Aktualitet

Rreziqet e një Brexit-i pa marrëveshje







Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 10:47 - 26/09/20 |
mapo.al

Sipas gjetjeve të një raporti të publikuar së fundmi, Britania pritet të përballet me probleme të mëdha në portet e saj apo me mungesë të artikujve ushqimorë nëse nuk arrin një marrëveshje tregtare me Bashkimin Europian përpara fundit të vitit.


Periudha e tranzicionit për daljen e vendit nga Bashkimi Europian përfundon më 31 dhjetor dhe ndërsa afati po afron, marrëdhëniet po përkeqësohen.


Britania dhe BE-ja po akuzojnë njëra-tjetrën për hiprokrizi në negociata. Ndërkohë pandemia e koronavirusit mund ta bëjë edhe më kompleks ndikimin e një Brexit-i pa marrëveshje.



Trageti që lidh Doverin me Kalenë dhe Eurotunneli që lidh Britaninë me Francën janë arteriet jetike të tregtisë së Britanisë me Evropën. Rreth katër milion kamionë përdorin këto vendkalime çdo vit.


Me përfundimin e periudhës së tranzicionit për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian, shumica e mallrave do të kërkojnë kontrolle kufitare, veçanërisht nëse nuk do të ketë një marrëveshje tregtare.


Qeveria britanike paralajmëroi të mërkurën se deri në 60 për qind e automjeteve të rënda (HGV) mund të mos kenë dokumentet e duhura.

“Për këtë shkak ata do të ktheheshin prapa nga autoritetet kufitare franceze që do ta bllokonin kalimin nga Doveri në Kale.

Në rrethana të tilla, kjo mund të çojë në radhë prej 7 mijë automjetesh të rënda në qytetin e Kentit”, tha Michael Gove, ministri që koordinon punët e kabinetit qeveritar.

Tetëdhjetë për qind e ekonomisë britanike i takon sektorit të shërbimeve. Në Londër, bankat dhe shërbimet financiare tashmë janë të përgatitura për mundësinë e mungesës së një marrëveshjeje, thotë autori i raportit Jonathan Portes, i cili punon për programin “Britania në një Evropë që ndryshon”, në kolegjin Kings të Londrës.

“Ndaj ata kanë zhvendosur struktura juridike, disa anëtarë të stafit e të tjerë për t’u përballur me situatën”, thotë ai.

JP Morgan është banka më e fundit që ka njoftuar një lëvizje të ngjashme këtë javë, zhvendosjen e pronave me vlerë prej 230 miliardë dollarësh nga Londra në Gjermani.

Ekonomia britanike është tkurrur tashmë me një të pestën këtë vit për shkak të pandemisë së koronavirusit. Efektet e vazhdueshme mund të maskojnë ndikimin e një Brexit-i pa marrëveshje duke u përzierë me njëra-tjetrën.

“Do të jetë shumë e vështirë të interpretohet se çfarë po ndodh me statistikat ekonomike e të dhënat pasi ndodhemi në këtë periudhë të jashtëzakonshme. Biznesi dhe qeveria janë bllokuar tashmë duke u marrë me pasojat e COVID-it”, thotë zotiPortes.

Kufiri mes Republikës së Irlandës dhe Irlandës së Veriut do të bëhet një kufi i jashtëm mes Britanisë dhe Bashkimit Evropian. Ekziston frika se çdo kontroll kufijsh këtu, mund të shkaktonte një kthim të dhunës sektare.

Marrëveshja e tërheqjes e nënshkruar nga Britania dhe BE-ja vitin e kaluar, u hap rrugën kontrolleve kufitare në pjesën e poshtme të detit irlandez në kushtet e mos arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare. Por Londra ka miratuar një ligj për ta anashkaluar atë marrëveshje, duke shkelur në këtë mënyrë ligjin ndërkombëtar. Kjo ka nxitur shqetësime në Dublin.

“Ekziston një ndjesi në rritje se Mbretëria e Bashkuar ndoshta nuk e do një marrëveshje. Dhe se kjo ka të bëjë më shumë me menaxhimin e lojës së kush e ka fajin, pasi negociatat të dështojnë”, thotë ministri i Jashtëm Irlandez, Simon Coveney.

Por Britania këmbëngul se e dëshiron ende arritjen e një marrëveshjeje, por të tillë që t’i garantonte asaj sovranitetin.

“Ndryshimi kërkon përgatitje. Ndryshimi është ajo për të cilën votuan britanikët”, thotë ministri që koordinon punët me kabinetin qeveritar Michael Gove.

Të mërkurën kryenegociatori i Bashkimit Evropian Michel Barnier vizitoi Londrën për bisedime jozyrtare përpara një cikli të nëntë negociatash zyrtare që do të mbahen javën e ardhshme.

Analistët pohojnë se edhe nëse arrihet marrëveshja, ajo nuk do të jetë gjithëpërfshirëse dhe problemet mund të mos shmangen, pavarësisht nga rezultati.


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas