Aksidentet vazhdojnë të jenë një problem i madh për Shqipërinë, edhe pse qeveria ishte angazhuar që ta trajtonte me seriozitet këtë çështje. Aq të shumta dhe të rënda janë aksidentet, sa njëri prej tyre ka përfunduar edhe në mediat gjermane. Televizioni RTL i ka kushtuar një kronikë aksidentit të ndodhur para disa ditësh pranë mbikalimit tek zona e njohur si ‘Casa Italia’.
“Në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë, ka ndodhur një aksident i rëndë. Aq i fortë ishte aksidenti, sa makina u nda në dy pjesë. Por nuk do e besoni: shoferi mbijetoi. Ai rrëshqiti poshtë një kamioni. Nga makina e tij Volkswagen nuk ka mbetur shumë. Shoferi duket se ka pasur një engjëll mbrojtës. Ai shpëtoi vetëm me një plagë në fytyrë, që iu shkaktua nga airbag-u. Makina e tij është tashmë një grumbull teneqesh,” thuhet në kronikë.
Ndërkohë 3 muajt e parë të 2019-ës shënuan rritje të aksidenteve rrugore. Sipas shifrave që jep INSTAT, 48 persona humbën jetën në aksidente ku muaji më i përgjakshëm ishte marsi ku u regjistrua gjysma e viktimave. Numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore në mars rezulton se është 24 persona nga 14 që ishte një vit më parë. Ndërsa në total në mars të këtij viti numërohen 127 aksidente rrugore nga 123 aksidente të ndodhura në mars 2018, duke u rritur me 3,3 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kurse një statistikë e publikuar me të dhëna nga Europa, tregon se Shqipëria mban rekordin absolut për numrin e vdekjeve nga aksidentet për 100 mijë mjete. Shqipëria është e para me 107.2 vdekje për 100 mijë mjete. Vende si Greqia e kanë këtë numër vetëm 12.6, kurse Italia e ka 7.3. Serbia e ka 34.5.
Në këtë situatë ekspertët rrugorë kërkojnë ngritjen e një autoriteti mbikëqyrës për të rritur sigurinë rrugore.