Aktualitet

Rrugët marrin jetë, 5 viktima nga një përplasje














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 10:47 - 27/08/21 |
Mirgen Çela

Një aksident fatal ka ndodhur dje në Muzinë, ku pas një përplasjeje një furgon me 6 vetë ka rënë në greminë, 5 prej të cilëve humbën jetën menjëherë. Ka mbijetuar vetëm një grua shtatzanë. Shkaku ishte një parakalim i gabuar i një fuoristrade që drejtohej nga një 22-vjeçare. Ngjarja tragjike e djeshme e rëndon bilancin e viktimave dhe të plagosurve në 10 ditët e fundit të këtij muaji, ku në rrugë nga aksidentet kanë vdekur 14 persona dhe janë plagosur 39 të tjerë






Nga Mirgen Çela


Aksidenti tragjik në Qafë Muzinë ndodhi rreth orës 16:00. Një mjet tip ‘Land Rover’ që drejtohej nga 22-vjeçarja Rexhina Çelhaka, përplasi furgonin taksi ku udhëtonin 5 persona. Shkak u bë shpejtësia dhe një parakalim i gabuar. Mjeti me pasagjerë përfundoi në greminë, duke i shkaktuar vdekjen shoferit Bardhi Prodo 51 vjeç, pasagjerëve Fiqiri dhe Drita Korçarit, përkatësisht 77 dhe 72 vjeç, si dhe dy personave të tjerë të paidentifikuar ende.







Parandjenjë dhe mrekulli, gruaja shtatzanë i mbijeton aksidentit
Një grua shtatzanë, pati fatin t’i mbijetonte këtij aksidenti të rëndë. Siç raportohet në media, ajo ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Në një prononcim për mediat, motra e saj tha se Zoti është i madh. Zëri i dridhej, e fjalët nuk i dilnin. Sipas saj ka pasur një komunikim njëminutësh me të motrën e cila po shkonte drejt saj me furgon. Ajo theksoi se e motra kishte pasur një parandjenjë. “Ishte shumë e tronditur, qante. Tha që ishte mirë. Ka thyer krahun. Kam pasur një komunikim njëminutësh. Nuk ka fat më të madh. Po vinte tek unë, se ishim në Sarandë. Edhe më tha që kishte një parandjenjë të keqe. Zoti është i madh, nuk e di.” – tha ajo.




Aksidentet rrugore prej ditësh kanë qenë lajm kryesor i mediave pasi shumë prej tyre kanë qenë fatale. Gazeta Mapo sjell një përmbledhje të aksidenteve rrugore për periudhën 17-26 gusht. Bilanci është i frikshëm, tronditës. 14 të vdekur dhe 39 të plagosur për 10 ditë. Kambanat e alarmit po bien për mungesën e sigurisë në rrugë. Tragjeditë parandalohen duke marrë masa.



Shkaku kryesor i aksidenteve rrugore është shpejtësia e lartë. Disa prej shoferëve udhëtojnë të dehur e disa të tjerë ia shkelin gazit pa u menduar. Ajo çka duhet theksuar, janë masat që duhet të marrë Policia Rrugore. Sigurisht që këta të fundit s’mund të ndjekin nga pas çdo makinë apo të parashikojë e parandalojë çmenduritë e shoferëve, por të shtojë sigurinë. Edhe pse çdo ditë thonë se kanë shtuar patrullat rrugëve të vendit, bilanci vetëm thellohet. Më poshtë një përmbledhje e aksidenteve rrugore.

17 gusht – 3 viktima dhe 3 të plagosur
Një aksident i rëndë u shënua në Berat, ku një person humbi jetën dhe tre të tjerë u plagosën. Viktimë mbeti Zybo Brami, ndërsa të plagosur mbetën Daniel Brami, Roni Brami dhe Astrit Kanaci. Po në të njëjtën ditë, më 17 gusht, në zonën e “Misto Mames” në Kombinat u regjistrua një aksident me vdekje. Dy makina u goditën me njëra-tjetrën dhe për pasojë humbi jetën një këmbësore rreth 50 vjeç. Bilanci i 17 gushtit sa vjen e rëndohet. Një tjetër aksident me vdekje shënohet në Elbasan. Një makinë tip ‘Mazda’ përplasi për vdekje një burrë të identifikuar si Islam Hyseni.

18 gusht – 4 të plagosur
Orët e para të mëngjesit të 18 gushtit nuk ishin të qeta. Një i ri në Ksamil, teksa drejtonte një mjet luksoz tip ‘BMW’, ka humbur kontrollin duke përplasur dy mjete të parkuara dhe murin e një biznesi. Për pasojë, mbeti i plagosur vetë shoferi i mjetit. Në aksin Milot-Morinë, po më 18 gusht dy mjete përplasen. Nga ky aksident, mbetën të plagosur 3 persona.

19 gusht – 1 i plagosur
19 gushti, dita ku u regjistrua një tjetër aksident i frikshëm, por fatmirësisht një burrë pësoi lëndime të lehta. Një mjet tip ‘Benz’ e përplasi këtë person në Peshkopi. Videoja e filmuar nga një kamera sigurie u bë virale në rrjet, pasi makina e fluturon burrin disa metra në ajër.

20 gusht – 6 të plagosur
Më 20 gusht, në aksin Fier-Levan, dy fuoristrada u përplasën me njëra-tjetrën dhe për pasojë, 6 persona u plagosën, drejtuesit e mjeteve dhe 4 pasagjerë. Shifrat e këtyre aksidenteve janë tronditëse, pasi duket se siguria në rrugë nuk ekziston.

21 gusht – 7 të plagosur
Rreth orës 8:45 në bypassin e Fierit, dy makina të tjera dolën nga rruga duke u plagosur 3 persona, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Jo vetëm kaq. Rreth dy orë më pas (11:00), një tjetër aksident ndodh në Fier. Një furgon përplasi një person me biçikletë. Për pasojë, mbeti i plagosur drejtuesi i kësaj të fundit. Ai ndodhet në spitalin e Fierit ku po merr ndihmë mjekësore, por gjendja e tij raportohet jashtë rrezikut për jetën. Në orët e vona të mbrëmjes së 21 gushtit, një tjetër aksident u shënua në aksin rrugor Mamurras-Thumanë. Nga aksidenti i trefishtë, u plagosën tre persona. Të plagosurit u transportuan me urgjencë drejt spitalit të Traumës në Tiranë për të marrë ndihmë mjekësore.

22 gusht – 3 viktima dhe 9 të plagosur
Orët e para të mëngjesit të së dielës nisën sërish keq, pasi dy të rinj u plagosën në një aksident në aksin Elbasan-Funar. Shoferi humbi kontrollin e mjetit duke përfunduar në përrua. Të rinjtë ndodhen jashtë rrezikut për jetën në spital. Pak orë më vonë në Fier shënohet një aksident ku për pasojë u plagos një 63-vjeçar me biçikletë të cilin e përplasi makina. Ndërsa një tjetër aksident u shënua në Patos, ku një 42-vjeçar përplasi një 64-vjeçar që po lëvizte me motor. Për pasojë ky i fundit u plagos dhe u dërgua në spital për ndihmë mjekësore. Ndërsa në mesditë aksidenti më tragjik u shënua po në Fier në zonën e Marinzës. Një mjet përfundoi në një kanal të thellë të mbushur me ujë. Dy persona dyshohet se u mbytën dhe për pasojë ndërruan jetë. Sipas raportimeve, shoferi ka pësuar një atak kardiak, çka shkaktoi dhe aksidentin. Në mbrëmjen e 22 gushtit, një mjet përfundoi brenda një dyqani në Berat. Për pasojë u plagosën 5 persona, këmbësorë, dhe një tjetër ndërroi jetë.

23 gusht – 1 i vdekur dhe 1 i plagosur
Një fshatin Rrajcë, drejtuesi i një Toyote humbi jetën në aksident, ndërsa u plagos dhe pasagjerja në mjet. Aksidenti ndodhi për shkak të humbjes së kontrollit.

24 gusht – 2 viktima
Mëngjesi i 24 gushtit ishte po ashtu tragjik. Një fëmijë 16 vjeç humbi jetën pasi u përplas nga një makinë. Ndërsa në mbrëmje, një aksident tragjik shënohet në aksin rrugor Korçë-Kapshticë. Drejtuesi i një motori ndërroi jetë pasi u aksidentua nga një makinë që drejtohej nga Adi Koçileri.

25 gusht – 6 të plagosur
Shifrat vetëm rriten. Mesditën e 25 gushtit një aksident me një bilanc të frikshëm ndodhi te Mbikalimi i Patokut. Dy mjete u përplasën kokë më kokë, ndërsa 6 persona mbetën të plagosur, mes tyre shoferët dhe të tjerët pasagjerë.

26 gusht – 5 viktima dhe 2 të plagosur
Dita e zezë e 26 gushtit. Një aksident tragjik me 5 viktima ndodhi në Qafë Muzinë. Një mjet tip Land Rover i cili drejtohej nga një grua, për shkak të shpejtësisë së lartë ka përplasur një furgon. Ky i fundit përfundoi në greminë duke humbur jetën shoferi dhe 4 pasagjerët. Një grua shtatzanë shpëtoi mrekullisht.

1


Etiketa: , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas