Me ironinë e një tavoline ilustruese, ku ishin disa libra pa rëndësi, një tharëse flokësh e letra kuzhine, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare është shprehur se nuk mban përgjegjësi për përmbytjen e institucionit që drejton. Persida Asllani ka deklaruar se kriza e Bibliotekës është qysh në vitet ‘80, me mbivendosjen e hapësirave, jashtë çdo standardi. Ndërsa hesht Ministria e Kulturës, Asllani ka ripërsëritur idenë e të majtëve për ndërtimin e Bibliotekës së re Kombëtare, dhe themelimin e bibliotekës së qytetit të Tiranës, duke e pritur këtë vendim nga Bashkia e Tiranës
Katër ditë pas përmbytjes së katit të nëndheshëm në Bibliotekën Kombëtare dhe angazhimit për t’i tharë librat me ç’të mundnin, me letra kuzhine e tharëse flokësh, vetëm dje ka dalë para mediave drejtoresha e BK-së, Persida Asllani, duke larguar çdo lloj përgjegjësi nga vetja, qoftë morale por edhe ligjore për humbjet e fondeve.
“Unë mbaj dëshpërimin tim për këtë që ka ndodhur, jo si individ sepse e di shumë mirë përkushtimin dhe profesionalizmin e stafit, dhe kujdesin që iu kushtojmë librave dhe BK-së. Por natyrisht mbaj dëshpërimin tim për fatin dhe situatën e rëndë në të cilën është lënë trashëgimia e Bibliotekës Kombëtare, dhe ky është problem i të gjithëve. Përgjegjësi morale e të gjithëve”, ka deklaruar Asllani para mediave, në konferencën e mbajtur në mënyrë të beftë në orën 15:00 të ditës së djeshme. Deri tani asnjë ekspertizë nga specialistët për vlerësimin e gjendjes pse u shkaktua përmbytja e Bibliotekës, dhe kanë qenë kontradiktore deklaratat e Asllanit.
Brenda një viti, dy incidentet e rënda të ndodhura në Bibliotekë, në mars të 2017 rënia e zjarrit, dhe tani përmbytja nga shiu, për Asllanin lidhen me krizën e Bibliotekës, hapësirës së saj, një gjendje që është njoftuar që prej viteve ‘80.
“Ju kujtoj se në vitin 1983 ka nisur ngushtimi i hapësirave dhe kanë nisur raftet imagjinare në BK. Ju ftoj ta llogarisni dhe ta kuptoni se sa e hershme është kjo krizë e BK-së”. Por, për rastin konkret, dëmtimet që kanë marrë muret e brendshme, të katit nën dhe, Asllani nuk ka dhënë asnjë përgjigje për shkakun e përmbytjes, madje ende nuk kanë shkuar në vendngjarje ekspertiza e duhur. Ajo ka mohuar se dëmi mund të jetë shkaktuar nga punimet në shesh, ku edhe në këtë rast tha se “nuk e kemi ekspertizën për të gjykuar rreth kësaj gjëje” ndërsa presin përgjigje të ekspertëve.
“Numri i njësive të prekura nga lagështira është 12 mijë. 75% janë tharë, po punohet për pjesën e mbetur. Natyra e teksteve të lagura është e 15 viteve të fundit, libra shkollorë, letërsi, të cilat për shkak të mungesave të hapësirë nuk kanë mundur të ruhen sipas standardeve. Puna që po kryhet bazohet te udhëzuesit profesional botëror. Punohet me shpejtësi, ka një sasi pune të konsiderueshme. Merren masa për vendosjen e materiale në një mjedis të thatë, me aspirim, kemi hapur dritaret dhe kemi përdorur ventilator apo edhe tharëse flokësh”, me këtë deklaratë Asllani “lau duart” nga përgjegjësia, duke thënë madje se “përgjigjem për mbarëvajtjen e institucionit dhe të gjitha rastet e emergjencës”.
Drejtoresha e BK-së tha se për situatën i janë drejtuar Institutit të Ndërtimit, për të sjellë ekspertizën. Por, dje, për portalin newsbomb.al, drejtori i Institutit të Ndërtimit, Agron Hysenlliu ka deklaruar se nuk ka pasur në zyrën e tij asnjë kërkesë nga ana e Bibliotekës për të bërë ekspertizën e godinës së BK, pas përmbytjes në orët e para të së shtunës. Hysenlliu është inxhinieri i rreshtuar në krah të Veliajt, për shembjen e Teatrit, për rrezikun që paraqet godina e saj, por për Bibliotekën duke iu referuar newsbomb.al ai është shprehur sikur bëhet fjalë për ndonjë objekt të parëndësishëm. Ai ka folur pas deklaratës në media të Asllanit, ku ajo ka thënë se ka hyrë në marrëdhënie pune me ekspertët e Institutit për vlerësimin e situatës.
“Unë vetë isha sot për të parë gjendjen. Por shkova nisur nga disa indicie, pas një telefonate, jo se më erdhi ndonjë kërkesë zyrtare. Unë jam me vetëfinancim, nuk jam i detyruar të shkoj. Shkoj në momentin që më mbërrin shkresa. Kam një kontratë, respektoj procedurat. Grupi i ekspertëve nuk ka si aktivizohet e shkon në terren pa një kërkesë zyrtare. Unë pashë gjendjen sot dhe i kërkova drejtoreshës së Bibliotekës e ministrisë në varësi të më çojnë zyrtarisht kërkesën. Grupi i ekspertëve pastaj do vlerësojë situatën e do përcaktojë shkaqet”, tha Hysenlliu për newsbomb.al.
Rreth pyetjeve pse ende specialistët nuk janë deklaruar për gjendjen e godinës, dhe cilët do të jenë përgjegjësit për situatën e krijuar, Asllani ka pasur versionin e saj: “Atëherë sot ka ardhur drejtori, dhe qysh nesër do vijojnë me grupin e punës. Në momentin që do të dalë se cili është shkaku i përmbytjes, atëherë do të dalë edhe cila është përgjegjësia dhe kujt i takon”. Për të parë në brendi situatën, nuk janë lejuar as mediat, duke u mjaftuar me shpalljen e emergjencës, dhe fletës së bardhë të vendosur në dyert hyrëse të Bibliotekës, për të cilën u tha se “Protokollet e librave të lagur, apo të kësaj natyre, nuk lejojnë mediat, veçse hyrjen e personalit. Bëhet fjalë për të ulur rrezikun e infektimit të materialit që tashmë të dëmtuara, të tronditura, janë nxjerra nga mjedisi i tyre i ruajtjes…”
Ashtu si në rastin e Teatrit, edhe për çështjen e Bibliotekës, institucioni primar, Ministria e Kulturës po kalon në heshtje totale. Ndonëse Asllani është shprehur se ka pasur komunikim të menjëhershëm me MK-në, me të cilën kanë menduar për zgjidhje të tjera, që lidhen me “thembrën e Akilit”, largimin e Bibliotekës nga hapësirat ku ndodhen. Në këtë pjesë të çështjes, përgjigjja e Asllanit ka qenë e menjëhershme se është për një Bibliotekë të re Kombëtare, dhe domosdoshmërinë e themelimit e ndërtimit të Bibliotekës së qytetit të Tiranës.
“Bashkia dhe këshilli bashkiak duhet të mendojnë për një vendim shumë të rëndësishëm për trashëgiminë kulturore të këtij qyteti, që për momentin strehohet së bashku me librat e Bibliotekës Kombëtare”.
Zjarri i një viti më parë, si dhe përmbytja e së shtunës ka pasur një reagim masiv në rrjetet sociale, duke e konsideruar Bibliotekën të shenjtë, dhe librat identiteti i një vendi, me rrënimin e të cilës është përfshirë edhe kjo qeverisje. Por, për lexuesit dhe studiuesit kjo është pjesa më e parëndësishme, politikisht, kur janë ndeshur me dyer të mbyllur anë Bibliotekë dhe mungesë shërbimi. Nëse në dy raste ky është kufizuar nga zjarri dhe uji, pasiguria nuk duket se do jetë kaq natyrore, apo rastësisht, edhe pse konsiderohet një turp shtetëror mbi librin.
V.Murati
Shifrat e njësive të asgjësuara nga zjarri:
748 njësi bibliotekare (Fondi i koleksioneve të gazetave).
273 njësi bibliotekare (Fondi i koleksioneve të revistave).
134 njësi bibliotekare (Fondi i librit të huaj/fjalorë).
100 njësi bibliotekare (Fondi i librit të huaj).
2.053 njësi bibliotekare (Fondi i librit shqip).
Shifrat e dëmeve të shkaktuar nga përmbytjet:
Numri i njësive të prekura nga lagështira është 12 mijë. 75% janë tharë, po punohet për pjesën e mbetur. Natyra e teksteve të lagura është e 15 viteve të fundit, libra shkollorë, letërsi dhe periodikë.