fbpx

Bota

Rreziku i konfrontimit të ri hegjemonik në Lindjen e Mesme





               Publikuar në : 11:27 - 23/10/19 |
mapo.al

Megjithëse rebelët Houthi të Jemenit morën përsipër përgjegjësinë për goditjen e objekteve të naftës saudite muajin e kaluar, sulmi u fillua me siguri nga Irani. Duke i dhënë Iranit mundësi që të demonstrojë aftësinë e tij ushtarake, Presidenti amerikan Donald Trump ka ekspozuar veten dhe aleatët e tij saudit si “tigra prej letre”


 Nga Joschka Fischer*



BERLIN – Në Lindjen e Mesme të vjetër, një konflikt i vetëm gjithëpërfshirës – midis Izraelit dhe vendeve arabe – kishte shumë fronte, dhe ishte privilegji i Perëndimit për të mbrojtur rrjedhjen e naftës në ekonominë globale. Në Lindjen e Mesme të re, konflikti përcaktues është një luftë më e gjerë midis lojtarëve të shumtë që kërkojnë epërsi rajonale.


Kjo betejë e re filloi kur ish presidenti amerikan Barack Obama filloi tërheqjen më të gjerë të Amerikës nga rajoni, por ajo është intensifikuar nën presidencën e Donald Trump. Të paktën, Obama kishte një vizion politik për rajonin. Me marrëveshjen bërthamore të Iranit për vitin 2015 që parashikoi një garë të armëve bërthamore, ai shpresoi që një lehtësim i sanksioneve dhe një rritje më e shpejtë ekonomike do të lejonte riintegrimin gradual të Iranit në bashkësinë ndërkombëtare gjatë dekadës së ardhshme. Në të kundërt, Trump nuk ka strategji, dhe dëshiron të maskojë tërheqjen e Amerikës nga rajoni, i demonstruar aktualisht në Siri nga tradhëtia e hapur ndaj kurdëve, me retorikë militante dhe eksporte masive të armëve drejt partnerëve amerikanë dhe aleatëve në Gji.

Nga ana e saj, Arabia Saudite, fuqia e pasur e rajonit, kryesisht e besimit Suni (nëse dikush nuk e llogarit Turqinë), ka kalëruar prej kohësh ambiciet për hegjemoni rajonale – të paktën në Gjirin Persik dhe në Gadishullin Arabik – dhe pikëpamjet kryesisht Shia që përfaqësohen nga Irani si rival kryesor. Në vitet e fundit, Irani dhe Arabia Saudite kanë zhvilluar një luftë të keqe dominimi në Jemen, që rezultoi me një numër masiv viktimash civile dhe një katastrofë humanitare.

Por situata ndryshoi muajin e kaluar, kur një sulm gjatë natës që synonte zemrën e industrisë Saudite dërgoi valë tronditëse në ekonominë globale. Disa drone arritën të kalojnë në hapësirën ajrore saudite, ku filluan sulme të sakta mbi instalimet kryesore të naftës. Mbrojtjet ajrore saudite – nëse ka ndonjë – duket se kanë qenë në gjumë, duke sugjeruar se sulmuesit kishin njohuri të mira për vendndodhjen.

Një sulm në mesnatë pa paralajmërim shtron pyetje të dukshme. Kush e bëri atë dhe kush e urdhëroi? Rebelët e Houthit të mbështetur nga Irani në Jemen morën përgjegjësi, por ata nuk janë në gjendje të kryejnë një sulm të tillë. Duke pasur parasysh teknologjinë e përdorur dhe logjistikën e përfshirë, i vetmi i dyshuar i besueshëm është Irani, megjithë mohimet e ashpra të qeverisë iraniane. Dhe për sa i përket motivit dhe interesit, është e qartë se Irani ka përfituar më shumë nga goditja.

Në fund të fundit, Arabia Saudite është poshtëruar në sytë e botës dhe është ekspozuar si një tigër letre. Përveç dështimit të pamohueshëm të kundërzbulimit saudit për të zbuluar ose shmangur sulmin është fakti po aq i qartë se Arabia Saudite do të humbasë luftën në Jemen herët a vonë. Në atë pikë, aspiratat e tij hegjemonike do të bëhen një burim edhe më i madh përqeshjeje.

Dhe kështu, në analizën përfundimtare, përgjegjësia për sulmin ndaj Arabisë Saudite pothuajse me siguri bie mbi Qassem Suleimani, gjeneralin që komandon njësinë e operacioneve të jashtme të Korpusit Islamik. Me këtë sulm, Irani ka dëshmuar se është një fuqi e madhe rajonale me aftësi mbresëlënëse teknike dhe logjistike, të cilat nuk mund të prishen lehtësisht. Kjo mund të ndryshojë rrënjësisht llogaritjet strategjike në rajon. Të gjitha monarkitë e naftës në anën arabe të Gjirit Persik janë pa dyshim duke rivlerësuar perspektivën, interesat dhe besnikërinë e tyre ndaj politikës së jashtme.

Irani gjithashtu e ka lënë Trumpin të duket i dobët. Pas refuzimit të tij për t’iu përgjigjur ushtarakisht një sulmi ndaj një aleati të shtrenjtënë rajon, Trump pushoi nga puna këshilltarin e tij të sigurimit kombëtar, JohnBolton, një armik i regjimit iranian. Askush nuk duhet të derdhë lot për Bolton. Por as nuk mund të përjashtohet mundësia që rrëzimi i tij të shihet si ftesë për këtë sulm.

Diletantizmi i politikës së jashtme të Trump – përdorimi i tij i termave bombastikë për të maskuar mungesën e tij të opsioneve dhe strategjisë së besueshme – duket se ka luajtur një rol vendimtar në sjelljen e situatës aktuale. Vendimi i tij për të braktisur marrëveshjen bërthamore të Iranit pa menduar për atë që do të vinte më pas ka provuar të jetë kulmi i marrëzisë dhe do të jetë shumë i rrezikshëm.

Por ka edhe një dinamikë tjetër për t’u marrë në konsideratë. Pas samitit të G7 në Biarritz, Francë, në fund të gushtit, u fol për një takim të mundshëm midis Trump dhe Presidentit iranian Hassan Rouhani. Sulmi në objektet e naftës saudite erdhi vetëm disa javë më vonë, pak para se të dy drejtuesit të ishin në NewYorkCity për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku ata mund të ishin takuar. Pyetja, pra, është nëse sulmi ishte rezultat i një lufte të gjerë të pushtetit të brendshëm midis radikalëve iranianë dhe të moderuarve.

Sido që të jetë rasti, me pozicionin e Arabisë Saudite që tashmë po gërryen, dy fuqitë e vërteta ushtarake të rajonit janë Izraeli dhe Irani. Tashmë, të dy vendet duket se po shkojnë drejt një konfrontimi të rrezikshëm. Izraeli është thellësisht i shqetësuar për aftësinë e dukshme të Iranit për të filluar sulme të sakta në distanca të gjata me drone ose raketa balistike. Nëse kjo nuk do të ishte tashmë një kërcënim i rëndësishëm për sigurinë kombëtare të Izraelit, Irani mund të përpiqet të furnizojë Hezbollah ose përfaqësuesit e tjerë rajonalë me aftësi të ngjashme.

Sikur Izraeli të sulmohej me të njëjtin precizion dhe sofistikim siç ndodhi goditja ndaj Arabisë Saudite, Lindja e Mesme do të zhytej në luftë në një shkallë të paimagjinueshme që ka përjetuar deri më tani. Mjerisht (por për fat të mirë për presidentin rus Vladimir Putin), ky është realiteti i një bote në të cilën SHBA ka braktisur çdo pretendim të udhëheqjes globale.

 

*Joschka Fischer, ish-ministër i Jashtëm gjerman dhe Zv.kancelar nga 1998-2005, një mbështetës i fortë për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në 1999, ndjekur nga kundërshtimi i tij ndaj luftës në Irak. Analiza u botua në projectsyndicate.org. Në shqip nga gazeta MAPO


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas