Mapo Format

Rotacioni politik i 2005-ës si një katalizator për ndryshim






               Publikuar në : 09:25 - 26/12/18 |
mapo.al

Pjesë nga libri “Gracka e Votuesit: Mes Alkimisë Elektorale dhe Demokracisë Hibride”


Nga Eltion Meka & Ilir Kalemaj

Periudha 2001-2005 u karakterizua nga paqëndrueshmëria politike më e lartë e viteve të tranzicionit, por edhe rritja ekonomike. Mjaft të përmendim në vitin 2001 u regjistrua rritja më e madhe ekonomike pas asaj të 1999-ës me 7.9 për qind (Gjokutaj 2014). Ishte një periudhë kur nuk mungoi mbështetja e fuqishme ndërkombëtare në konsolidimin e institucioneve të rrënuara nga kriza e 1997-ës, e konsolidimit fiskal dhe e politikave nxitëse monetare. Të gjitha këto sollën një përshpejtim të rritjes ekonomike të vendit por edhe politikisht Shqipëria po përjetonte një frymë përgjithësisht liberalizuese politike, me debate të brendshme politike brenda Partisë Socialiste që ishte në pushtet që kulminoi me diskutimet e zjarrta në KPD-në e famshme apo katharsisin e ish-kryeministrit Nano. Nga ana tjetër, Partia Demokratike vijoi të konsolidohej së brendshmi dhe pavarësisht humbjes së 2001-shit të kthehej në zë të fortë opozitar dhe të përgatitej për ardhjen në pushtet në 2005-ën. Gjithashtu, kjo periudhë u karakterizua nga fenomeni elektoral i Dushkut i cili deformoi vullnetin e votuesve dhe siç shprehet një studiues dështuan t’i jepnin vendit zgjedhjet e para demokratike në 11 vitet e fundit deri atëherë (Krasniqi 2009). Kjo për shkak të kontestimit që kishin patur zgjedhjet e 1996-ës dhe 1997-ës që u zhvilluan në kushte aspak normale.

Gjithsesi, fenomeni elektoral “Dushku” i 2001-shit, i dha një super mazhorancë partisë socialiste dhe aleatëve të vetë të cilët arritën të merrnin 9 deputetë më shumë në raundin e dytë të zgjedhjeve vetëm nga ky fshat i vogël dhe në kushte normale i parëndësishëm i Lushnjës. Kjo nga ana tjetër, përgatiti dhe përsëritjen në një shkallë kombëtare të fenomenit në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 2005-ës, natyrisht kjo e favorizuar nga sistemi elektoral dhe kodi zgjedhor i asaj kohe. Në njëfarë mënyre u kalua nga “Dushku i vogël” në “Dushkun e Madh” për shkak se kanalizimi i votës partive aleate u krye me disiplinë ushtarake nga të dyja partitë e mëdha por dha më tepër efekte për koalicionin e djathtë të udhëhequr nga PD-ja, çka solli dhe ardhjen e këtij të fundit në pushtet pas tetë viteve opozitë.

Në këtë kapitull nëpërmjet krahasimit të të dhënave që kemi gjeneruar nga Studimi Krahasimor i Sistemeve Zgjedhore (ang. Comparative Study of Electoral Systems) me vetë rezultatin e zgjedhjeve të 2005-ës së gjeneruara nga KQZ-ja, ne nxjerrim disa deduksione të rëndësishme që lidhen me vullnetin e zgjedhësve dhe si kanë votuar ata, si kanë qenë prirjet ideologjike dhe sa ka ndikuar programi respektiv i forcave kundërshtare politike për të tërhequr votuesin jomilitant apo pjesën “gri” sikundër përkufizohet në literaturë. Gjithashtu, kapitulli analizon rreshtimin dhe peshën specifike të koalicioneve, përfitimin reciprok të votave nga mazhoritari dhe proporcionali kombëtar në nivel partish dhe koalicionesh, si dhe konfigurimin qeverisës që pasoi.

Zgjedhjet e 2005-ës ishin të rëndësishme edhe për shkak se jo vetëm u zhvilluan në një klimë të qetë dhe larg tensionit që ishin karakterizuar zgjedhjet e mëparshme parlamentare por bënë të mundur dhe njëfarë ngjyrosjeje ideologjike të debatit politik, kur fluksi i ideve liberale të një grupi të asociuar me partinë demokratike, rriti koloritin e garës dhe e beri më interesante nëpërmjet paketës së propozimeve ekonomike. Këto ishin dhe disa nga arsyet shtesë që besojmë çuan në një transferim pushteti pa eksese drejt Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj, ndërkohë që kryetari historik i Partisë Socialiste dhe kryeministri i deriatëhershëm i vendit Fatos Nano dha dorëheqjen.

Në njëfarë mënyrë përtej një rotacioni të zakonshëm politik që përgjithësisht si rregull në Shqipëri nuk ka zgjatur më tepër se dy mandate konsekutive për njërën palë, çka në vetvete është një konfirmim i pjekurisë demokratike të vendeve në tranzicion në përgjithësi, këto zgjedhje shënuan edhe një thyerje të nevojshme, duke paraqitur bazën programore dhe diferencat ideore mes palëve kundërshtare si një nga “karotat” incentivuese të votuesit shqiptar. Më poshtë do shohim me hollësi këto zhvillime dhe se si dhe sa përputhen prirjet dhe perceptimet e votuesve me testin real të përfaqësimit politik, pra mënyrën se si kanë votuar dhe cila ka qenë prirja specifike e grupeve të caktuara votuesish në këto zgjedhje.

***

Të dhënat e sondazhit të radhës vijnë nga Studimi Krahasimor i Sistemeve Zgjedhore. Ky sondazh ndërkombëtar është ndërmarrë që nga viti 1996 deri sot, dhe në vitin 2005 ka përfshirë edhe Shqipërinë. Të dhënat e sondazhit janë mbledhur nga data 5 qershor deri në datën 20 qershor—pra grumbullimi i të dhënave ka filluar 2 ditë pas zgjedhjeve të 2005-ës. Në krahasim me dy sondazhet e kapitullit 3 dhe 4, ky i sistemeve zgjedhore është një sondazh i posaçëm për studimin e sjelljes të votuesve. Kjo do të thotë se sondazhi përbëhet nga një sërë pyetjesh shumë specifike të cilat lejojnë analizën e sjelljes të votuesve në një mënyrë më precize. Në të njëjtën kohë, një sërë pyetjesh të tjera të cilat ishin pjesë e Sondazhit Botëror të Vlerave nuk përfshihen te ky aktuali.

Duke filluar me personifikimin e votuesit, figura 5.1 tregon vetëvendosjen ideologjike. Vihet re menjëherë se shpërndarja ideologjike ndryshon nga ato të dy kapitujve të kaluar. Në sondazhin e vitit 1998 shpërndarja ishte normale, ndërsa ajo e 2002 tregonte një shpërndarje tepër të sheshuar, edhe pse në formën e një n-je. Në sondazhin aktual ajo që vihet re është pak shqetësuese sepse shpërndarja ka marrë formën e një U-je. Pra, nëse kujtojmë modelin e Downs (figura 2.1, kapitulli 2), kur shpërndarja ideologjike merr formën U, do të thotë se votuesit kanë pikëpamje shumë të ndryshme dhe sistemi partiak nuk është i qëndrueshëm. Zakonisht, kur diçka e tillë vihet re, do të thotë që votuesit janë të përçarë, dhe faktori përçarës mund të identifikohet. Për shembull, përçarja mund të vijë si pasojë e politikave partiake në lidhje me çështje tepër delikate, si: çështje etnike, fetare apo në lidhje me imigrimin e të huajve, ose një kombinim faktorësh.

 Figura 5.1: Shpërndarja ideologjike

Është pak vështirë të themi se në rastin shqiptar një faktor i tillë ekzistonte në 2005. Por në bazë të kapitujve të kaluar, ku u vërtetua se ata që vlerësonin sistemin komunist pozitivisht dhe ata që mendonin se demokracitë kanë probleme kishin prirje më të majta, mund të themi se gjatë viteve, kjo përçarje krijoi një formë polarizimi. Një evolucion i tillë, në fakt, vihet re kur shikohet vetëvendosja e 1998-ës e cila ishte normale, ajo e 2001-ës e cila ishte tepër e sheshuar, dhe kjo e 2005-ës e cila ka formën e një U-je. Pra, shpërndarja normale që mban formën e një n-je, është shndërruar në formën e një U-je. Edhe pse fushata e zgjedhjeve të 2005-ës ishte tepër e polarizuar, dhe mbase për herën e parë në historinë demokratike të këtij vendi, partitë politikë ofruan programe ideologjike, është prapë shqetësuese që vetëvendosja ideologjike tregon një përçarje të polarizuar. Do të ishte interesante të përdornim pyetjet substanciale mbi ideologjinë për të identifikuar me saktësi se cilat çështje ideologjike polarizonin votuesin, por fatkeqësisht ato pyetje nuk përfshihen në këtë sondazh. Gjithsesi, mjafton vetëvendosja ideologjike për analizat e mëposhtme.

Për arsyen se ky sondazh ishte i posaçëm për zgjedhjet e 2005-ës, votuesit janë pyetur për cilën parti votuan në listën mazhoritare dhe atë proporcionale. Këto dy pyetje lejojnë krahasimin e përgjigjeve të dhëna në sondazh me rezultatin e zgjedhjeve sipas KQZ-së. Sipas sondazhit, në listën mazhoritare 39.9% votuan për PD dhe 26% për PS, ndërkohë që 56 dhe 42 nga 100 zonat elektorale u fituan nga PD dhe PS respektivisht. Për arsyen se sistemet mazhoritare janë shumë disproporcionale, përqindja e votës totale nuk është proporcionale me numrin e deputetëve të përzgjedhur për parlament. Pra, edhe pse vetëm 65.9% u shprehën se kishin votuar për PD-në dhe PS-në së bashku, këto dy parti fituan 98% e deputetëve nga lista mazhoritare. Gjithsesi, mjafton të vihet re se shumica është shprehur që ka votuar për PD-në, ashtu siç reflektojnë dhe rezultatet zgjedhore, ndërsa Partia Socialiste ka zënë vendin e dytë.

Disproporcionaliteti i sistemeve mazhoritare tashmë është një njohuri e përgjithshme, të paktën brenda rretheve akademike. Por ne e përmendëm për një arsye tjetër. Sipas rezultateve të KQZ-së, në listën proporcionale Partia Republikane fitoi 19.96 të votës dhe Partia Socialdemokrate fitoi 12.74 të votës, ndërsa PS dhe PD morën vendin e tretë dhe të katërt respektivisht. Arsyeja pse në listën proporcionale PS dhe PD morën vetëm vendin e tretë dhe të katërt nuk kërkon shumë shpjegim duke ditur se PS dhe PD këshilluan mbështetësit e tyre të votonin partitë e vogla aleate në listën proporcionale. Por sipas sondazhit, ajo që është interesante, kur votuesit janë pyetur për cilën parti votuan në listën proporcionale, PD del e para me 23.6 për qind të votës dhe PS e dyta me 17.4 për qind, ndërsa Partia Republikane dhe ajo Socialdemokrate renditen e treta dhe e pesta respektivisht. Pyetja që lind është, si ka mundësi që vetëm disa ditë pas zgjedhjeve, një përqindje kaq e madhe e popullsisë i është përgjigjur kësaj pyetjeje gabimisht?

Mund të japim dy arsye për këtë mospërputhje. E para, mund të themi se përderisa votuesit ishin këshilluar nga partia e tyre të votonin një parti tjetër, në ndërgjegjen e tyre ata kishin votuar dy partitë e mëdha—PD dhe PS. Kjo nuk është problematike në vetvete, por tregon se populli nuk arrin të kuptojë se në realitet kanë votuar për një parti tjetër. Për më tepër, kjo nuk tregon një pjekuri politike nga ana e masave të gjera të votuesve. Arsyeja e dytë për këtë mospërputhje, dhe në lidhje me arsyen e parë, mund të jetë se votuesit thjesht nuk kanë kuptuar diferencën midis dy listave elektorale dhe kanë menduar se kanë votuar për të njëjtën parti në të dyja listat. Përsëri, kjo tregon një mungesë pjekurie. Në të dyja rastet, ajo shprehja ‘shqiptarët janë dele’ tingëllon shumë pastër. Pra, edhe 14 vjet pas zgjedhjeve të para demokratike sërish mungonte pjekuria politike në shkallë masive.

