Përveç aktrimit dhe këndimit, Rozana Radi ka vërtetuar se mund të bëjë më së miri edhe punën e moderatores. Por jo vetëm kaq, sepse së fundmi, Rozana na ka treguar se është edhe shumë e zonja në punët e dorës.
Siç e dimë tashmë ajo ka nën zotërim një dyqan të saj, i cili është i dedikuar i gjithë vetëm për fustane mbrëmjesh duke filluar nga vajzat e vogla e deri tek të rriturat. Por Rozana ka zbuluar se përveç stafit që e ndihmon për punët në dyqan, ajo angazhohet vetë në përgatitjen e disa detajeve shumë të rëndësishme tek fustanet.
Me anë të copave dhe qepjes ajo realizon lule të ndryshme të punuara të gjitha me dorë, të cilat përdoren për të personalizuar fustanet. Në ‘Instagram’ ajo ka treguar se në fakt këtë gjë e ka mësuar nga gjyshja e saj dhe për këtë i është shumë mirënjohëse.
“Unë e dashuroj punën e dorës! E kam trashëguar nga gjyshe Roza. Për gjithë dashurinë që më ka dhuruar, gjithçka që më ka mësuar unë i detyrohem shumë. Sot biznesi im mban emrin e sajë ‘Rozë’”, – ka shkruar Rozana. Madje ajo ka treguar edhe procesin e realizmit të këtyre luleve shumëngjyrëshe.