Mijëra herë janë shpërndarë nëpër rrjetet sociale fotot e momentit kur deputeti Edi Paloka sulmon me bojë kryeministrin Edi Rama. Garda thotë se ishte një lëndë kimike e parapërgatitur ndaj do padisë penalisht Palokën.
“Futja kot o Edi Paloka. Si mund të bojatisësh dikë që i ka dalë boja!?” shkruan ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.
Në fakt seanca e sotme dihej që do ishte e ashpër, pasi vjen dy ditë përpara protestës së 16 shkurtit.
Por Paloka nuk vendosi të veprojë në emër të PD-së, të paktën kështu thotë selia blu, por sepse ishte fyer personalisht. Në të vërtetë, Paloka ra pre e talljes së kryeministrit Edi Rama për shkak të mënyrës se si flet. Meqë nuk ka një mësuese që të ndëshkojë nxënësin Rama për bulizmin e tij, Paloka e mori vetë situatën në dorë.
Ministrja Elisa Spiropali e vijoi më tej bulizmin, kur tha se Paloka ka defiçenca. Madje u bëri thirrje qytetarëve që të mos ndjekin shembuj të tillë.
Mirëpo qytetarët nuk po dinë më çfarë shembujsh të ndjekin. Edhe sjellja e kryeministrit si bulist nuk është për t’u ndjekur.