Saturday, March 25, 2023
  • Login
Gazeta Mapo
  • Shqipëria
    • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Ekonomi
    • Sociale
  • Opinione
    • Editorial
    • Analizë
    • Koment
    • Blog
    • Gjeopolitikë
  • Universiteti
    • Politologji
    • Jurisprudencë
    • Economi
    • Inovacion
    • Mjekësi
  • Bota
    • BE
    • Kosova
    • Maqedoni
    • Mali i Zi
    • Globi
  • Revista
    • Libri
    • Letërsi
    • ShowBiz
    • Shije
    • Sport
No Result
View All Result
Gazeta Mapo
No Result
View All Result

“Rroft Shqypnija!”: Fjalët që mbyllën kryengritjen e Delvinës

by mapo.al
25/05/2019
in Dikur
1

Nga Veli Haklaj 

VIJON NGA NUMRI I DJESHËM



Vendimi i Trupit Gjykues

Me telegramin e datës 18 qershor 1937, ministri i P. Mbrendshme Musa Juka i përgjigjet servisit të datës 16 qershor të prefektit Zef Kadarja për dënimet që duhet t’u jepen të pandehurve: “Pëlqehet mendimi juej përsa i përket dënimit me vdekje të Ismetit, Ismailit, Shtëpanit, Hidajet Hajno Lekdushit, postëkomandantit të burgut e ndihmësit të postëkomandantit të qëndrës edhe me burg të përjetshëm të Shefqet Gjolekës, Ali Nivicës, Hidajet Shehut e Ago Agajt, e të tjerët në bazë të nenit 4”.

Kurse me anë të telit-shifër të datës 24 qershor 1937, ministri i Punëve të Mbrendshme Musa Juka i përgjigjet telit të datës 23 qershor 1937, të prefekturës së Gjirokastrës, duke porosit: “Në vendimin që do të japin, gjyqi duhet të qesin poshtë të gjitha pretendimet dhe fjalët që ka folë Ismet Toto dhe Xhelal Shtëpani dhe lëvizjes duhet t’i jepet ngjyrë komuniste, siç flet  pretenca e prokurorit. Vendimi i dënimeve me vdekje duhet të përmbajë vetëm ata persona për të cilët na keni njoftue emnat dhe ju kemi dhanë aprovimin dhe të tjerët do të dënohen sipas fajësisë së faktueme me ato dënime që parasheh ligji për faje politike. Për me arsyetue mirë vendimin, siç flet teli i juej i sipërm, komunikimi i vendimit mund të shtyhet edhe deri të shtunën, ditë në të cilën gjyqi patjetër duhet të marrin fund plotësisht.”.

Më 26 qershor 1937, ditën e premte, ora tetë e mëngjesit, Gjykata e Posaçme për Faje Politike, në Gjirokastër, e formueme prej kryetarit nënkolonel Abedin Xhikut, anëtarëve civila Eqerem Hados e Dhimitër Godës dhe anëtarëve ushtarakë major Shan Vila e kapiten I-rë Lan Kraja; asistuem prej sekretarëve Pandeli Kosovës e Enver Topullit, duke qenë gati prokuror z. Kiço Bisha shpalli vendimin e dënimit të të pandehurve.

Vendimi i Trupit Gjykues u dha kundra 192 personave të pandehur.

Vendimi i trupit gjykues u dha kundra 192 personave të pandehur dhe u bazue në akt-akuzën e prokurorit të Gjykatës së Posaçme për Faje Politike, nr. 4, datë 8 qershor 1937, si dhe në vendimin e gjyqtarit hetues të posaçëm nr. 4, datë 7 qershor 1937. Të pandehurit kapiten Ismail Gjylbegu, Ismet Toto, nëntoger Xhelal Shtëpani, Hidajet Ahmet Hajno, Ali Nivica, Ago Shero Agaj, Shefqet Gjoleka, Hidajet Sheh Abazi, së bashku me të vrarët Ethem Toton, Tajar Goxhon, Xhevdet e Bejkush Gjolekën, për të cilët ishte vendosë pushimi i ndjekjeve ligjore, u akuzuan se “kanë formue nën kryesinë e Ethem Totos një komitet të fshehtë me qëllim që të prishin qetësin e vendit dhe të ndërrojnë formën e Regjimit të vendosur nga Asambleja Kombëtare dhe për realizimin e këtij qëllimi kanë formue një bandë t’armatosun e cila nën kryesin e Ethem Totos dhe me bashkëpunimin e këtyne, më datën 15 maj 1937, zapton Delvinën, Gjirokastrën e Tepelenën, tue çarmatosë tradhëtisht postat e xhandarmërisë gjatë rrugës si ato të Muzinës, Jergucatit, Sofratikës e të Gjirokastrës, ku në bashkëpunim me kapiten Ismail Gjylbegun, të pandehurit e tjerë kapter Ramadan Muhamet Vermiku, reshter Mato Sheremeti nga Progonati dhe Riza Sejat Bajua nga Prishta e Skraparit, çelën burgun dhe formojnë prej të burgosurve, si i armatosën, dhe një bandë të armatosun dhe drejtohen për në Vlonë, por përpiqen në Sevastër, në Qafën e Plloçës, me fuqitë qeveritare dhe shpartallohen më datën 16 maj 1937, në mbramje, tue veprue gjat 24 orëve të veprimtarisë së tyre gjith çka gjër e gjatë përshkruhet në vendimin e hetuesisë”.

Të pandehurit e tjerë u akuzuan se “u kanë ndihmue këtyne në këto vepra anarkike dhe tradhëtore në mënyra të ndryshme, tue marrë pjesë në banda, tue propogandue etj.”.

Në vendimin e Trupit Gjykues, me provat e mbledhura në procedimin gjyqësor, hidhet poshtë pretendimi i të pandehurve që kryengritjen e 15 majit ta kualifikojnë si patriotike, kjo “deri sa gjithë aparati qeveritar e Regjimi udhëhiqen nga parime idealistike e patriotike”.

Trupi Gjykues hodhi poshtë edhe pretendimin tjetër të të pandehurve se kryengritja e tyre ishte drejtue ekskluzivisht kundra qeverisë. Kjo nuk i shfajësonte ata nga akuza e tradhëtisë, sepse “çdo violencë që i bâhet qeverisë i drejtohet pushtetit legjislativ që përfaqëson fuqin sovrane të popullit”.

Në vijim, në vendimin e Trupit Gjykues theksohej:

“Presioni që të pandehunit kanë dashur t’i bânin Sovranit nga Vlora, në rast se mbërrinin atje, vë në dukje qëllimet e tyne të errëta anarkike e antikonstitucionale mbasi kjo mënyrë veprimi le të kuptohet qartësisht sa ata donin ta zhvishnin Sovranin nga fuqitë që populli shqiptar i lirë dhe i plotë ndërgjegjshëm i ka akordue me Statutin Themeltar, tue dashtë kështu me ndryshue formën e regjimit dhe me e zhyt tërë popullin shqiptarë në një anarshi vëllavrasëse e komuniste, gjë që vihet në evidencë si nga deponimet e Shefqet Gjolekës, Ali Nivicës e Ago Shero Agajt, gjithashtu dhe nga dëshmija e dëshmitarëve të së Drejtës Botnore, kapitenave Ded Jakovës e Luigj Berishës. Që kjo kryengritje nuk mund të kishte qëllime të tjera veçse anarkiko-bolshevike del sheshazi nga mjetet e përdoruna prej të pandehurve, sepse nuk mund të bëhet kryengritje patriotike me kriminelë të rekrutuar nëpër burgjet e këtij vendi, me vrasje të njerëzve të pafajshëm, me plaçkitje deposh dhe me rrëmbim të hollash prej thesarit publik, ashtu dhe me grisje aktesh gjyqësore, sikurse kanë bërë të pandehunit në rastin konkret. Aforizmi se qëllimi dhe përfundimi justifikojnë mjetet, në kohërat e sotme, asht i reprovuar dhe i dënuar jo vetëm prej moralit shoqëror, por edhe prej moralit politik në gjithë botën e qytetëruar dhe nuk ka vend aplikimi, veçse n’ato vende ku janë zbatue teoritë shkatërrimtare të Karl Marksit”.

Mbasi u deklarue vendimi i fajësisë, prokurori u ngrit e tha:

Vepra e fajtorëve Ismail Gjylbegut, Ismet Totos, Xhelal Shtëpanit, Ali Nivicës, Mato Sheremetit, kapter Ramadanit, Hidajet Hajnos, Shefqet Gjolekës, i takon nenit 4, të Ligjës Ndëshkimore për Faje Politike, ajo e fajtorëve Ago Shero Agajt, nenit 6, të asaj ligje, dhe ajo e fajtorëve të tjerë nenit 5, po të asaj ligje, prandaj në bazë të këtyne neneve kërkojmë të vendoset caktimi i dënimit të tyne.

Avokatët mbrojtës të fajtorëve kërkuan lehtësimin e dënimit të të mëkambësuemve të tyre. Gjithashtu në këtë mënyrë kërkuan lehtësimin e dënimit edhe të gjithë fajtorët.

Në përfundim Trupi Gjykues, pasi bisedoj çështjen e së drejtës, bashkarisht e në mbështetje të nenit 4 të Ligjës Ndëshkimore për Faje Politike, vendosi ndëshkimin e kapiten Ismail Gjybegut, Ismet Riza Totos, nëntoger Xhelal Shtëpanit dhe kapter Ramdan Muhamet Brakës me vdekje dhe të fajtorëve Hidajet Ahmet Hajnos, Ali Hajdar Nivicës, Shefqet Myslim Gjolekës, Mato Sheremet Qenit me 101 (njëqind e një) vjet burgim.

Duke marrë parasysh se, simbas vendimit të fajësisë, faji i fajtorit Ago Shero Agaj i takon nenit 6 të Ligjës Ndëshkimore për Faje Politike, Trupi Gjykues, bashkarisht e në mbështetje të këtij neni, vendosi ndëshkimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

Duke marrë parasysh se faji i fajtorëve të tjerë i takonte nenit 5 të Ligjës Ndëshkimore për Faje Politike, Trupi Gjykues, bashkarisht e në mbështetje të këtij neni, vendosi ndëshkimin me 20 (njëzetë) vjet burgim të fajtorëve Hidajet Sheh Abazit, reshter Riza Sejat Hajdërbeut, xhandarë Bejko Sabriut, Neshat Zazanit, kapter Ruzhdi Islam Petavajt, Vahid Rushid Goxhos, Murat Hodo Zejnelajt; me nga 15 (pesëmbëdhjetë) vjet burgim të fajtorëve Çerçiz Shuko Qenit, Methat Nezir Goxhos, xhandarë Qerim Murat Hodaj, Sadik Shaqir Buzos, Teki Sabri Kolaneci, Shefqet Isa Babametos; me nga 10 (dhjetë) vjet burgim të fajtorëve Fejzo Hazbi Dalipit, xhandarë Hamit Demçe Gjinajt, Kanan Shuko Qenit, Muftar Musto Buzos, Nevzat Abdul Sinanit, Sulo Ismail Shehajt, Fejzo Dino Zekës; me nga 8 (tetë) vjet burgim të fajtorëve Demo Labo Kuça (Kika), Arif Metli Qenit, Ali Majko Kahremani, Ethem Nevruz Qenit, Hilmi Reshit Mullajt, Hajdar Çerçiz  Brahimajt, Kalem Mehdi Shemos, Dino Mersin Kërmës; me nga 5 (pesë) vjet burgim të fajtorëve Avni Sadedinit, Ali Veis Loçit, Ali Mehmet Muftarit, Ajet Axhem Gavos, Balil Meleq Shoshës, Fadil Salih Bushit, Hulusi Fejo Zurbos, Gjonlekë Ali Kokonajt, Halil Mehmet Sinos, Hysen Habib Hoxhatit, Idriz Rakip Demos, Lamçe Godo Kasnecit, Muslim Murto Nikollës, Mihal Jani Maksakulit, Selim Sabri Matohitit, Sulo Xhelil Çanosinajt, Sabri Ali Brahos, Sejdo Nurçe Shametajt, Xhelal Metli Balilit, Ziaudin Riza Haxhiut, Haxhi Osman Cikaleshit, Kadri Ferhat Agajt, Kojdhel Bajram Tahirit, Sejdi Dervish Kapos, Sabri Hamza Muço-hasanajt, Qazim Sadik Malajt,  Ramadan Harun Shametit; me nga 3 (tre) vjet burgim të fajtorëve Arif Sherif Krishtit, Dhimitri Mihal Maksakulit, Labo Koçi Shemos, Qazim Hysni Baxhos, Tahir Riza Çelos, Rahim Resul Shehajt (Cama), Saliko Shefqet Pollos, Bajram Tare Bashimit, Haki Hazbi Llukës, Tare Nazim Tola, Sulo Fejzo Haskajt, Shefqet Skondë Haskajt, Xhafer Sadik Nelajt, Yemr Reis Nelajt, Xhafer Çelo Llukajt, Xhafo Xhemo Rapos; me nga 2 (dy) vjet burgim të fajtorëve Ethem Resul Camos, Esat Shaqir Lelos, Mero Reis Kërmës, Mensur Sadik Racës; me nga 1 (një) vjet burgim të fajtorëve  Noti (Panajot) Pilo Ceka, Muço Selman Gjonliku, si dhe të burgosunve Murat Xheladinit, Kanan Kalos, Hajri Izet Manes, Turabi Raid Peçit, Said Emin Lulit, Safedin Avdi Topuzajt, Maliq Osman Lleshit, Tahir Sokol Currajt, Martin Lulash Nikajt, Miço Nani Qeskos, Kristo Nani Qeskos, Thimio Kristo Kokalit, Adem Zejnel Nanajt, Rexhep Ajtullah Thaçit, Ismail Kadri Allamnit, Nevrus Adem Muços, Hysen Sulo Haxhi-hasanit, Ismail Mustafa Dedës, Shaban Hasan Visha, Sul Kadri Drizallës, Said Met Laçit, Haxhi Salih Kazmikut, Foto Ilo Vitos, Sulo Lilo Agos, Demir Hasan Koçit, Qamil Selfo Tanos, Sherfif Shaban Shehajt, Hasan Siri Peçit, Sheme Xhelo Gegajt, Dervish Salih Qeses, Shuko Nazif Çumanit, Musa Selo Abdurahmanit, Reis Ibrahim Alinajt, Braho Axhem Peçit, Tahir Hasan Baçit, Arif Adem Mesit, Jashar Tahir Hodes, Lamo Tare Halos, Qazim Ismail Veizit, Marash Delia Kolës, Bajram Ali Suçit, Ali Hajdar Mujës, Rexhep Nezir Hasanit, Muftar Sulejman Gjergjit, Abdul Vahid Dufit, Abas Tahir Hodos, Haki Ibrush Gunajt, Rexhep Hasan Bashremes Tushe Zejnel Seferit, Ismail Zejnel Currajt, Mehmet Sadik Memushajt, Preng Mark Sheri, Kamber Numan Turçit, Hazbi Kamber Dokos, Zaim Habib Brehamit, Beqir Hysen Hafësagajt, Shaban Mane, Geg Marka Gegës, Tahir Sadik Kurdinës, Arif  Xhafer Lusha, Safet Bajo Kërmës, Myrto Bajo Kërmës, Haxhi Kaman Zites, Sinan Jaho Mamajt,  Xhezo Musa Canajt, Azis Salih Bucit, Fehti Kasëm Bockos, Bejdo Izet Danos, Ajas Arif Goros, Degë Xhafer Gumenit, Sulo Maksud Begës, Braho Hysen Demës.

Vuajtja e ndëshkimit të tyre fillonte nga data e rreshtimit për secilin të dënuem. Vendimi, përsa i përket dënimit me vdekje, duhej të dekretohej nga Nalt Madhëria e Tij Mbreti, dhe, përsa u përket dënimeve të tjera, duhej të miratohej nga Ministria e Punëve të Mbrendshme.

Konform nenit 12 të Ligjës Ndëshkimore për Faje Politike, më datë 27 qershor 1937, ministri Musa Juka i dërgoi Kryeministrisë kopjen e akt – gjykimit të Gjykatës së Posaçme për Faje Politike me lutje që “të keni mirësinë me ja parashtrue për aprovim Nalt Madhnis së Tij Mbretit, për sa i përket dënimeve me vdekje”.

 

Qëndrimi i Ismet Totos në burg, kërkesat për faljen e tij

Më 18 qershor 1937, prefekti i Gjirokastrës Zef Kadarja dërgon këtë shkresë për Zyrën Sekrete: “Dje Ismet Toto i kish dërgue nji letër drejtorit të burgut që t’ja impostonte të vëllait në Torino, të cilën po jua paraqesim. Sot kish kërkue një pjekje edhe me mue dhe kështu shkova dhe u takova me të. Më tha se dje i kishte dërgue një letër vëllait në Torino të Italisë dhe m’u lutë dhe mue që ta ndërmjetësoja me anë të konsullatës sonë për kthimin e tij në Shqipëri, sepse tha menjëherë dyshoj se e gabojnë t’arratisunit tonë politik si Ali Këlcyra me shokë, që të bashkohet me ta dhe në anën tjetër dëshiroj që të zënë vendin e Tahsinit në dyqanin që kam në Tiranë me një ortak. Ju përgjigja se do ta demarshoja për këtë punë”.

Ndërkohë, në përgjigje të kërkesës së familjes, më 9 korrik 1937, Selahudin Toto, vllai i Ethem Totos, vjen nga Italia në Durrës dhe niset për Delvinë. Menjëherë Zyra Sekrete i kërkon Prefekturës Gjinokastër që “të kenë një vëzhgim mbi sjelljet edhe kontaktet e tij me persona të tjerë”. Përgjigjet e ardhura nga Prefektura e Gjirokastrës, por dhe ajo e Beratit, tregojnë se detyra e survejimit të Selahudin Totos është përmbushë me zell.

