Mapo Letrare

Rreth librit “FLY WITH ME”





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 14:00 - 16/05/20 |
Nga Eli Kanina

MIRËNJOHJA IME


Kur miku im Mark Simoni, drejtuesi i Suplementit të Fundjavës tek Gazeta Mapo Letrare, më propozoi rubrikën “Më kujtohet” për të udhëtuar çdo javë me libra dhe autorë, u emocionova por edhe ndjeva përgjegjësi. Ndërkohë që udhëtimi im ndër libra, shënonte pikënisjen nga fëmijëria, të mblidhja e të përzgjidhja titujt më të bukur ndër vite, ishte goxha e vështirë.


Edhe më i vështirë bëhej shkrimi i mbresave, kur mendoja se nostalgjia ime në larminë e titujve, duhet të përkonte me shijet e lexuesve të nderuar e dashamirës të Gazetës Mapo, që ishin të moshave e kulturave të ndryshme. Keqkuptimet me familjarët e mi të përmendur në shkrime, pa qëllim dashakeqës por për një mesazh ndërpersonal, më bënë të kuptoj e pranoj, se paragjykimet e moskuptimet do të më shoqërojnë, por nuk do të ma  ndalin penën asnjëherë…


Për hapësirën e mundësuar pa kushte, të shkruaj lirshëm, ashtu siç i kam përjetuar dikur, në raport me rregjistrin e sotëm, për inkurajimin në këtë eksperiencë të veçantë por edhe për një fakt historik si shkruese tek Gazeta Mapo, që u bë zanafillë më pas e këtij libri, ndihem me fat dhe shumë e vlerësuar ndaj falenderoj me shpirt: Mirënjohje pa kufi, miku im Mark Simoni dhe sigurisht Gazeta Mapo!


PËRMBAJTJA DHE PERCEPTIMI

Libri përfshin njëzet e tre shkrime, me mbresa për libra dhe autorë. Nuk janë absolutisht titujt më të mirë, por që kanë lënë gjurmë sipas gjykimit tim, në jetët tona. Rikthimi tek këta libra të lexuar një herë prej meje, më frikësoi se mos më hiqte magjinë e dikurshme, dhe më zhgënjente. Po më ndryshoi edhe perceptimin për të tjerë, që dikur nuk i kisha kuptuar. Rileximi për të shkruar, më ndali në detaje që nuk i kisha kapur dikur, por më bëri të hap fletore e të gjej shënime që pothuaj i kisha harruar. Ishte si një udhëtim brenda vetes, pas disa vitesh, një eksperiencë emocionuese, që duke e ndarë me lexuesit fillimisht në faqet e gazetës Mapo, dhe tani në faqet e këtij libri, më përballi dhe sprovoi me pasionin tim për librat, që nuk ndalet këtu, por me frymën time…

Të ndaja kujtimet si një lexuese e apasionuar, ishte përcaktimi i statusit që mbajta parasysh, dhe më orientoi udhëtimin letrar, çdo të shtunë, për disa muaj rrjesht.

Pa detyruar askënd të lexojë titujt e përzgjedhur nga unë, por me dëshirën që nëpërmjet këtyre titujve, gjithkush të zgjojë brenda vetes emocionet për librat dhe titujt e vet, në fasha të ndryshme moshe, udhëtova entuziaste me autorë shqiptarë e të huaj, të gjallë e të vdekur, të njohur e të panjohur.
U përpoqa të jem gjithpërfshirëse, të jem vetvetja, të shkruaj çiltërsisht, duke evidentuar detaje dhe përshkruar këndvështrimin tim(atëherë dhe tani) që të ndikoj sadopak në shijen e leximit dhe dashurinë për librat.

Me modesti theksoj se nuk është një libër akademik, një udhëzues shkollarësh dhe as një kritizer i mirfilltë letrar. Është shumë më pak nga secili prej tyre, dhe janë të gjitha së bashku shkrirë tek unë, si fëmijë kureshtare, si nxënëse dhe studente ëndërrimtare, si vajzë e dashuruar dhe si shqiptare emigrante, si grua dhe nënë, si mjeke dhe si krijuese.

Jam ndier e motivuar në të shkruar, kur u jam drejtuar tre pëllumvave të mi gugashë, dy djemve dhe vajzës time. Largpamëse, dhe njëkohësisht konfidenciale, me mesazhet që iu kam përcjellë për librin si pasion por edhe si dije e argëtim, le të mbetem në bibliotekën e tyre, edhe si lexuese e apasionuar. Duke u treguar një model pasioni, shpresoj të frymëzohen për të shpërfaqur e ndjekur pasionet e tyre ciladoqofshin, me çfarëdolloj çmimi që jeta do ti sfidojë. Gjithandej dhe përkrah librit!

TË UDHËTOSH ME LIBRA

Ç’do të thotë të udhëtosh nëpërmjet leximit, përmes mbresave, me libra dhe autorë?
Mjafton leximi i pak rreshtave të një libri dhe dëgjon zërin e dikujt tjetër, që ndoshta nuk jeton prej një mijë vitesh. Të lexosh do të thotë të udhëtosh në kohë -shkruan Karl Sagan.

Ndërsa sipas Giacomo Trinci ka dy mënyra të udhëtimit nëpër libra: udhëtimi në kohë(si ai i Faustit) dhe udhëtimi në hapësirë (si ai i Uliksit). Kështu kam udhëtuar edhe unë në kohë e hapësirë, ndër vite me mbresat e mia për autorë dhe libra, së pari me mendje, më pas me shpirt, derisa nisa të udhëtoj fizikisht ku mundem. Nëse fizikisht mund të shkosh deri diku, ku të mundësojnë rrethanat, paratë dhe shëndeti, me imagjinatë mund t’i biesh globit përqark, mjafton një nxitës: në rasti tim libri! Tani fantazoj e udhëtoj me autorë bashkëkohorë, herë si lexuese mbi librat e tyre, dhe herë si krijuese me librat e mi.

NJË LIBËR PËR TË PALEXUARIT
Nëse për të apasionuarit nuk ka nevojë të gjesh mënyra për ti nxitur drejt librit, për ata që nuk dinë apo nuk duan të jenë miq të librave, ka gjithmonë justifikime, stepje e dilema, që i mban larg stendave të librarive dhe panaireve të librit. Ka pyetje naive, konfuze apo cinike, por ka edhe një përgjigje të mençur, për të gjithë.

Përse duhet të lexojmë libra? – pyet dikush.
Dhe libri përgjigjet: -Sepse edhe unë, dru isha dikur…

Çfarë më mbetet mua të them pas kësaj, me gjithë, çka kam shkruar më sipër?

Vetëm i inkurajoj të gjithë, të lexojnë kudo e kurdo, të lexojnë pa asnjë paragjykim për tituj e autorë, të lexojnë aq sa munden, mjafton të ndihen të magjepsur nga një libër!

Ka një mijë e një arsye për tu motivuar në lexim dhe secili zgjedh atë që do dhe e plotëson, duke synuar më të mirën, majën.

Por G.G.Markez ka shkruar se “ngjitja drejt majës, të mrekullon më tepër se vetë maja”.

Për mua, libri është ndërmjetësi i botëve të mia imagjinare me realitetin, është ai që lidh dy shpatet e malit në jetën time. Prej librit, teksa mençurohem duke shijuar marramendjet e ngjitjes, argëtohem kur mendoj kollotumbat e tatëpjetës… sepse kjo është jeta! Dhe libri, një shoqërues i përjetshëm!
Unë lexoj, sepse nuk më mjafton jeta!

Shkruaj, sepse më duhen disa jetë, që ta shijoj veten siç dua…

Nëse ke motivet e tua të ëndërrosh, dëshiron adrenalinë për një jetë fantastike, kërkon një qoshk ku të fshihesh rehatshëm, por dhe një arenë ku i fituari del përherë ti, nëse do që të kuptosh veten përmes leximit tek të tjerët si personazhe të përngjashëm, ke nevojë që të gjesh një mënyrë të re gjykimi, një përvojë a një zgjidhje ndryshe, nëse e ndjen dhe mendon se ty të duhet një libër, unë të ftoj përzemersisht:
FLY WITH ME!


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas