Edhe pse e kërcënoi seriozisht dy herë portën kundërshtare vlen të thuhet se Cristiano Ronaldo nuk ishte në formën e tij më të mirë gjatë sfidës kundër Atletico Madrid.
Fundja i vetëm nuk mund të përmbyste rezultatin po të mendosh që në pjesën e dytë e gjithë skuadra dukej e fjetur.
Gjithsesi, për të ndezur edhe më shumë tensionin rreth tij, ka menduar media spanjolle, konkretisht uebsajti “Diariogol”, i cili ka lëshuar një bombë merkatoje, ndonëse është shumë shpejt për të marrë konfirmime prej saj.
Sigurisht që kjo mund të jetë edhe një strategji, duke parë se rikthimi në Madrid i 34-vjeçarit kaloi jo pa polemika.
“Diariogol” hap një skenar bombastik, sipas të cilit ylli portugez mund të mendojë largimin nga Juventusi, në fund të këtij sezoni, pas vetëm një viti në Torino, në rast se eliminohet nga Liga e Kampioneve.
Përveç ndjesive të futbollistit, i cili erdhi me shumë shpresa dhe bujë te “Zonja e Vjetër”, duke deklaruar që në fillim se sivjet Juventusi do të ishte pretendentja kryesore në Europë, pas humbjes me Atletikon, duket se ka qenë klubi i Mançester Junajtid, ai që ka vendosur të kontaktojë menjëherë Ronaldon.
Pa dyshim, që “Djajtë e kuq” janë ekipi që besuan dhe e hodhën në futbollin e rëndësishëm Kristianon, që në adoleshencë dhe ndoshta nëse Juventusi nuk do të ishte bindur për të paguar kartonin dhe pagën, futbollisti do të kishte zgjedhur Mançesterin, por ndoshta kjo mund të jetë një ide për merkaton e verës, por gjithmonë dhe ky është një kusht absolut, nëse Junajtid do të arrijë që të kualifikohet për në Ligën e Kampioneve.
Ndryshe, do të mbetet i “parkuar” në Torino.