PD denoncoi sot se janë paguar 10 milionë euro kundër ligjit për Edmond Begon, një personazh i njohur ky për miqësinë me Sekretarin e Përgjithshëm të PS, Taulant Balla.
Opozita e akuzon Begon për trafik droge dhe si i tillë ligji e ndalon të marrë pjesë në tendera publikë. Ish-deputetja Albana Vokshi publikoi faturat e pagesave të qeverisë për Edmond Begon i cili ka hyrë nënkontraktor pas vitit 2015 për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan, ndërsa në dokumente specifikohet se punimet janë kryer për llogari të kompanisë greke, “Aktor”.
“Pagesat për mikun trafikant të numrit 2 të Partisë Socialiste, përmes kompanisë “Inerte Express”, janë të shkruara e zeza mbi të bardhë. Janë 10 milionë euro të paguara kundër ligjit si nënkontraktor për punimet në autostradën Tiranë – Elbasan, që kur Edmond Bego u bë mik familjar me Taulant Ballën“, u shpreh Vokshi.
Pagesat e kryera për “Inerte Express” të Edmond Begos
Ajo i bëri thirrje SPAK të hetojë skemën e diktimit të nënkontraktorit për përfitimin e paligjshëm të 10 milionë eurove.
Gjithashtu, Vokshi theksoi se “Edi Rama dhe Taulant Balla janë përgjegjës për gjobitjen e re 44 milionë euro nga Arbitrazhi Ndërkombëtar për Tiranë-Elbasan“.
Deklarata
Autostrada Tiranë-Elbasan është një nga modelet sesi veprat më të mëdha publike janë përdorur nga qeveria e Edi Ramës për të futur në xhepat e pushtetarëve miliona euro përmes nënkontraktorëve të diktuar nga qeveria.
Trafikanti i drogës Edmond Bego është prova më e qartë dhe e pakundërshtueshme se ai hyri si nënkontaktor pas vitit 2015 dhe u pagua 10 milionë euro për punimet në autostradë vetëm pasi lidhi miqësi me Taulant Ballën.
Pagesat për mikun trafikant të numrit 2 të Partisë Socialiste, përmes kompanisë “Inerte Express”, janë të shkruara e zeza mbi të bardhë. Janë 10 milionë euro të paguara kundër ligjit si nënkontraktor për punimet në autostradën Tiranë – Elbasan, që kur Edmond Bego u bë mik familjar me Taulant Ballën.
Lista e pagesave tregon se punimet e trafikantit të Taulant Ballës janë kryer për firmën “Aktor” nga viti 2015 deri në vitin 2018 në kundërshtim me ligjet e vendit.
Ky është një rast që duhet të hetohet me prioritet nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion.
Trafikanti i drogës Edmond Bego e ka të ndaluar nga ligji i prokurimeve publike që të marrë pjesë në tendera. Sipas ligjit asnjë i dënuar për trafik droge nuk mund të përfitojë para publike.
Por, kur një trafikant është mik i Taulant Ballës, ligji shkelet me të dyja këmbët nga qeveria e Edi Ramës, duke i bërë dhuratë atij 10 milionë euro.
Për këtë drejtësia duhet të hetojë.
SPAK dhe organet e tjera të hetimit duhet të verifikojnë të gjithë procedurën sesi i dënuari Edmond Bego ka marrë në shkelje të ligjit 10 milionë euro nga qeveria shqiptare.
Duke zbardhur këtë aferë, prokuroria do të bjerë në gjurmët e Taulant Ballës dhe të vetë Edi Ramës, duke i bërë vendit një shërbim të paçmuar në luftën e vërtetë kundër korrupsionit.
Miku i gjithëpushtetshëm i Mond Begos, Taulant Balla, di shumë gjëra që SPAK-ut i interesojnë.
U interesojnë edhe shqiptarëve, të cilët sot duhet të fillojnë e të paguajnë një më një 44 milion eurot, si dënim nga Arbitrazhi Ndërkombëtar për sjelljen korruptive të qeverisë me autostradën Tiranë-Elbasan.
Përgjegjës për këtë gjobë tjetër të madhe, që do ta paguajnë shqiptarët me taksat e tyre, është Edi Rama dhe Taulant Balla.
Është koha për t’i dhënë fund me votë plebishitare qeverisjes që paguan 10 milionë euro trafikantin e drogës dhe ngarkon qytetarët më të varfër të Europës me gjoba korrupsioni.
LEXO EDHE:
Balluku: Pse fitoi kompania greke në arbitrazh – arrestuam përgjegjësit e ARRSH
“Aktor”/ LSI publikon letrat e Haxhinastos për Ramën: Humbja në arbitrazh, nga mosrimbursimi i TVSH