Këngëtarja e njohur me origjinë shqiptare Bebe Rexha ka rrëfyer së fundmi disa situata vërtetë të vështira, me të cilat është përballur gjatë karrierës së saj. Në një intervistë për revistën e njohur “Cosmopolitan”, Bebe tregoi se dëshiron me çdo kusht që të krijojë mjedis të sigurt për gratë, për vetë faktin se është hasur me meshkuj të cilët kanë dashur ta poshtërojnë dhe dhunojnë.
“Kur arrita për herë të parë në LA, punova me një producent shumë të madh. Ai më vendosi në një dhomë me shumë kantautorë dhe muzikantë të tjerë, që të gjithë dukeshin të droguar. Ishte një producent (tjetër) që hynte në studio dhe më masazhonte këmbët. Një herë ai u përpoq të shkonte më lart mbi gjunjë dhe po bëhej disi i ashpër, kështu që i tërhoqa këmbët. Ai tha: “Jo, unë do të bëj atë që dua”. Por unë jam rritur për të mos lejuar kurrë që dikush të prekë trupin tim nëse nuk dua që ta bëjë“- u shpreh Bebe Rexha, duke shtuar se personi në fjalë është shumë i famshëm sot.
Më pas, këngëtarja tregoi një tjetër takim të frikshëm në një dhomë studioje. “Një natë unë isha vetëm në studio dhe një producent tjetër kishte një grup prej pesë ose gjashtë djemsh. Unë kisha dëgjuar gjëra rreth tij nga e kaluara dhe thjesht nuk mund ta përballoja më. Ndihesha sikur do të përdhunohesha. Në heshtje thirra një taksi nga kabina e regjistrimit, e cila ishte e mbyllur, dhe dola prej atje. Ishte nata më e keqe që kisha kaluar ndonjëherë”.