32 të arrestuarit e megaoperacionit të policisë “Rruga e Gabuar” të cilët pajisnin me dokumente të falsifikuara dhe më pas trafikonin drejt SHBA dhe Kanada persona të ndryshëm kundrejt shumave që arrinin deri në 20 mijë euro, kanë dalë sot përpara Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Mapo.al zbardh detaje të reja për këtë grup kriminal që përbëhej nga 36 persona dhe vepronte në disa qytete të vendit ku kishin ngritur laboratorët e falsifikimit të dokumenteve.
Ky grup ndihmonte edhe persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe me precedentë kriminalë.
Burime për Mapo.al thanë se Hajri Seferi, anëtar i bandës së Shijakut, grup kriminal që trafikonte drogëra të forta në drejtim të BE dhe që u zbulua pas përgjimeve të prokurorisë për heroinën e Hasit, ishte pajisur me pasaportë false dhe kishte planifikuar të arratisej pak para operaracionit të RENEA dhe FNSH të koduar “Vol-Vo4” pasditen e 21 tetorit 2018.
Mësohet gjithashtu se ka edhe të tjerë persona me të shkuar kriminale që janë pajisur me dokumente identifikimi false nga banda e falsifikatorëve.