Mapo Letrare

Rrëfenja e bibliotekares





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 22:26 - 02/06/20 |
Nga Xheni Shehaj

Një shishkë me helm


Javën e kalova në qetësi. Nuk i dhashë vetes shenja padurimi për të hënën që po vinte e të cilën do ta kaloja në bibliotekë. Gjatë fundjavës vrava mendjen se çfarë do të më pëlqente të lexoja, ose e thënë ndryshe, cilin personazh do të tërhiqja nga bota e librave për ta takuar.  Mendimet nuk më ndihmuan shumë, kështu që të dielën në mbrëmje iu dhashë një gjumi të rehatshëm e pa ëndrra. Do ta bëja të nesërmen zgjedhjen.


E hëna si fillim jave, ishte përherë e tejmbushur me punë. Dita kaloi jo shumë shpejt dhe në fund të turnit e ndjeja veten të lodhur. Pashë orën. Pas pak në godinë do të dukej roja. U mbylla brenda bibliotekës dhe qëndrova në pritje të hapave të tij. Nuk lëvizja dhe merrja frymë lehtë. Poshtë u dëgjuan çapet e burrit i cili po kontrollonte dyert e godinës një për një.


Nuk vonoi shumë dhe e dëgjova tek ngjiste shkallët për në katin ku ndodhesha unë. Doreza e derës së bibliotekës lëvizi. Unë mbajta frymën. Hapat e rojes po largoheshin përherë e më shumë. Nga dritarja e sallës, e fshehur pas perdes, ndoqa me sy siluetën e tij teksa humbiste në rrugë. Frymova lirisht.


Gjëja e parë që bëra ishte të nxirrja nga çanta e shpinës gjithë arsenalin e ushqimeve. I sistemova disi dhe nisa të sillesha përqark. Duhet të ndaja mendjen se çfarë do të lexoja atë natë. Iu afrova rafteve dhe s’di se si arrita të zgjidhja aq shpejt. Dora ime mbante shtrënguar “Romeo dhe Zhuljeta”. E kisha lexuar katër herë atë libër. E megjithatë nuk u ndala, vendosa ta rilexoja. Para se të ulesha për të filluar leximin ndjeva nevojën për të pirë një kafe.

Hapa termusin dhe derdha në një filxhan një sasi të mirë kafeje të përgatitur. Nxora një shishkë të mbushur me konjak, të cilin e pata “vjedhur” nga thesaret e babait dhe hodha disa pika në filxhanin e kafesë. Ktheva një gllënjkë e m’u duk shumë e mirë. Ktheva dhe një tjetër. Hapa librin dhe nisa të lexoja ndërkohë që çoja hera – herës filxhanin drejt buzëve. Isha përhumbur në lexim kur gati më ndali zemrën një zë burrëror, i cili më deklamoi dashurinë.

– Të dua! O dritë, o bukuri, o më e ëmbla dashuri!

Ngrita sytë dhe pashë një goxha djalë që me sytë e shkëlqyer prej dashurisë më drejtohej në gjuhën time. Ishte Romeo. E njoha.

“Epo, pikë e zezë, thashë. Vjen i biri i botës, pa të njohur, pa të ditur e të thotë të dua.”

– Pranoni zonjushë fisnike, ndjenjat e mia më të forta. Ju dashuroj o perëndeshë, o thëllëzë pendëshkruar, o…

– Ndal! Mjaft ore djalë ç’është kështu me ty? – nuk m’u durua pa e ndërprerë. – Ç’punë ke me mua xhanëm? Ti sikur ishe pleksur me Zhuljetën, nga doli kjo dashuri e beftë për mua?

– Zhuljeta, i ëmbli kujtim, tanimë prehet në varr të ftohtë, – m’u përgjigj Romeo me zë drithërimë.

– Aaa, po pse ç’të dukem unë ty, gomë rezervë? – ia ktheva jo pa nerva. – Ik nga ke ardhur djalë i mbarë.

– Po e refuzoni dashurinë time? Oh, zonjushë, ju do më shtini në varr, në varr të zi. Ju betohem që do të vdes nëse nuk i përgjigjeni ndjenjës sime. Do të helmohem këtu përpara jush.

Dhe pa më lënë kohë të mbledh mend e kokës, Romeo rrëmbeu shishkën e konjakut dhe e rrëkëlleu me një frymë. Mori një pozë mortore dhe ndenji ashtu në pritje të vdekjes. Unë se mbajta dot të qeshurën.

– Ju qeshët me ndjenjat e mia, e tani po qeshni edhe me vdekjen time zonjshuë, – rënkoi ai.

– Po ç’vdekje o lumëmadh! Po nuk ishte helm ai që pive zotrote, ishte konjak nga i babos tim. Ha ha ha! Ngrehu Romeo, ngrehu!

Vazhdoja të qeshja e mend po shuhesha prej gazit, kur Romeo para se të mbyllja librin e ta largoja unë, u ngrit i turpëruar e i dëshpëruar njëkohësisht dhe u zhduk. Shishka e zbrazur e konjakut qëndronte përdhe si dëshmitar i vetëm i asaj që ndodhi në sallë. Unë i lashë të qeshurat, mbylla librin dhe ia mora me gjumë deri në agim. Mesa dukej “helmi” më kishte topitur.

 

 


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas