Aktualitet

Rrësheni është qyteti i njerëzve të mirë






               Publikuar në : 15:20 - 12/08/19 |
Gjergj Meta

Nga dom Gjergj Meta


Sot, kur u vra Tonini para Katedrales, pikërisht në atë çast, aty kaloi një grup me francezë. Një burrë me djalin e tij dhe shokët e djalit të tij. Pasi kishin qenë në Krujë te muzeu i Heroit tonë, kishin ardhur të vizitonin Mirditën. U gjendën pikërisht në momentin që kishte ndodhur vrasja. Pasi mbaruan vizitën e tyre te Kantina e Arbërit erdhën e më vizituan edhe mua, pasi donin të dëgjonin nga Ipeshkëvi për Mirditën.



Pyetja e parë që më bënë ishte për vrasjen para Katedrales. Atëherë jo pa pezm e dhimbje u thashë:

“Më vjen keq që qëlluat në këtë çast e patë me sytë tuaj një skenë kaq makabër. E megjithatë Rrësheni është qyteti i njerëzve të mirë; i njerëzve të jetës së përditshme; i atyre burrave, grave, të rinjëve e fëmijëve që çdo të diel bëjnë të gumëzhijë Katedralja e mbushin sheshin me cicërimat e tyre fëmijërore.
Është qyteti i xhiros së darkës, e i përshëndetjes plot mirësjellje: “a mujte?”

Është qyteti i djemve dhe vajzave që mësojnë në shkolla e kanë ëndërra për jetën e të ardhmen. Një ngjarje nuk e identifikon këtë qytet. Ajo mund të kishte ndodhur kudo.

Nuk na përfaqëson një ngjarje e shëmtuar dhe kriminale. Sepse e mira e sfidon dhe e mund të keqen. E mira është me bollëk në Rrëshen.

Ne nuk do të rreshtim ta duam qytetin dhe jetën e njerëzve të këtushëm. Dhe mirditasit e duan jetën e janë njerëz të jetës”.

Pasi ata ikën vazhdova me veten time dhe e pyeta: Deri kur kështu?

Kësaj pyetje duhet t’i përgjigjemi të gjithë ama. Nga më i vogli te më i madhi, nga më i riu te më i vjetri, nga Kryetari i Bashkisë te Ipeshkëvi, nga polici i thjeshtë e deri te Ministri i Brendshëm, nga bariu deri te mësuesi e kështu me rradhë.

Jemi të gjithë pjesë e këtij qyteti e të gjithë duhet të kemi si synim të mirën e tij. E mira e përbashkët, dhe jo militancat partiake apo interesat private, duhet të jetë synimi dhe horizonti jonë i përbashkët.

Ne mund t’ia dalim në rast se punojmë bashkë, me drejtësi duke parë njëri-tjetrin në sy. Duke iu bindur më shumë Zotit dhe ndërgjegjes sonë se sa partisë apo interesit privat.

Kemi rrugë të gjatë për të bërë, por do t’ia dalim. Kurajo!

 

 


Etiketa: , , , ,

Pas