Aktualitet

Rruga e një barbari








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:30 - 31/10/20 |
Enver Robelli

Nga Enver Robelli



Një valë e re terrori islamist rrezikon ta shndërrojë Evropën sërish në arenë të përgjakshme.
Terroristi që vrau tre njerëz në një kishë në Nicë të Francës u lind në vitin 1999 në Tunizi. Sipas të dhënave të autoriteteve franceze, ai erdhi në Evropë më 20 shtator, përmes ishullit të Lampeduzës në Itali.


Më 9 tetor krimineli islamist u pa në Bari të Italisë. Tek autoritetet franceze ai nuk ishte i njohur. Me gjasë terroristi arriti në Nicë të enjten në mëngjes. Këtë e dëshmojnë regjistrimet e kamerave të sigurisë në stacionin e trenit në Nicë. Në vendin e krimit autoritetet gjetën: një Kuran, një qese me gjëra personale, një thikë 35 cm të gjatë dhe dy thika të tjera të papërdorura.



Prokurori i antiterrorit konfirmoi se vrasësi në prani të policisë klithi “Allahu akbar”. Sipas presidentit francez Emmanuel Macron 7000 ushtarë do të mbrojnë shkollat, kishat dhe objekte të tjera publike. Prefekti i Nicës e quajti krimin në qytetin e tij “Islamo-fashizëm”, i cili, sipas tij, nuk mund të luftohet me ligjet aktuale. Që nga viti 2015 Nica për herë të tretë u godit nga terroristët islamikë.
Dita e enjte ishte ditë e barbarëve. Kriminelët që thirren në fe e në profetin islam sërish rrokën armët (thika, revole) për të vrarë civilë, njerëz të pafajshëm. Në Nicë fashisti i lartpërmendur hyri në një kishë dhe së pari vrau një grua 70-vjeçare (ia këputi kokën). Pastaj e theri me thikë shërbëtorin e kishës. Një grua e tretë kërkoi shpëtim në një kafeteri, por vdiq aty nga plagët që ia shkaktoi banditi që thirret në “profetin Muhamed”.


Çfarë besimtarësh janë ata që mendojnë se profetin e tyre “e mbrojnë” duke ua hequr kokën njerëzve të pafajshëm? Fashistë e qelbësira! Bërllok social! Monstrumë që çirren “Allahu akbar”. Sulme kishte edhe në qytete të tjera franceze dhe në një konsullatë të Francës në Arabinë Saudite.


Lufta kundër këtij bërlloku social është detyrë parësore e Evropës. Kush e përdor thikën apo armë të tjera për të “mbrojtur” kinse fenë e tij, ai nuk duhet të ketë vend në Evropë. Shteti juridik duhet të mprehë armët e tij për t’ia këputur kokën hidrës kriminale që thirret në islam. Politikanët shqiptarë kudo që janë duhet të kuptojnë e lexojnë si duhet shenjat e kësaj kohe të zymtë dhe të jenë prijetarë në shkatërrimin e çdo tendence të fanatikëve për të importuar ideologji të reja fashiste.

Brenda pak javësh Franca u godit tri herë nga terroristët. Më 25 shtator u goditën me sëpatë kasapi dy punëtorë të rinj të një produksioni televiziv. Zyra e tyre gjendej afër zyrave ku dikur gjendej redaksia e revistës kontroverse satirike “Charlie Hebdo”. Sulmuesi ishte pakistanez. Më 16 tetor një refugjat çeçen ia hoqi kokën arsimtarit të historisë Samuel Paty, i cili në kuadër të procesit mësimor dhe debatit me nxënës mbi lirinë e mendimit kishte treguar edhe karikaturat e revistës “Charlie Hebdo” në të cilat tallet profeti i myslimanëve.

Situata në Francë nisi të tensionohej me gjasë pas fillimit të procesit gjyqësor kundër të dyshuarve për pjesëmarrje në sulmin kundër revistës “Charlie Hebdo” në vitin 2015, me atë rast në redaksi u vranë 10 persona. Tensionet u shtuan këto ditë pas paralajmërimit të presidentit Macron se do të ndërmarrë masa të rrepta kundër fanatikëve fetarë. Presidenti turk Rexhep Taip Erdoan e sulmoi ashpër verbalisht kolegun e tij francez. Natyrisht Erdoan nuk është fajtor për krimet islamiste në Francë, por kontributi i tij për acarimin e situatës nuk është i vogël. Pretendimi i tij se Franca po ndërmerr një fushatë linçimi kundër myslimanëve është – rrenë!

Pas sulmit të parë në shtator, Macron mbajti në fillim të tetorit një fjalim programatik mbi islamin. Ai tha se duhet të luftohet “separatizmi islamik”, i cili si ideologji konsideron se ligjet e tij janë më të rëndësishme se ligjet e republikës. Njëkohësisht Macron tha se nuk duhet lejuar stigmatizimi i myslimaneve. Ai pranoi se një pjesë të fajit për situatën e bart edhe Franca, e cila ka lejuar “getoizimin” e komuniteteve myslimane. Macron planifikon që në të ardhmen të hiqet dorë nga “importimi” i imamëve nga Turqia dhe vendet e Magrebit.


Etiketa: ,

Pas