Ai është 74 vjeç dhe thotë se pavarësisht se përndjekja komuniste ndaj tij ka nisur që kur ai ishte në bark, fatin më të madhe ka pasi i nxori fëmijët gjallë nga Kampi i Tepelenës.
Simon Mirakaj vjen në një rrëfim interesant për gazetën Mapo nga Shtëpia e Gjetheve.
“Unë kam lindur praktikisht në burg, pasi mamaja ime ishte dënuar kur ishte 7 muajsh shtatzënë me mua dhe ndodhej në burg në Shkodër. Kur isha vetëm një muajsh mora rrugën e internimit për në Berat, më pas në kampin e Tepelenës. E kam dëgjuar mamanë time të thotë; Falënderoj Zotin që fëmijët i nxora gjallë nga Tepelena, sepse atje vdiqën 300 fëmijë”.
“Por njeriu gjen forcë. Në ato kohë të errëta kishte dhe ditë të lumtura. Për mua një kohë e lumtur ka qenë koha e shkollës. Udhëtoja 4 km çdo ditë për të shkuar në shkollë, por leximi i librave ishte gjëja më e bukur që më ka ndodhur në jetë”, thotë Mirakaj.
Ironia e tmerrshme është se ai u dënua kur ishte 10 vjeç.
“Për fat të keq dosja ime fillon me internimin e familjes në vitin 1945 dhe pastaj janë ligjet e dënimeve. Ajo që më bëri përshtypje është dënimi im me ligj në moshën 10 vjeç. Ajo që më tronditi është dokumenti kur thotë; të mblidhet komisioni i dënimeve, ku janë këta gjeneralët e famshëm, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, e të tjerë. U mblodh komisioni, thotë, dhe në bazë të këtij ligji dënohet për rrezikshmëri shoqërore në moshën 10 vjeç. Pra, janë gjëra që sot mendja nuk i kap dot, por janë dokumentet e arkivës së Ministrisë së Brendshme që e vërtetojnë. Pastaj i shikoja dënimet që na jepeshin ne, nga 5 e nga 5 vjet dhe kur i mblodha ato, dolën 45 vjet. 45 vjet pa bërë asnjë krim. E sheh veten të dënuar përjetësisht. Mbaj mend që kishim bërë në gjimnaz se ajo që plagosi Leninin u dënua me 40 vjet burg dhe u lirua, ndërsa ne pa plagosur asnjë mizë, ia kaluam me 4 vjet asaj. Dosjet e sigurimit të shtetit ne nuk i kemi gjet, janë disa individë që kanë qenë në kampe e burgje që nuk i kanë gjetur dosjet e tyre të përndjekjes”.
INTERVISTA/ Simon Mirakaj: Hiqini retë e dosjeve të sigurimit, politika duhet të pastrohet
Shko ke nexhmija,gjalle e ke