Takimin me Ismet Toton në burg, më 18 qershor 1937, prefekti Zef Kadarja e shfrytëzon për të shtuar informacionin për arsyet e kryengritjes së Delvinës. Ai i kërkon Ismet Totos që, tani që pyetjet në gjyq morën fund, t’i tregojë në konfidencë, pa qenë nevoja me mbajtë proces-verbal, se ç’qëllim kishit me kryengritjen dhe me kë keni kenë në lidhje ose marrëveshje. Ismet Toto iu përgjigj: “Kryengritja është përgatitë në ato rrethana që kam deklarue mâ parë dhe përveç Ago Agos, që kish marrë përsipër me pre telefonat e me përgatitë nji fuqi të vogël, me asnjë tjetër nuk kemi pasë marrëveshje. Ethemi më pat thanë se, po ta zëmë Vlorën, fuqinë do ta bâjmë së paku njëmijë vetësh dhe aty, në rast se nuk do na pasonte edhe ndonjë qark tjetër në kryengritje e do shifshim se nuk do t’i arrijshim qëllimit, atëherë do të bâjshim një luftë të fortë që të vriteshin prej anës sonë 300 – 400 veta e mandej po të mujshim do të ikshim jashtë, por në Shqipëri do të krijojshim një situatë të kritikueshme”.

Ismeti kishte mjaft shpresa se Nalt Madhënia e Tij Mbreti do ja falte jetën. Bile, me bindje për këtë gjë, ai iu lut prefektit Kadarja që ta ndërmjetësonte mbas vendimit të gjyqit për transferimin e tij në burgun e Tiranës, pasi atje ai “do të merrej me përkthime librash për të mujtë me qitë jetesën”.

Duke shpresuar në faljen e jetës familja e Ethem Totos dhe Ismet Totos, si dhe motra e tyre Gjylso, i dërgojnë një telegram Mbretit në Durrës të firmosur prej njëmbëdhjetë firmash. Më 26 qershor 1937, nënprefektura e Delvinës ia dërgon këtë telegram Zyrës Sekrete, në Tiranë. Telegrami kishte këtë përmbajtje:

“Gjykatorja politike e Gjirokastrës me vendimin e saj të sotëm dënoj me vdekje edhe Ismet Toton. Ky dënim na ka tronditur rëndë dhe na ka dëshpëruar thellë. Me vrasjen e Ethemit dhe të Tahsimit mbetet pa pasë ndonjë mbrojtje një familje e tërë dhe e madhe e përbërë nga një plak, katër gra dhe gjashtë çiliminj. Burrat dhe baballarët tanë nuk kanë lânë as pasuni, as të ardhuna, as edhe ndonjë strehë. Hidhnimi i thellë dhe mizerja ekonomike e sotme dhe e nesërme e një familjeje të pafajshme na shtyn t’u bâjmë apel përulësisht ndjenjave humanitare dhe bujare të njohura mirë të Lart Madhërisë s’Uej edhe të lutemi të denjojë të mëshirojë për jetën e Ismetit tonë, i cili mbetet i vetmi mbrojtës i jetës së kësaj familjeje të madhe e të shkretë. Familja e jonë, e cila ka dëftue me vepra dhe me sakrifica besnikëri dhe atashament ndaj personit të Sovranit August dhe ndaj regjimit të tij, lyp mëshirë dhe gjenerozitet në këtë rast tragjik në të cilin vihet në rrezik edhe jeta e kaq qenjeve njerëzore të pafajshme të gjora dhe të pambrojtura. Të Lart Madhërisë s’Uej mirënjohtës për jetë”.

Po më 26 qershor 1937, prefekti i Gjirokastrës Zef Kadarja dërgon këtë servis për ministrin Musa Juka:

“Dje më erdhi një person me më pyetë për një telegram që mejtohej me i bâ Mbretit me kërkue mëshirë për të dënuarit. Mbasi i dhashë të kuptojë që drejtësia e ka kryer punën e vet dhe mëshira është vetëm në të drejtën e Sovranit, i cili e çmon vetë rândësinë e mëshirës ose jo, hoqën dorë nga kjo iniciativë. Tash më lamëron Saranda se edhe atje është marrë një iniciativë e tillë prej Koço Haritos. I thashë nënprefektit që në mënyrë indirekte t’i jepet me kuptue se një iniciativë e tillë, për arsye që shpjegova mâ sipri, âsht e pavend. Nënprefekti më tha se si duhet të veproj në rast se insistohet. Lutemi përgjigjen shpejt”.

Përgjigja e ministrit Musa Juka po atë ditë ishte mbyllje shtegu për veprime të tilla: “Mëshira që do të tregohet ose jo për të dënuarit nuk është punë që i përket popullit, prandaj nji iniciativë e tillë duket e pavend”.

Më 27 qershor 1937, prefekti Zef Kadarja i dërgon një servis extra ministrit Musa Juka, ku i lutet me e njoftue se “a mund të lejohet motra e Ismetit, që âsht e martueme, e cila do të piqet me të edhe lutet se a mund të lejohet edhe familja e tij që âsht në Delvinë e qi po insiston për leje”.

Të nesërmen më 28 qershor 1937, ministri Musa Juka i përgjigjet prefekturës së Gjirokastrës se “familja Toto lejohet me u pa me Ismetin, por gjithmonë në prezencën e ndonjë personi t’uej besnikë, i cili duhet të kujdeset se mos shkëmbehen letra e sende të tjera pa dijeninë tuej”.

 

Komunikimi i Ismet Totos me Mbretin Zog

Ismet Toto preferoi të komunikonte dhe drejtpërdrejt me Mbretin Zog. Pas dhënjes së dënimit me vdekje, më 26 qershor 1937, ai i shkruan këtë telegram Mbretit Zog:

“Në këtë moshë kaq të re arrita pikën kulminante të jetës, që përpara âsht det e mrapa greminë. Stop. Tashma dhe jeta për mua âsht e tmerrshme. Stop. Nalt Madhnija Juej Jini në gjendje të përshtatshme të gjykoni në se unë meritoj jetën apo vdekjen. Stop. Cilido qoftë vendimi i N.M.T. unë do përpiqem ta kuptoj si solucionin mâ të mirë për mua.

Me përulësi,

Ismet Toto”.

Ky telegram ju dërgue Zyrës Sekrete nga prefekti Zef Kadarja me nr. extra, datë 26 qershor 1937, dhe u raportua më datë 28 qershor.

Shokët e mjerimit të Ismet Totos, Hidajet Lekdushi dhe Teki Kolaneci, disa muaj pas ekzekutimit të Ismet Totos, ia dorëzuan autoriteteve të burgut letrën që ai kishte shkruar  natën që do t’u ekzekutonte.

Ata vërtetuan me betim në ndërgjegje të pastër se letra e shkruar është e njëjtë me origjinalin, mbasi origjinalin e kishte  Hidajet Shehu dhe mbasi e kopjoj Teki Kolaneci e Hidajeti, tue dyshuar se mos ja zinin autoritetet në kontrollin që mund të bënin, e grisi, kurse kopjen e mbajti Tekiu e cila është tekstualisht si mâ poshtë:

“Sulmova jetën dhe më pushtoji vdekja, me kthetrat e saj të ndyra me masakroji për së gjalli. Kënga ime papritmasi u kthye në një ulërime shurdhese dhe unë besnik i trurit tim të shëndoshë i tronditur qëndroj në këmbë dhe vrej se ato ligje të psikollogjisë nëpër të cilat ecen jeta dhe zhvillimi i njij turme janë të vërteta: sundojnë vetëm ata njerës që meritojnë dhe duhet të jetojnë, ata njerës që janë në lartësin e vdekjes dhe e shikojn drejt pa frik e tmerr. Sa më i pazhvilluar të jetë njeriu aq mâ tepër i trembet vdekjes. Jeta që s’ka një qëllim âsht nji jet kafshe, jeta që s’ka një dëshirë supreme një shtytje të ngutur për të kuptuar dhe për të harrijtur një famë më të lartë dhe më të kulluar, jeta që nuk âsht një përpjekje e vazhduar drejt një bote kuptimi dhe rregullimi më të plotsuar dhe të përsosur, ajo nuk âsht jete. Edhe sot vashdoj të rroj duke menduar, ajo udhë që më solli  në këtë abyss, udha e mendimit të sinqertë dhe e pasjes një qëllim në jetë, nuk âsht e gabuar. I vdekur mund të jesh më i math dhe më i fuqishëm se i gjallë, mâ tepër na udhëheqin të vdekurit se sa të gjallët. Madhëria dhe forca e një njeriu kompletohet mbasi vdes. Miq dhe shokë në jetë pata pakë, gjithsej 5 a 6, vetem me ata u kuptova plotësisht dhe kur ndenja e qava hallet me ta, ndjeva një lartësim në brendësirën time. Ndjeva vlerën e të qënurit gjall. Nga hiçi erdha në hiç shkojmë. Ay çast i shkurtër që quhet jetë duhet të mbushet me fisnikëri, me shpirtngroftësi, me gjallëri, dhe sidomos me mendime. Sa gjall digju, dhe nëpër atë djegie lësho dritë dhe ngroftësi.

Bota nuk është e atyre që ngrohen, bota  âsht e atyre që digjen. Po të mos qe dielli prej zjarri dhe duke u djegur s’do kish as jetë as botë. Mendja e shpirti e tundin dhe e mbrujnë lândën.

Ismet Toto”.

 

Ekzekutimet, fjala e fundit e Ismet Totos

Më datën 26 qershor 1937, prefekti i Gjirokastrës Zef Kadarja i dërgon këtë telegram ministrit Musa Juka:

“Besoj se misioni për të cilin isha dërgue këtu u mbarue. Puna dhe preokupacioni i madh që kam pasë ndër këto gjashtë javë, ditë dhe natë pa reshtun, më kanë lodhë shumë. Prandaj ndij një nevojë të madhe për pak çlodhje. Sidomos edhe jeta në hotel, ku mungon çdo konfort si në ngranje ashtu dhe në fjetje, më âsht bâ e padurueshme. Ju lutem shumë, prandaj të keni mirësinë me më lejue të kthehem në Tiranë.

Nderime e të fala.

Zefi”.

Përgjigja e ministrit Juka ishte mohuese: “Për deri sa të marrin fund aprovimi i vendimit të gjyqit, largimi i titullarit të asaj prefekture nuk shifet i arsyeshëm”. Kjo lidhej me pasjen nën kontroll të situatës në Prefekturën e Gjirokastrës deri në marrjen fund të ekzekutimeve të organizatorëve të kryengritjes së Delvinës. Zoti Zef Kadarja ishte evidentuar si njeriu i sprovuar për këtë qëllim.

Me shkresën e datës 29 qershor 1937, Prokuroria e Gjyqit Politik Gjirokastër i kërkon Zyrës Sekrete që “mbasi ushtarakët, simbas kodit penal ushtarak dënohen me pushkatim në gjoks ose në shpinë edhe tue qenë se vendimi i dhânun nuk përmend mënyrën e ekzekutimit, lutemi që për ushtarakët e dënuem në rast aprovimi të caktohet edhe mënyra e ekzekutimit”.

Propozimi i Kryeministrisë për dekretimin e dënimit me vdekje të të impikuarve kryesorë në kryengritjen e Delvinës qëndroi njëmbëdhjetë ditë në tavolinën e punës së Mbretit Zog. Bazue në nenin 12 të Ligjës së Posaçme për Faje Politike, në Durrës, më 9 korrik 1937, Mbreti Zogu I dekretoi aprovimin e Akt-Gjykimit nr. 2, datë 26 qershor 1937, të Gjykatës së Posaçme për Faje Politike, përsa i përket dënimit me vdekje të kapiten Ismail Gjylbegut, Ismet Totos, nëntoger Xhelal Shtëpanit, kapter Ramadan Muhamet Braka dhe urdhëroi zbatimin e tij.

Ky dekret iu dërgua për veprim prefekturës së Gjirokastrës nga ana e  ministrit të Punëve të Brendëshme, Musa Juka, brenda ditës. Kurse të nesërmen, më datë 10 korrik 1937, ministri Juka porosiste Prefekturën e Gjirokastrës që në marrëveshje me prokurorin Kiço Bisha të ekzekutojnë dekretin e Mbretit Zog për sa i përket dënimeve me vdekje. Për sa i përket oficerave ekzekutimi do të bëhej simbas ligjeve ushtarake, kurse i civilave simbas ligjeve civile në fuqi.

I kujdesshëm dhe për detaje, ministri Juka urdhëronte Prefekturën e Gjirokastrës për marrjen e masave që “kur të ekzekutohet vendimi i Gjyqit për sa i përket katër personave të dënuem me vdekje, nuk duhet lejuar kërrkush që të marrin fotografi, qofshin civila, qofshin zyrtarë, si kur të nxiren prej burgut për me i dërgue në vendin e ekzekutimit, ashtu edhe mbas ekzekutimit”. Gjithashtu ai porosit që “pranë vendit ku do të ekzekutohen, në rast se ka ndërtesa, duhet të kujdeseni që mos të merren fotografina edhe prej ndërtesave”.

Me telegramin e dërguem nga Prefekti Zef Kadarja, me datën 12 korrik 1937, ora 5.20, njoftohet Zyra Sekrete, në Ministrinë e Punëve të Brendshme se “sot u ekzekutue vendimi nr. 2, datë 26 qershor 1937, i Gjyqit të Posaçëm për faje politike për sa i përket të dënuarve me vdekje Ismail Gjylbegu, Ismet Toto, Xhelal Shtëpani dhe Ramadan Braka”.

Një ditë më pas, prefekti Kadarja informon Zyrën Sekrete se “ekzekutimi u ba në orën tre e dyzet minuta në mëngjes dhe se të gjithë të dënuarit kanë tregue pak a shumë kurajo”.

Në momentin e ekzekutimit, më datën 12 korrik 1937, ora 3.10 të mëngjesit, në kalanë e Gjirokastrës, nga anëtari i Gjyqit Ushtarak kapiten I-rë Asllan Kraja, sekretari i gjyqit Ramiz Bejko, ndihmës i Postës së Burgut tetar Vejsel Selmani dhe gardiani i rojes së Burgut Ismail Selfo u mbajt procesverbali mbi deklaratat që bënë para ekzekutimit të dënuarit.

Ismet Toto deklaroi: “Nuk kam kurgja ndonji porosi për familjen t’eme, vetem se i lë kujtim gruas t’eme sahatin e dorës, si dhe një unazë” duke shtuar “Rroft Shqypnija! Rroftë Djelmnija, pse kjo do ma marrin hakun”.

FUND

 

Burimet

AQSH, Fondi 152, Viti 1937.

AQSH, Fondi 157, Viti 1937.

AQSH, Fondi 294, Viti 1937.

“Arbëria”, 1936.

“Demokratia”, maj 1937.

Eqrem bej Vlora, Kujtime, vëllimi i dytë 1912-1925, Tiranë 2001.

Fletore zyrtare nr. 1, 11 janar 1936, dhe nr. 37, 19 maj 1937.

Fjalori enciklopedik shqiptar, “Kristalina-KH”, V.III, Tiranë, 2009,

Ismet Toto, Larg dhe afër, saga e një familjeje, “UET Press”, Tiranë, 2017.

“Miku i popullit”, 28 nëntor 1931.

Veli Haklaj, Kryengritja e Delvinës e vitit 1937, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009.

LEXO EDHE:

Kryengritja që do sillte Diktaturën e Ndritur në Shqipëri

Si u shpartallua kryengritja që kërkonte ‘Diktaturën e ndritur’

Cilët ishin mbështetësit potencialë të kryengritjes së Delvinës

Diktatura e Ndritur e Totos përballë gjykatës politike të Zogut

Tags: Ahmet ZoguDiktatura e NdriturIsmet Totokryengritja e DelvinësVeli Haklaj

JU SUGJEROJME

NGJARJA E DITËS 30 VITE MË PARË/ Listë për heqje telefonash në Tiranë
Dikur

NGJARJA E DITËS 30 VITE MË PARË/ Listë për heqje telefonash në Tiranë

13/02/2023
Nga punonjëse seksi në “mbretëreshë”/ Zheng Yi Sao, piratja më e rrezikshme në histori
Dikur

Nga punonjëse seksi në “mbretëreshë”/ Zheng Yi Sao, piratja më e rrezikshme në histori

30/06/2022
Shqipëria një vend plot me kontradikta, u përpoqa për ta kuptuar por nuk ia dola!
Dikur

Shqipëria një vend plot me kontradikta, u përpoqa për ta kuptuar por nuk ia dola!

14/06/2022
Përkujtimi / Mitrush Kuteli, i burgosuri i diktaturës si “armik i popullit”
Dikur

Përkujtimi / Mitrush Kuteli, i burgosuri i diktaturës si “armik i popullit”

04/05/2022
Next Post
Demokratja e radhës së parë të protestave rrëfen orët e qëndresës

Demokratja e radhës së parë të protestave rrëfen orët e qëndresës

Comments 1

  1. Miu says:
    4 years ago

    Rroft Shqypnia duke ngritur krye kunder shtetit shqiptar?!?!?

No Result
View All Result

     








Më Të Lexuarat

  • NGJARJA E DITËS 25 VITE MË PARË/ Të jesh fotoreporter në Shqipëri; Armando Babani, fotografi i ngjarjeve
  • NGJARJA E DITËS 25 VITE MË PARË/ PD ka zhvatur 1 miliard
  • NGJARJA E DITËS 25 VITE MË PARË/ PR kundër demokratëve
  • NGJARJA E DITËS 25 VITE MË PARË/ Ambasada jugosllave i refuzon vizat Ilir Metës dhe Afrim Krasniqit
  • Zyrtare/ Berisha dhe Meta dorëzojnë koalicionin në KQZ: Bashkë fitojmë



Editorial: [email protected]
Synimi: Ndikimi në debatin dhe veprimtarinë e aktorëve shoqëror përmes përthyerjes së ngjarjeve dhe fenomeneve me interes publik është synimi kryesor i Gazetës

Editorial: [email protected]
Synimi:
Ndikimi në debatin shoqëror dhe veprimtarinë e aktorëve shoqëror përmes përthyerjes së ngjarjeve dhe fenomeneve me interes publik është synimi kryesor i Gazetës

Marketing

Drejtor Marketingu
Ledio Trungu
Tel : +355683673191
Email : [email protected]

2022. Te gjitha te drejtat e rezervuara
Dev by Wearedope.com

No Result
View All Result
  • Shqipëria
    • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Ekonomi
    • Sociale
  • Opinione
    • Editorial
    • Analizë
    • Koment
    • Blog
    • Gjeopolitikë
  • Universiteti
    • Politologji
    • Jurisprudencë
    • Economi
    • Inovacion
    • Mjekësi
  • Bota
    • BE
    • Kosova
    • Maqedoni
    • Mali i Zi
    • Globi
  • Revista
    • Libri
    • Letërsi
    • ShowBiz
    • Shije
    • Sport

2022. Te gjitha te drejtat e rezervuara
Dev by Wearedope.com

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In