Mapo Letrare

Rrëfime të vogla me Havzi Nelën








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:15 - 14/12/19 |
mapo.al

Ese nga REXHEP SHAHU


(fragment nga libri “Bisedë e përfytyruar me Havzi Nelën” që punoi 8 muaj kooperativist para se ta varnin me litar…)



Ditën që Havziu u lirua nga burgu, në Qafë Bari të Fushë Arëzit, me 19 dhjetor 1986, kanë shkuar atje për ta marrë vëllai i vogël Shukriu, me djalin, Agimin që ishte 20 vjeç, aq sa vite burg kishte berë Havziu.
Atë ditë që doli nga dera e burgut dhe ia ktheu shpinën, i shndritën sytë kur i pa që ishin duke e pritë.
Në Fushë Arës, u ndalua dhe mori 9 mijë lekë të punës së tij që kishe bërë në burg në minierë. U vonua aty duke marrë ato lekë dhe çdo minutë shprehte dyshimin e frikën se “a mos po më nxjerrin nga kjo derë e po më fusin prapë nga ndonjë derë tjetër…”


Udhëtuan bashkë të tre me autobuzin e linjës Tiranë – Kukës, që i mori në Fushë Arëz. Gjithë kohës shoqëroheshin nga dy civila dhe Havziu gjithë kohës ishe në ankth nga ai shoqërim, nga sytë që e vëzhgonin, nga veshët që ishin hapur të dëgjonin fjalë prej tij.

Pasdite vonë kur mbërritën në Kukës, Havziu u paraqit në Degën e Punëve të Brendëshme. Shukriu dhe Agimi e prisnin jashtë.

Havziu kishte frikë se do të ta mbanin aty dhe do ta nisnin direkt në internim në ndonjë vend, pasi kishin ndodhur mjaft raste të tilla, direkt nga burgu në internim.

Sa fliste me punonjësit e policisë aty, i shtohej ankthi se do ta mbanin brenda, ankth më i madh se në Fushë Arëz. Por nuk e mbajtën.

Havziu u kërkoi oficerëve të policisë vend për me fjetë, me kalue natën. Oficeri i shërbimit që ishte atë pasdite dimri i thotë se ti Havzi ke njerëz në qytet ku mund ta kalosh natën. Ishte e vështirë me shkue në Kollovoz atë natë.

Natyrisht që ai kishe njerëz në Kukës. Kishte Azem Nelën, kurshëririn e parë, shokun më të afërt të fëmijërisë, djalin e xhaxhait, Shahipit, të cilin e priti me ankth e ai nuk erdhi atë natë që Havziu u arratis…

Por natën e parë i sapo dalë nga burgu ai nuk mund t’i shkonte Azemit.

Pas dënimit të dytë Havziu ishe bërë më i huaj për njerzit dhe nuk donte të rëndonte a të provonte askënd. E pleqëroi me veten dhe vendosi të mos shkonte atë natë te Azemi, por ndonjë ditë tjetër.

Iu kujtuan shumë njerëz që njihte e që e kishin kujtuar e nderuar. Iu kujtuan paketat që ia kishte dërguar në burg Harun Nela… dhe nuk ia kishte dhënë polici e Havziu kishte bërë sherr.

Atë natë të 19 dhjetorit, bashkë me vellain Shukriun e djalin e tij Agimin e kaluan te djali i dajës Hazir, te Xhelali që ishte punëtor në Ndërmarrjen shtetërore të Ndertimit (NSHN) në Kukës dhe fjetën tek fjetorja e NSHN ku flinin punëtorët. Me Xhelalin ishte edhe Qenami, kurshërini i tij. Ata ua lëshuan dhomën por ndënjtën zgjuar gjithë natën bashkë duke biseduar e duke u çmallur.

***
Një ditë para se me të varë ty Havzi, vëllezërit e tu në Kollovoz nuk kishin bukë për fëmijët e tyre për të ngrënë darkë atë natë, nuk kishin drithë për bukë, miell për bukë.

Kishin flluar të gatuanin bukë me blidhe byku e mbeturina drithi.

Brigadieri i kooperativës, Jemin Kola, rastësisht ua sheh vetë bukën që kishin në dorë e po hanin Asllani e Shukriu, bukë me blidhe me mbeturina lëme. Ia merr një kafshatë buke nga dora Shukriut dhe e fut në gojë. Ndërsa e përtypte, ajo bënte kërc – kërc. Si me pasë zall, zhavor në gojë. Edhe më e dobët se sa dukej ishte ajo bukë. Ai tronditet dhe u thotë Asllanit e Shukriut, hajdi sonte natën te arat me kujdes… dhe merrni ndonjë dujë drithë.

Asllani me djalë e Shukria me djalë, me Fadilin, shkojnë marrin do duaj drithi me kuaj…

Edhe mbrëmjen e ditës që të varën ty Havzi, Shukriu shkon prapë për me marrë ndonjë duaj drithi me kalë, me vjedhë me dijeninë e shokëve që ishin përgjegjësa në kooperativë se Shukriu e kishte gjendjen më të dobët.

Por roja, Liman Nela, që ishte me njollë në biografi, e kapë dhe i thotë, sonte nuk duhet me marrë dujë Shukri, shko sonte, shko…

Shukriu nuk dinte asgjë se çfarë po ndodhte atë natë me ty Havzi. Nuk kishte si ta dinte se bash atë natë ty po ta vinin litarin në qafë… Ai dinte vetëm se nuk kishte drithë për bukë. Ai nuk dinte asgjë për lirinë që të mungonte ty, nuk dinte asgjë për miqtë e armiqtë e partisë, ai dinte vetëm se nuk kishte bukë për fëmijët, drithë për bukë…

Ishte mbrëmja e ditës qe të varën ty Havzi e dy vëllezërit e tu nuk kishin miell në magje. Kishte shumë roje, shumë lëvizje nëpër fshat e nëpër zonë. Ishte një frikë shumë e madhe se mos po arratisen njerzit e Havziut.

Liman Nela i këshilloi të mos lëviznin atë natë, të mos merreshin në qafë…

***
Kur punonte në kooperativë ato 8 muaj, ndodhte të bëheshin dasma e fejesa në fshat. Këndonin graria. Përmendnin në këngë emra djemsh të fshatit, emra dhëndurësh të ardhshëm. Ashtu ishin këngët…

Havziu që qante e s’i shiheshin lotët nga askush, duke qeshur thoshte shpesh në këto raste, “të gjithëve po ju del emri, po ua përmendin emrin vajzat e gratë, vetem emrin tim nuk po e përmend asnjë…”.

Qeshnin gratë e vajzat e qeshte dhe ai. Por nuk e jepte veten t’ia lexonin dhimbjen. Ishte 50 vjeç, nuk ishte i vjetër.

Ishte i vetëm, pa grua, pa asgjë, jetonte me vëllezërit, ku kishe munguar 20 vjet. Ishe pa fëmijë, ndërkohë që mund të kishte fëmijët mbi 20 vjeç pasi kishte qëndruar 4-5 vjet i martuar në Kollovoz me Lavdijen.

Dhe e shihte shumë të rëndë, të vështirë e mbase të pamundur të riniste jetën nga e para. Ishte i vrarë nga dashuria…

Vëllezërit kishin jetën e tyre, fëmijët e tyre, po i martonin e i gezonin fëmijët e veten e ai asgjë nuk kishte, asgjë…

Havziu, gjithë kohën pas burgut, ato 8 muaj që jetoi në Kollovoz dhe nuk e rinisi dot jetën ku e kishte lënë, nuk foli dhe as mendoi për gjë tjetër por vetem për të ikë nga Shqiperia. Kjo ishte tema e vetme e bisedave serioze që bëheshin mes tij e njerzve të tij.

Vëllezërit e tij, Asllani e Shukriu, herë thonin po vijmë me ty e herë thonin jo. Ata kishin shumë frikë për veten e fëmijët dhe e mendonin të vështirë arratisjen ndërsa Havziu nuk kishte kë të merrte në qafë…

Vëllezërit e tij përfundimisht nuk pranuan të iknin me të.

Ai ia kërkoi Shukriut Agimin që ta merrte me vete. Agimi donte. Ishte përgatitë me ikë me të. Ai i kishte vajtë dy herë në Burrel Havziut për ta takue në burg.

Havziu kishte caktuar edhe kohën kur do të ikte. Pasi të mbaronte dasma e Fadilit me 1 tetor dhe dasma e Hetemit që ishte me 15 tetor 1987.

E kishte vendosë që atë natë të 15 tetorit, sa të vinte nusja, do të ikte me Agimin duke shfrytëzuar rrëmujën e dasmës.

Por para Natës se kolaqit, erdhën dhe e morën Havziun.

Ka qenë drekë, ai ka qenë në gjumë kur ka ardhë operativi dhe përgjegjësi i sektorit dhe e kanë marrë, i kanë thënë, hajde me ne.

Binte shi i imtë atë ditë. Ndjehej i plogësht.

E kishte lënë parmendën në brazdë, aty mbi Oreshkë, te Ara e Asllanit, nër Kepat e Sinanit. Kiet i kishte lirue.

Ishte marrë vesh se do të arratisej dhe e morën, e çuan në internim.

Askush nuk mori përsipër ta merrte përsipër, të jepte siguri e garanci për të, as pushteti as partia as njerzia, askush, askush, askush…

***
As një muaj pasi e varën Havziun, i vdes nëna. Ajo nuk e dinte se e kanë varë Havziun. Ishte e sëmurë por nuk po i delte shpirti. Rrinte e përmendte shpesh emrin e Havziut. Dikur dikush i tha se Havzia ka krye pune…

Atëhere atë e ka lënë shpirti.

20 mortarë kanë qenë gjithsej në varrim kur ka vdekë nëna e Havziut.

Ishte kohë kose, sa kishte ra kosa në livadhe. Tasim Mata, që ka qenë aty në këtë varrim si mik shtëpie bashkë me xhaxhain e tij Avdulla Matën, thotë se 20 vetë u bëmë gjithsej. Gjysma ishin miq të familjes e gjysma bashkëfshatare jo shumë të afërt të Havziut.

Ishte kohë frike dhe nuk ishte me leverdi me marrë pjesë në varrimin e nënës së Havzi Nelës, të cilin veç pak ditë më parë e kishte varë partia.

***
Lëçitja ishte gjëja më e rëndë edhe në Kollovoz.

Por ishin mësuar njerzit e Havziut me lëçitje.

Ditën e pestë pas varjes së Havziut, vëllait të tij Shukriut i cofi kali.

As për varjen e Havziut as për cofjen e kalit askush nuk i shkoi për vizitë. Përjashto dy veta, që e kanë prishë rregullin e lëçitjes e përbuzjes, Nuhi Ali Nela dhe Bajram Biba kanë shkue me folë në të pestën e Havziut.

Në të pestën e Havziut u bënë bashkë vetëm pjestarët e familjeve të dy vëllezërve, Asllanit e Shukriut.

Të pestën e Havziut e ka organizue Asllani, vëllai i madh te shtëpia e vet, dhe i ka mbledhë të dy familjet, të veten dhe të Shukriut.

***
Ja si e përshkruajnë njerzit Havziun në ato 8 muaj kooperativist.

Ishte gjithmonë i qeshur me njerzit. I kishte hije qeshja. Kur vinte përballë tjetrit qeshte dhe e bëte tjetrin me qeshe, i qeshnin sytë, bënte dritë me qeshjen e tij, me nurin e tij.

U thoshte gjithmonë i pari njerzve, mirëmengjes, a u lodhe, puna e mbarë, natën e mirë, të vegjëlve e të mëdhejve.

Kur i thoshte ndokush, po prit o Havzi, të themi ne përshëndetjen, se je më i vjetër se ne, ai qeshte në këto raste.

Buzëqeshja ishte tipari themelor i tij.

***
Që kur u lirua nga burgu nga fundi i dhjetorit e deri me 6 maj, Havziu jetoi te shtëpia e vëllait të madh, Asllanit.

Pas këmbënguljes së tij, ia bënë shtëpinë gati, megjithëse ishte e shkatërruar, ia meremetuan dhe ai u vendos aty me 6 maj. Që me 1 maj shtëpinë e pati gati, por priti ditën e Shëngjergjit dhe atë natë doli në shtëpinë e tij pas kundërshtimeve të vëllezërve të cilëve u vinte keq që ai të jetonte i vetëm.

Pse të jetosh vetem, pa fëmijë, pa njerëz, i thonin vëllezërit…

Me më pas dashtë zoti, do të më kishte dhënë edhe mua grua e fëmijë, u thoshte ai. Pse duhet t’u ngatërrohem nëpër këmbë fëmijëve tuaj…

***
Plugonte një ditë me qe mbi Oreshkë, bashkë me Shukriun në arat e kooperativës. Secili kishte pendën e vet të qeve dhe parmendën e vet.

Havziu i ndali qetë në parmendë dhe i tha Shukriut, hajde të shkojmë të pimë ujë në Jovokoritë se është ujë shumë i ftohtë.

Të nesërmen po plugonin aty prapë dhe i thotë Shukriut, hajde të shkojmë te Kepat e Sinanit.

Ditën tjetër te Guri i Gjerdanikut, te Guri i Gjatë, te Kolibet e Shkieve…

Një ditë i thotë Shukriu, na lodhe Havzi, duke shkue sa andej – këndej në gjithë këto vende.

Ai ia kthen, due me shkue me i pa e me u çmallë se nuk besoj se do ta kem të gjatë, nuk do të jem gjallë, do të më kapin a nuk e di…

Shukriu kishte mbetë si i shtangur se nuk e dinte se nga i erdhi Havziut të fliste kështu…

Këto vizita në vende të ndryshme me Shukriun i bënë javën e fundit që e kapën dhe e çuan në internim.

Ndoshta ai ndjente gjithçka.


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas