Komiteti Teknik i Ekspertëve ka marrë vendimin për të zgjatur orën policore 20:00-06:00 për një periudhë dyjavore, pas rritjes së infektimeve me koronavirus.
Masat e reja parashikojnë ndalimin e lëvizjes për qytetarët pas orës 20:00 si dhe mbylljen e aktiviteve të bareve dhe restoranteve, me përjashtim të shërbimit delivery në shtëpi, ndërsa nuk do të penalizohen ata që janë në punë dhe lëvizjet për shkaqe urgjence.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, u shpreh dje se masat e reja do të jenë për një periudhë dy javore dhe do të hyjnë në fuqi nga dita e nesërme, e enjte 11 shkurt.
“Masat e reja parashikojnë ndalim qarkullimi i lëvizjes nga ora 20:00 e mbrëmjes deri në orën 06:00 të mëngjesit, për një periudhë 14 ditore, duke filluar nga nesër, deri në 25 shkurt.
Si dhe ndalimi i aktiviteteve të bareve dhe restoranteve nga ora 20:00 të mbrëmjes deri në 06:00, me përjashtim të shërbimit në banesë. Masë e cila hyn në fuqi ditën e enjte“, u shpreh Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë tha gjithashtu se në 7 bashki do të rikthehet mësimi online për shkollat e mesme si në Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz, për periudhën 11 shkurt – 26 shkurt.
“Jemi në një situatë kur, kemi shtim të numrit te infektimeve, kemi ulje të moshës së të prekurve si rrjedhoje dhe e relaksimit të sjelljes pas festave të fundvitit dhe periudhës më pas, ndaj si pasojë e çfarë përmenda më sipër kemi një shtim të ndjeshëm të misioneve të Urgjencës Kombëtare, të misioneve në banesë dhe transferimeve në spitale. Kjo situatë është shoqëruar dhe shtim të shtrimeve në spitale dhe rritje të numrit të pacienteve në terapitë intensive“, u shpreh Manastirliu.