Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile paralajmëron bashkitë dhe prefekturat për marrje masash për datat 22-26 janar, teksa bazohen në parashikimet për reshje intensive shiu. Sipas IGJEUM DHE SHMU, reshjet pritet të shkojnë deri në 230 mm/24 orë në zona të caktuara, si qarqet veriore Shkodër, Kukës, Dibër, pa përjashtuar qarqet e tjera.
Duke qenë se këto reshje mund të ndikojnë në rritjen e nivelit të lumenjve kryesorë si Drini, Mati, Shkumbini, Vjosa, Semani dhe në veçanti të baseneve të Drinit, me pasoja të mundshme në përmbytje, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile kërkon me shkresë nga pushteti vendor intensifikimin e punës për vënien në gatishmëri të strukturave operacionale vendore dhe qendrore.
Po ashtu AKMC sugjeron marrjen e masave nga strukturat përgjegjëse për planifikimin dhe parapërgatitjen duke parashikuar, në rast se do të jetë e nevojshme, evakuimin dhe akomodimin e personave, si dhe të gjësë së gjallë.
Në shkresën dërguar institucioneve vendore, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile kërkon gjithashtu organizimin dhe drejtimin e punës për inspektimin në vend të gjendjes së objekteve të infrastrukturës, të mjedisit, të gatishmërisë teknike të mjeteve, si dhe gjendjen e rezervave për të përballuar situatat që mund të krijohen.
Etiketa: Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Reshje shiu