Ekonomia shqiptare po kalon ditë të mira. Kështu thuhet në raportin periodik të Bankës Botërore, i prezantuar sot.
“Rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2017 parashikohet të forcohet në 3.8 për qind, e mbështetur nga investimet private, përfshirë projektet energjetike të financuara nga IHD-të, dhe rigjallërimi i konsumit familjar,” thuhet në raport.
“Rritja ekonomike në vitet 2018-19 pritet të jetë më e moderuar në mesatarisht 3.6 për qind, ndërsa ritmi i rritjes së konsumit privat do të përshpejtohet”.
Sipas BB, zgjerimi ekonomik ka krijuar vende pune.
“Politika fiskale e kujdesshme, që vijoji e tillë edhe gjatë vitit zgjedhor, ka reduktuar borxhin publik. Përshpejtimi i reformave për konsolidimin e financave publike, përmirësimin e efikasitetit të shpenzimeve, reduktimin e rreziqeve nga sektorët e energjisë dhe financiarë dhe forcimin e sistemit ligjor, janë me rëndësi kritike për forcimin e besimit dhe rritjes ekonomike të Shqipërisë,” thuhet në raport.
“Kreditimi për individët u rigjallërua në gjysmën e parë të vitit 2017, megjithatë zgjidhja e ngadaltë e kredive me probleme (NPL) vijon të jetë pengesë për kreditimin e bizneseve”.
“Perspektiva afatmesme ekonomike për Shqipërinë është pozitive, megjithëse rritja ekonomike parashikohet të jetë më e moderuar në mesatarisht 3.6 për qind për 2018-19, për shkak të përfundimit të dy projekteve të mëdha të energjisë dhe mungesës së planifikimit të projektve të tjera të mëdha”.