, si dhe nga shkrimtarët Preç Zogaj, Zija Çela, Visar Zhiti, Nasi Lera, Bardhyl Londo, Sami Milloshi, Ilir Selci, Petro Luarasi, pa përmendur komentet e shumë lexuesve profesionistë. Nëse ky roman është pritur mirë në variantin e parë, aq më shumë ka arsye të pritet mirë tani, në variantin e përmirësuar.

Është një roman bashkëkohës- shkruar si një narrativë moderne. Jam përpjekur të shmang praninë vulgare të pranisë së autorit teksa komunikon me mendimet e karaktereve të vepres, jam përpjekur të shmang ndajfoljet autoritare,të cilat shpesh herë lozin artificialisht me emocionet e lexuesit, duke menduar se dialogu është më të shumtën e rasteve mënyra më e mirë e komunikimit me lexuesin. Në këtë libër kam patur parasysh se asgjë tjeter nuk e vret jetën e një vepre letrare më shumë se sa shpjegimet që bën autori në atë vepër. Narracioni ka ritëm, të cilin mund ta ndjejë një lexues me vesh të prehtë, ka bashkëkohësi, me një shtrirje të gjërë kohore dhe gjeografike, ka karaktere të besueshmë deri në ngjashmëri

Romani është një histori dashurie. Nuk është një roman për diktaturën. Është një roman për vështërsitë që i dalin një dashurie të vërtetë për t’u realizuar. Çdo dashuri e madhe ka armiqt e vet. Në të gjitha kohërat. Armiq të mëdhenj, sa më e madhe që të jetë vetë Dashuria. Një temë e përjetshme. Por e veshtirë për të shkruar rreth saj, pikërisht se është një temë për të cilën kanë shkruar shekuj më parë të gjithë shkrimtarët e mëdhenj. Historia e dashurisë së Profesorit të letersisë me studenten e vet, Even, është një dramë moderne që mund të ishte quajtur dhe Dashuri në Kohë të Koleres, po qe se Gabriel Garcia Marquez nuk do të ish kujtuar më parë për këtë titull.

Një poet i njohur i Poezisë Shqipe më pat shkruar, pasi e kishte lexuar romanin- ‘ Më ke borxh dy netë pa gjumë! Sepse pas leximit të këtij libri, e humba gjumin!..Natyrisht, letersia e vertetë është e kundërta e hapave valium.

Kësulkuqja fillon me fjalinë e parë të romanit të njohur të L.P.Hartley-t, se e Shkuara është një Vend i Huaj, për të përfunduar indirekt tek mendimi se E shkuara na qënka gati- gati e vetmja e Tanishmja jonë, duam a nuk duam ne!


Etiketa: , , , ,

Pas