 

***

Zgjedhjet e 2005-ës ishin një thyerje tjetër (ang. critical juncture) e rëndësishme e periudhës së tranzicionit demokratik ku për herë të parë në më shumë se një dekadë kishim zgjedhje të ligjshme, thuajse asfare të kontestuara për së brendshmi dhe së jashtmi dhe ku diferencat ideologjike të ilustruara përmes programeve partiake luajtën një rol deri diku qendror përgjatë fushatës. Nga ana tjetër, pati ridrejtim të votës në partitë aleate brenda koalicioneve respektive, çka nuk deformoi vullnetin e zgjedhësve në finale por ishte zgjedhje taktike për të maksimizuar votat, çka u konsiderua si “Dushku i Madh” në mënyrë metaforike. Ndër gjetjet e këtij kapitulli veçojmë që në zgjedhjet e 2005-ës, votuesit ishin më të prirur të votonin ata që kishin marrë pjesë në fushata elektorale, ata që mendonin se bën diferencë për kë votohet, dhe ata që mendonin se përfaqësoheshin nga një lider politik. Pra, mendojmë se pati një rritje konstante të vendimmarrjes së votuesve bazuar në performancën elektorale, si dhe gjetjet vërtetuan hipotezën fillestare që pati rritje cilësore të përfaqësimit politik.

Ndër disa nga gjetjet e tjera specifike të këtij kapitulli, mund të veçojmë atë që më të moshuarit dhe më të shkolluarit kishin prirje të majta, ndërsa banuesit e zonave më të populluara kishin prirje të djathta. Këto janë në përputhje me gjetjet e mësipërme ku u tregua se të shkolluarit dhe të moshuarit votuan PS-në ndërsa banuesit e zonave urbane votuan PD-në. Ndërsa në lidhje me performancën e qeverisë, me përfaqësimin e interesave ne zgjedhje dhe nëse populli ndihet i afërt ose jo me një parti të caktuar, demonstruam se femrat kishin opinione më pozitive për performancën e përgjithshme të qeverisë ndërkohë që nuk ndiheshin shumë të afërta ndaj një partie të caktuar. Banorët e zonave më të populluara nga ana tjetër kishin opinione më negative ndaj performancës qeveritare dhe mendonin se interesat e individëve nuk ishin përfaqësuar mirë në zgjedhjet e 2005.

Ndër gjetjet e tjera të këtij kapitulli ishin dhe opinionet që populli ka mbi qeverisjen apo korrupsionin dhe se si ato rrjedhin në bazë të preferencave të tyre ideologjike: pra, ata që kanë votuar për partinë qeverisëse mendojnë se qeveria po bën një punë të mirë dhe korrupsioni nuk është i lartë. Po ashtu, tregon se ata që nuk mendojnë se demokracia është forma më e mirë e qeverisjes mendojnë se qeveria po bën një punë të mirë duke treguar përsëri fuqinë shpjeguese e këtij faktori trashëgimtar.

Përfundimet e tjera ndërkohë treguan se ata me opinione negative ndaj performancës qeveritare dhe ata që nuk mendonin se interesat e tyre përfaqësoheshin nga një parti, ishin të opinionit që zgjedhjet e 2005-ës nuk përfaqësuan interesat e njerëzve në mënyrën më të mirë të mundshme. Ndërsa modeli i fundit tregoi se ata me opinione pozitive ndaj qeverisë, ata që nuk mendonin se demokracia është forma më e mirë e qeverisjes, ata që nuk ndiheshin të përfaqësuar nga një parti dhe ata me pjesëmarrje politike më të ulët nuk ndiheshin shumë të afërt me një parti politike.


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas