Mapo Letrare

Rrëfimi i një tepisti





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 18:15 - 24/05/20 |
Nga Sergei Esenin

Poezia e huaj nga Sergei Esenin


Jo të gjithë mund të këndojnë,


Dhe jo të gjithë mund të bien


si mollë nën këmbët e të tjerëve sigurisht.


Ky është rrëfimi më i madh, e i sinqertë

Që mund të bëjë një tepist.

 

Eci me dashjen time flokshprishur

Me kokën, si një llambë mbi shpatulla.

Më pëlqen të shkëlqej në errësirë

E zhvesh vjeshtën nga shpirtrat tuaj.

Më pëlqen që gurët e fyerjeve

Më fluturojnë mbi kurriz  si breshër

Prej gromësive në stuhi.

Vetëm atëherë shtrëngoj më fort midis duarëve

Dridhjen e kaçurelave të flokëve të mi.

 

Është kaq ëmbël atëherë kujtoj

Pellgun me bar e tingullin e ngjirrur të mështeknës,

Se diku babai dhe nëna jetojnë për mua,

Që s’interesohen  për vargjet e mi asnjëherë,

Edhe pse unë jam për ta si fusha, si mishi,

Si shiu i imët për grurin e gjelbër në pranverë.

Me sfurqet e tyre ata  do t’ju shponin,

Do t’ju ngopnin, t’ju rrihnin, me dru

Për çdo britmë kundër meje

Të këlthitur nga ju.

 

Të mjerët e mi, fshatarë të mjerë!

Ju jeni shëmtuar sigurisht

Ju i trembeni Zotit e moçalit përherë.

Oh! sikur ju t’arrinit të kuptonit se,

Biri juaj në Rusi

Është më i madhi i poetëve!

 

A nuk ju ukullohej zemra për të,

Kur këmbët e zbathura zhyste

Pellgjeve të vjeshtës në fëmijëri?

Përkundrazi, ai mban cilindër në kokë,

Këpucë me lëkurë të lustruar mbath tani.

 

Por ende fle tek ai si më parë

Lakmia e çapkënit fshatar,

Çdo lope në tabelën e dyqanit të kasapit

Ai i dërgon një përshëndetje nga larg.

Dhe duke takuar në shesh karrocierët

Dhe duke kujtuar erën e plehut

Fushave amëtare ruse,

Ai është gatI të mbajë bishtin e çdo kali,

Si bishtin e fustanit të veshur nga një nuse.

E dua atdheun

E dua shumë atdheun!

Edhe nëse shelgjet e tij

I mbulon një trishtim ngjyrë ndryshku.

Të dashur janë turinjtë pis të derrave për mua

Dhe kuaksjet kumbuese të bretkosave

Në qetësinë e natës, prapë unë i dua.

 

Jam dhembsurisht i i sëmurë

Nga kujtimet fëminore,

Ëndërroj mjegullën

E brëmjeve të lagështa prillit

Panja dukej sikur strukej për t’u ngrohur

Në flakën  e perëndimit.

Sa vezë vidhja nëpër foletë e korbave,

Duke u kacavjerrur në degët e çdo druri!

A është njëlloj si dikur panja tani,

A është e gjelbër maja e saj?

Lëvoren e ka të fortë ajo si në rini ?

 

 

Dhe ti, i dashur

Qeni im besnik, pullali!

Nga pleqëria je bërë gërricës e qorr.

Duke zvarritur bishtin e varur,

Ti ecën dhe endesh në oborr,

Nuhatjen që kishe, s’e ke më.

Dhe derën  e stallës s’e gjen dot.

Oh, sa të dashura janë çapkënëritë,

Kur bukën që unë i vidhja nënës në qoshe,

Ne, e kafshonim së bashku, njëherësh të dy,

Pa lënë të na binte asnjë thërrime nëpër tokë

Qoftë nga ana ime, qoftë edhe nga ti.

 

Unë jam po ai që kam qenë në fëmijëri.

Në zemrën time s’kam ndryshuar.

Si lule misri nëpër thekër,

Sytë lulëozojnë në fytyrë.

Duke shpalosur rrogazët e artë të vargjeve,

Unë do t’ju thosha një fjalë të dëlirë:

Naten e mire!

Të gjithëve natën e mirë!

 

Nuk tringëllin më mes barit në muzg

Kosa  e perëndimit .

Sonte kam shumë dëshirë

Nga dritarja të pshurr kundër Hënës

Dritë blu, dritë kaq blu!

Në këtë blu edhe të vdesësh

S’të dhemb gjë. Ç’rëndësi ka këtu

Edhe pse unë dukam si një cinik

Të cilit i varet  një fanar në prapanicë!

Pegasus i vjetër, i rraskapitur me djersë,

A mos vallë kam nevojë për trokun tënd të butë?

Unë erdha këtu si një shërbëtor mësues,

Për të toçitur e për të celebrur minjtë.

Koka ime, si një gusht,

Derdhet në verën e flokëve rebel.

Unë dua të jem një velë e verdhë

Për vendin drejt të cilit ne lundrojmë përherë.

 

Përktheu:  Faslli Haliti

 

 


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas